LAJMI I FUNDIT:

Shpalosen ofertat për pushime

Shpalosen ofertat për pushime

Oferta turistike për ketë vit do të prezantohet në panairin e tetë ˝Travel & Tourism Fair 2011˝, i cilët është hapur të mërkurën në Prishtinë. Përfaqësuese të Shqipërisë dhe të komunës së Ulqinit i akne ftuar kosovarët që të vizitojnë vendet e tyre për pushime.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Mimoza Kusari-Lila tha se turizmi si aktivitet, është një mundësi e mirë për cilindo vend në rajon, që të shfrytëzohet për zhvillim të hovshëm ekonomik dhe po ashtu në mënyrë profitabile. “Efekti pozitiv i zhvillimit të industrisë së turizmit, nuk është i kufizuar vetëm në këtë sektor. Por gjithashtu reflekton në zhvillimin e sektorëve tjerë ekonomik”, theksoi Kusari.

Ajo tha se potencialet turistike të Kosovës, sidomos ato të turizmit dimëror- sportiv, dhe pozita e saj gjeografike, ofrojnë mundësi shumë të mira dhe për zhvillimin turizmit ndërkufitar, ku si rezultat edhe përfitimet do të jenë të gjithanshme turistike, socio- ekonomike dhe kulturore.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i shërbimeve mbështetëse në Ministrinë e Turizmit të Shqipërisë Saba Jenishta, foli për turizmin shqiptarë dhe mundësinë që ofron Shqipëria për turistet që vendosin t’i kalojnë pushimet atje.


Sipas tij në vitin 2010, numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë ka qenë 3.5 milionë. “Qeveria shqiptare, në programin e saj e ka konsideruar industrinë e turizmit, si një nga prioritetet e saj, duke synuar kthimin e vendit në një destinacion të rëndësishëm mesdhetar”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga tha se me gojë plotë i themi Kosovës faleminderit për mbështetjen që i jepni qytetit tuaj Ulqinit dhe vazhdoni që ende ta zgjidhni këtë adresë destinacioni për kosovarët. “Besoj se Kosova do të jetë në Ulqin dhe se sezoni 2011 do të jetë edhe më i mirë se viti 2010, i cili ka shënuar rekorde”, tha Hajdinaga.

Ndërsa, Ministri i Arsimit, Ram Buja, i cili bëri inaugurimin e Panairit të Edukimit, tha se kjo është një mundësi e mirë, për studentët dhe prindërit që të përcaktohen se ku do të drejtohen fëmijët e tyre për shkollim.

Panairi organizohet nga CEO në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. /Telegrafi/