LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria dhe shqiptarët

Shqipëria dhe shqiptarët

Nga: Gaetano Petrotta
Përktheu: Qemal Velija

– Përmbledhje nga ligjërata e mbajtur në Klubin e Kulturës së Palermos më 9 shkurt 1913 –


Tashmë njohuritë mbi Shqipërinë janë kaq të bollshme, e do të thoja pothuaj kaq të modës, sa edhe gazeta provinciale më modeste ka ndjerë si detyrë të nisë – qoftë edhe vetëm si dëshirë – të dërguarin e posaçëm hipotetik të saj në tokën e Skanderbegut, për të mos lënë njëzetepesë lexuesit e saj pa përshkrimet tërheqëse të dokeve dhe zakoneve, pak a shumë barbare, dhe pa diskutimet, më pak a më shumë të dijshme, mbi historinë dhe mbi gjuhën e popullit shqiptar.

Edhe Atilio Brunialti, që megjithëse nuk është fort zemërgjerë ndaj shqiptarëve, e aq më pak kundrejt Shqipërisë së ardhshme, në një studim, Shqipëria dhe shqiptarët, të botuar në janarin dhe shtatorin e vitit 1881 në Nuova Antologia, i jep territorit shqiptar pothuaj të njëjtin përcaktim kufijsh.

Mantegaca thotë se publicisti francez, Renè Pinon, “është një studiues i çështjeve ballkanike, i cili ka qenë në ato vende shumë herë, dhe shkruan për to pothuaj me një kompetencë të pranuar njëzëshëm dhe është… i paanshëm pasi i përket një vendi i cili nuk ka asnjë interes në këto rajone”. Tashmë Pinon në dhjetorin e vitit 1909 publikoi në Revue des deux Mondes një artikull mbi çështjen shqiptare, ku i përcakton kështu kufijtë e Shqipërisë: “Nga fushëtirat e Vardarit deri në Adriatik, nga Thesalia në Mal të Zi, Shqiptari është zotërues prej të drejtës së pushtuesit parak dhe prej të drejtës së më të fortit”.

Përgjithësisht pas studimeve të Hahnit, konsull austriak në Janinë, në gjysmën e parë të shekullit të shkuar, ndjekur nga albanologë të tjerë, mbështetet pikëpamja se shqiptarët përfaqësojnë trungun iliro-epirot që i përket familjes së madhe indo-europiane, duke qenë tashmë jashtë çdo dyshimi se gjuha shqipe përbën një degë të pavarur të po kësaj familjeje.

Shqipëria, për shkak të pozicionit gjeografik të saj, është hapësira lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit: përmes Shqipërisë u kryen padyshim kalimet e popujve përgjatë emigrimeve parake drejt Perëndimit; përmes Shqipërisë romakët hapën via Egnatia-n madhështore, arterien kryesore që vinte në ndërlidhje provincat e Lindjes me Romën; mbi bregdetin shqiptar Venediku ushtroi sundimin e tij, gjurmët e të cilit më tepër se në murishtet në të shembur të kështjellave të lashta, duhet të gjenden në bonifikimet e territoreve të gjera bregdetare, në përhapjen e italianitetit në të gjithë rajonin dhe në frymën e simpatisë që përherë ka mbajtur të lidhur shqiptarët me Italinë. Shqipëria qe kështjella e fuqishme që ndali turqit në rendjen vandale drejt Romës, qe hendeku ku u thye vala e tërbuar e fanatizmit musliman të hordhive barbare otomane, dhe Shqipëria kishte qenë shumë shekuj më parë pengesa më e fuqishme për përparimin e sllavëve, që në shekullin VII vërshuan në Gadishullin Ballkanik, duke kërcënuar të gjithë pellgun lindor të Mesdheut.

Shqipëria, me një fjalë, prej një misioni pavetëdijësisht providencial, me sakrificën e jetës së saj intelektuale dhe morale, i ka bërë qytetërimit modern shërbime mjerisht mjaft të shpërnjohura dhe të keqshpërblyera me shpifje dhe me braktisje.

