LAJMI I FUNDIT:

Shoqata e Bankave: Rritet niveli i depozitave

Shoqata e Bankave: Rritet niveli i depozitave

Shoqata e Bankave ka konstatuar një rritje të ndjeshme të nivelit të depozitave në banka. Kështu, nga të dhënat rezulton se në mars të këtij viti, niveli i depozitave arriti në 830.7 miliardë lekë, me një rritje prej 7.1 miliardë lekë kundrejt muajit të kaluar dhe rritje 106.8 miliardë lekë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Shoqata e bankave ka konstatuar gjithashtu, se peshën kryesore në depozita e përbëjnë kursimet e qytetarëve. Kështu, në fund të marsit, qytetarët kishin depozituar 717.4 miliardë lekë, ndërsa depozitat e bizneseve llogariten në 113.2 miliardë lekë. Normat e interesit që ofrojnë bankat për depozitat vlerësohen të jenë edhe faktori kryesor që ka nxitur qytetarët të mbyllin pararët e tyre pranë sporteleve bankare. Kjo duke pasur parasysh edhe rritjen e konkurrencës në tregun bankar vendas, ku operojnë 16 banka.

Gjatë muajve të verës pritet që niveli i depozitave të rritet sërish. Një pjesë e emigrantëve që kthehen në atdhe për pushime, preferojnë t’i mbyllin kursimet e tyre në bankat vendase. Kjo duke pasur parasysh edhe krizën që ka përfshirë Greqinë, vend ku jetojnë dhe punojnë me mijëra emigrantë shqiptarë.

Rritja e nivelit të depozitave është edhe një ndër treguesit që dëshmon për sigurinë dhe gjendjen e mirë financiare të sistemit bankar shqiptar, pasi shtimi i depozitave rrit likuiditetin e bankave dhe ndihmon këto të fundit që të japin më shumë kredi, raportoi BW./Telegrafi/