LAJMI I FUNDIT:

Shqyrtohet mundësia për lejimin e importit të veturave të vjetra

Shqyrtohet mundësia për lejimin e importit të veturave të vjetra

Qeveria e Kosovës duket se ka gjetur mënyrën më të mirë dhe më të lehtë për të mbushur buxhetin e shtetit, raporton KTV-ja. Pas rritjes së tatimit për lojërat e fatit, tashmë është rifutur në diskutim çështja e importimit të veturave më të vjetra se tetë vjet.

Një vendim të tillë, ministri i Ekonomisë, Bedri Hamza, ka thënë se po e marrin me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, që paraqet absurd për njohësit e sigurisë në komunikacion. Veturat e vjetra janë kudo më të rrezikshme për sigurinë. Jo pa arsye vendet ku i kushtohet rëndësi sigurisë, veturat e vjetra i ngarkojnë me taksa e tagra sigurimi më shumë se të rejat.

Po ashtu shumë vende stimulojnë blerjen e veturave të reja dhe e kufizojnë blerjen e të vjetrave pikërisht nga motive të sigurisë në komunikacion. Por, ministri Hamza thotë se një vendim i tillë është marrë për shkak edhe të fuqisë së vogël të blerjes së veturave të reja.

Mirëpo, për ekspertin e ambientit, Shyqri Dumani, një vendim i tillë do të rriste edhe më shumë ndotjen e ambientit. Sipas tij, nga veturat e vjetra, që janë në përdorim, shkaktohet 40 për qind e ndotjes së ambientit në vendin tonë.


Janë edhe grumbujt e veturave, në të ashtuquajturat “varreza” të tyre, që imazhin e vendit e shëmtojnë dhe e bëjnë të neveritshëm. Në Kosovë sipas ligjeve në fuqi lejohen të importohen veturat deri në tetë vjet të vjetra. /Telegrafi/