Shqiptarët e udhëhequr nga Skanderbegu heroik, për një çerek shekulli, i bënë ballë të vetëm ushtrive otomane. Por pas vdekjes së Heroit, që ndodhi në vitin 1467, iu dorëzuan fatit të përbashkët, dhe turqit tashmë zotër të Gadishullit Ballkanik, arritën të vënë sundimin mbi ta. Megjithatë shqiptarët, të mundur por jo të nënshtruar, i pranuan ata si sovranë por asnjëherë si zotër.

Shqiptarët mbajnë Akilin mes heronjve të racës së tyre, e edhe duke mos dashur të nxjerrim rrjedhoja politike nga rrëfimet legjendare homerike, është e pamohueshme që karakteri i Akilit kurajoz, besnik dhe mburravec, kryeneç e hakmarrës, është mjaft më i afërt me karakterin e shqiptarëve të sotëm se sa me atë të grekëve edhe më të vjetër.

Aleksandri i Madh, dashurues i lirisë, kreshnik, i rrëmbyer, shpirtbujar dhe i rreptë në të njëjtën kohë, është edhe ai shqiptar nga ana e së ëmës.

Edhe Pirro, aventurieri trim, pak sqimatar e pothuaj donkishotesk, por shpirtmadh dhe besnik, që ëndërron pushtimin e Italisë dhe të Maqedonisë e Greqisë, përfaqëson edhe ai tipin e shqiptarit, i dhënë pas aventurave luftarake, trim në fushëbetejë dhe fisnik i përkryer në paqe, kundrejt gruas e kundrejt mysafirit, deri në atë pikë sa të quajë më frigashin ndër burrat atë që lëndon edhe lehtas gruan dhe të dobëtit, e sa të gjykojë si fatkeqësi të madhe pamundësinë për të pritur në shtëpi mikun me të gjitha nderet që kërkohen nga mikpritja dhe për t’i ofruar në takimin e parë bukë e kripë, urim bollëku dhe begatie.

Lordi Bajron, admirues deri në ngazëllim i shqiptarëve, shpërthen: “Mbi shkëmbinjtë e Sulit dhe mbi brigjet e Pargës, gjenden ende mbetjet e një race siç i lindnin nënat dorike: atje gjenden ende prej familjeve që gjaku i Heraklidëve nuk do t’i mohonte”.

Ndërsa Xhuzepe Garibaldi i shkruante princeshës Dora D’Istria në vitin 1866: “Kauza e shqiptarëve është e imja; sigurisht unë do të isha i lumtur të shpenzoja ç’ka më mbetet prej jetës sime në dobi të atij populli kreshnik”.

Zotërinj, Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë përkrahës.

Para Kongresit të Berlinit, Rusia tentoi sllavizimin e Shqipërisë dhe përmes agjentëve të saj iu bënte propagandë shqiptarëve të shpresonin në simpatinë e saj dhe në mbrojtjen e saj, e të prisnin kohë më të mira.

“Por kohët më të mira nuk erdhën – vëren idhtas Brunialti – dhe shqiptarët ishin braktisur në Paris ashtu si në Adrianopojë, në Berlin ashtu si në Paris”. Rusia u përkujdes mjaft për beniaminët e saj sllavë; e gjithë Europa e vjetër ndjeu t’i kalojnë në gjak dridhërima ngazëllimi kundrejt nipërve të vonshëm të heronjve të Maratonës: ndërsa për Shqipërinë Kongresi i Berlinit nuk gjykoi me vend të përkujdesej.

Është thënë: – Po përse shqiptarët në verën e shkuar, pasi patën në zotërim të gjithë rajonin, nuk shpallën pavarësinë?

Sa naivitet, zotërinj! po Protektori?, po mjetet për ngritur administratat, për të organizuar shtetin?

Asnjë Fuqi nuk u bë e gjallë. Statu quo-ja e ndjerë ka rënduar mbi shqiptarët në revolucionet e shkuara si një barrë plumbi!

