LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri, inflacioni 3.9 %

Shqipëri, inflacioni 3.9 %

Instituti i Statistikave INSTAT ka konstatuar se gjatë muajit qershor kostoja e jetesës në Shqipëri ka pësuar rënie, kryesisht si pasojë e furnizimit të tregjeve të brendshme me prodhim vendas bujqësor. Sipas të dhënave të publikuar këtë periudhë inflacioni arriti në 3.9 për qind, duke shënuar një rënie prej 1.1 për qind kundrejt muajit të mëparshëm.

Instituti ka vlerësuar se ndikimin kryesor në uljen e inflacionit e kanë dhënë çmimet e ushqimeve, ku indeksi i këtij grupi është ulur me 2.6 për qind. Çmimet kanë pësuar rënie si për frutat ashtu edhe për perimet, si pasojë e furnizimit të tregjeve nga fermerët tanë.

Rënie gjatë muajit qershor kanë pësuar edhe çmimet në grupin pije alkoolike dhe duhan, veshje-këpucë, qera, ujë, lëndë djegëse dhe energji, si rezultat i uljes së lëndëve djegëse me 0.2 për qind. Gjatë muajit qershor është konstatuar gjithashtu edhe ulje e çmimit të karburanteve në masën 0.6 për qind.

Niveli 3.9 për qind i inflacionit edhe pse ndodhet afër nivelit maksimal të parashikuar nga Banka e Shqipërisë për këtë tregues qëndron brenda objektivit.


Guvernatori Ardian Fullani ka garantuar se ky tregues është nën kontroll, pavarësisht presioneve që vijnë nga tregjet e huaja apo zhvillimet e brendshme. /Telegrafi/