LAJMI I FUNDIT:

Shkrirja e KPMM-së në Shërbimin Gjeologjik dekurajon investitorët e huaj

Shkrirja e KPMM-së në Shërbimin Gjeologjik dekurajon investitorët e huaj

Anëtari i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Azem Rexhaj, ka thënë se shkrirja e KPMM-së në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës do t’i dekurajojnë investitorët e huaj për sektorin mineral.

Ai ka bërë me dije se janë në përgatitje të një dokumenti përmes të cilit do ta arsyetojnë domosdoshmërinë dhe rëndësinë e KPMM-së në nivelin e agjencisë së pavarur.


Rexhaj ka thënë se këtë dokument do t’ia përcjellin qeverisë dhe do të jepen arsyet pse nuk duhet të dëmtohet ky sektor aq i rëndësishëm.

Ai ka thënë se të hyrat e KPMM-së, kanë shënuar progres sa i përket të hyrave, e që sipas tij, vetë, për tremujorin e parë janë mbledhur më shumë se 1 milionë euro karshi periudhës paraprake të vitit të kaluar.

“Nga janari deri më tani kemi lëshuar 21 licenca në hulumtim, 12 në shfrytëzim dhe 27 leje për aktivitete të veçanta, kurse nga themelimi kemi lëshuar 863 licenca për hulumtim, 683 licenca për shfrytëzim dhe 655 leje për aktivitete të veçanta. Kurse të hyrat për tremujorin e parë të këtij viti janë 7.245,312.63 euro e në periudhën e njëjtë të vitit 2018 ishin 6,163,709.5. Pra, kemi një rritje të të hyrave prej 1.081.603.06 milionë eurosh”, ka thënë Rexhaj.

Në këtë intervistë, ai ka folur dhe për detyrimet e “Trepçës”, ndaj këtij institucione si dhe për mënyrën e operimit të operatorëve si në pjesën jugore ashtu dhe atë veriore.

Sipas tij, ka interesim për të investuar në sektorin minerar në Kosovë, porse janë disa pengesa që duhet evituar. /Epoka e Re/Telegrafi/