Austria, e dëshiruar të thyejë vonesat për synimet e saj ekspansioniste, kafshonte frenin që ishte vënë nga Fuqitë; Italia, edhe duke admiruar heroizmin e një populli që derdhte përrenj gjaku për lirinë e tij, u detyrua të deklarojë se revolta shqiptare ishte një çështje e brendshme e Turqisë, e as mundi të ndërhyjë; Fuqitë e tjera vështronin, siç është zakon të thuhet, nga dritarja gjithë sa ndodhte në Shqipëri, duke u shtirur se nuk kuptonin se ishim në preludin e ngjarjeve të sotme.

Rreth mesit të gushtit të shkuar, kur shqiptarët, zotër të të gjithë Shqipërisë, nuk mundën të shpallin pavarësinë pasi nuk patën mbështetjen as morale e as materiale të Fuqive, që, të bindura se po gënjenin, ngulmonin të flisnin për statu quo, Konti Berhtold, duke pasur parasysh ndërlikimet ballkanike, i bëri të njohur Europës një plan reformash që mund të përmblidhet në këto dy pika:

1. Decentralizim progresiv në favor të të gjitha kombësive të Perandorisë otomane.
2. Këshilla për qetësim që i duheshin dhënë shteteve ballkanike.

Pra, përveç synimeve të interesuara të Austrisë, e cila nuk mund të humbasë vëmendjen për fatin e Ballkanit, ky projekt do të thoshte për Qeverinë e Vjenës shtyrje në kohë të pacaktuar të shtrirjes territoriale, por në të njëjtën kohë vinte për të prishur planin pansllavist të Rusisë dhe të pararendësve të saj në Ballkan.

Dhe ndërsa në Turqi ndërdyshej për të mirëpritur në mënyrë të pakushtëzuar propozimin jo të painteres të Austrisë, ndërsa në Itali, për të bërë të kundërtën e asaj që donte të bënte Aleatja, triumfoi kurthi i zakonshëm; ndërsa Fuqitë e aleancës Tripalëshe kalonin kohën duke diskutuar, ndoshta disi më hollësisht, planin e Vjenës, Mali i Zi i Vogël pati kuturisjen të sulmojë Turqinë e Madhe, dhe ky goxha gjest u duk madhështor, ndërsa do të kishte qenë thjeshtë qesharak nëse pas Nikollës plak të Malit të Zi të mos ishte Nikolla i ri i Rusisë, qeveria e të cilit, me shpërthimin e luftës ballkanike, pati ngutin e shtirur t’i bënte me dije të gjithë botës se Rusia nuk e miratonte aktin e pamatur të shtetit të vogël!

Rusia duke ia lëshuar mbi shpinë trupit të vdekur të Turqisë shtetet e vegjël ballkanikë, hodhi në erë me një goditje projektin austriak për të ndërtuar dhe zgjeruar shtete jo sllave në Ballkan, të cilët bashkë me Greqinë, e gabuar prej aleancës kalimtare dhe të keqngjizur ortodokse, dhe bashkë me Rumaninë e ndoshta bashkë me Bullgarinë, që kafshon parreshtur frerët e tutelës ruse, do të duhej të kundërpeshonin forcat sllave që kërcënonin ekulibrin e Mesdheut.

Vetëm kështu mund të kuptohet mospajtimi i madh ruso-austriak në çështjen e përcaktimit të kufijve të Shqipërisë, që mund të degjenerojë në konflikt të hapur: për Austrinë kjo është një çështje për jetë a vdekje, dhe Rusia, duke i bërë ballë, nuk do të jetë sigurisht e mjaftuar vetëm me mirënjohjen birnore të mbretit Nikolla dhe të mbretit Pjetër të Serbisë.

Nëse Rusia, gjë që është e dyshimtë, do të diktojë në Londër pikëpamjen e saj, ëndrra e Pjetrit të Madh do të jetë një fakt i kryer. Dhe ne në Itali do të mbesim të mallëngjyer prej heroizmit të Malit të Zi, dhe për hir të asaj kalorësie të lindur që dallon karakterin tonë, nuk do të duam t’i shkaktojmë dhimbje Mbretëreshës sonë Auguste duke mbështetur kauzën e Shkodrës shqiptare; dhe, ndërsa Greqia na fyen me të gjitha mënyrat, edhe me prerjen e kabllos italiane të Vlorës, ne të ushqyer me Idealin e Madh klasik ndjehemi të shtyrë të mbështesim kauzën e pasardhësve, ndoshta jo krejtësisht legjitimë, të Perikliut e të Demostenit.

