LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri, buxheti shkurtohet me 25 për qind

Shqipëri, buxheti shkurtohet me 25 për qind

Ministri i Financave i Shqipërisë, Ridvan Bode, paraqiti në komisionin e ekonomisë dhe financave të Kuvendit ndryshimet në buxhetin e shtetit të cilat, sipas tij, synojnë shkurtimin e shpenzimeve me 39 miliardë lekë. Bode tha se kështu mbahet nën kontroll borxhi publik, ndërsa nxitet mbrojtja financiare për sektorin privat.

Më parë, kryeministri i vendit Sali Berisha i quajti të dhimbshme shkurtimet buxhetore por ato, sipas tij, janë të domosdoshme për të mos lejuar rritje të mëtejshme të borxhit publik. Qeveria synon ta ulë këtë borxh nga 59 për qind aktualisht në 54 për qind në 2013.

Edhe shefi i misionit të FMN-së në Shqipëri, Gervin Bell, përsëriti thirrjen për qeverinë për të marrë masa për uljen e nivelit të borxhit publik, duke e quajtur këtë një sfidë për ekonominë shqiptare.

Por opozita i quan të vonuara dhe të gabuara masat e qeverisë për uljen e borxhit publik.


Ish-ministri i financave, deputeti socialist Arben Malaj thotë se ulja me 27 për qind e investimeve do të ketë pasoja negative në ekonomi në vitet në vazhdim.

Nënkryetarja e Komisionit ekonomi-financë, deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, tha se përpara se të miratohen ndryshimet në buxhet duhet të dëgjohen edhe grupet e interesit dhe institucionet e pavarura. /bbc/