LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri, sistemi bankar më 2010 u rrit për 12 %

Shqipëri, sistemi bankar më 2010 u rrit për 12 %

Sistemi bankar në Shqipëri në vitin e kaluar ka shënuar rritje. Banka e Shqipërisë publikoi raportin vjetor ku, sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2010, sistemi bankar ka prezantuar rritje të totalit të aktiveve me rreth 104.3 miliardë lekë ose me rreth 12 për qind, duke treguar një përshpejtim të ritmit, kundrejt rritjes prej rreth 7 për qind gjatë vitit 2009.

Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori bankar vijon të mbetet aktori kryesor i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri. Në fund të vitit 2010, aktivet e tij përfaqësojnë rreth 81 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.

Struktura e aktivit të sistemit bankar vijon të financohet kryesisht nga depozitat e publikut dhe të jetë i përqendruar në aktivitetin e kredidhënies, i cili është i orientuar kryesisht drejt financimit të sektorit privat.

Në fund të vitit 2010, portofoli i kredisë përbënte rreth 49 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar. Si rezultat, veprimtaria bankare ka vijuar të thellojë shkallën e ndërmjetësimit në ekonomi gjatë vitit 2010. /Telegrafi/