Zotërinj, përse shqiptarët nuk u përfshinë në lidhjen ballkanike? Përse përkundër u bashkuan me armikun e përjetshëm të racës së tyre, me Turkun?

Pas asaj që kam parashtruar shkurtimisht, nuk besoj se është e vështirë të kuptohet se sa dashkeqe ka qenë kjo insinuatë në kurriz të shqiptarëve, e hedhur në publikun europian nga kush kishte interes ta bënte antipatike kauzën e tyre, dhe e mirëpritur verbërisht nga kush nuk kishte kohën të përthellohej në çështjen ballkanike, e nga kush mbeti i befasuar nga aksioni i rrufeshëm i aleatëve dhe nga kush besoi naivisht se ishte ringjallur fryma e krishterë në Europë me këtë kryqëzatë të re kundër Turkut shtypës të kryqit dhe të emrit të krishterë!

Histerizëm sentimental, zotërinj! Lufta Ballkanike shpërtheu kur grekë, serbë, malazezë e bullgarë, ose për ta Rusia, vunë re se Turqia ngs forca e ngjarjeve ishte e shtrënguar t’i jepte autonominë Maqedonisë dhe Shqipërisë, duke asgjësuar ëndrrën sllave me njohjen e Kombit shqiptar, të gjallë më tepër se sa besohet dhe të lidhur ngushtë përreth emrit të lavdishëm të Skanderbegut, siç thotë kënga shqiptare: “Do të shemben shkëmbinjtë akrokeraune, do të thahet liqeni Aheruzio, ujërat e Akerontit do të kthehen përpjetë, do të shkulen nga rrënjët pyjet shqiptare, por fama e Skanderbegut do të mbesë përherë, deri kur Shqipëria do të jetë një emër në botë”.

Në lidhje me këtë më lind detyrimi, zotërinj, të sqaroj një keqkuptim të dhimbshëm të krijuar në opinionin publik italian nga deklarata për shkrirjen, e bërë në tetorin e kaluar nga Komiteti Italian Pro Albania, i ngritur në gjirin e partisë maxiniane.

Komiteti, duke ia besuar gjykimin e vendimit të tij historisë, shkrihej pasi shqiptarët refuzuan të përfshihen në lidhjen ballkanike dhe nuk deshën të korrin, duke u bashkuar me Turkun, frytin e fitoreve të tyre.

Nëse historia do të merret, dhe ka arsye të forta dyshimi për këtë, me ekzistencën e këtij Komiteti, gjykimi i saj nuk mund të jetë kushedi çfarë dashamirës; anëtarët e Komitetit ose ishin të mashtruar, gjë që duket e gjasshme, nga patriotë të rremë shqiptarë që hiqeshin si të autorizuar të flisnin në emër të Shqipërisë, ose nuk patën asnjëherë një ide të saktë për çështjen shqiptare, gjë që nuk mund të jetë, pasi mes tyre nuk mungonin politikanë të dorës së parë.

Ndjenja, zotërinj, është mohimi i politikës: a i intereson Italisë që të lindë shteti i ri shqiptar? A i intereson Italisë të shtrijë ndikimin e saj mes shqiptarëve?

“Mund të thuhet për këtë komb (shqiptar) – shkruante në vitin 1901 i nderuari Guiçardini – ajo që qe thënë për Austrinë: nëse nuk do të kishte, do të duhej ta shpiknim”.

Zotërinj, në Itali jetojmë rreth 200 mijë italo-shqiptarë; jemi ne italianë, nuk kemi kursyer sakrifica për madhështinë e Italisë; por ruajmë ende traditat dhe gjuhën shqipe. Nëse Qeveria italiane do të dijë me urtësi të shfrytëzojë këtë element të çmueshëm, që Austria nuk e ka, për politikën e saj në Shqipëri, do të ketë kryer dy vepra madhështore: përhapjen e italianitetit në bregun tjetër dhe bashkëpunimin e sinqertë për rilindjen e popullit shqiptar. /Botimet Zenit/