LAJMI I FUNDIT:

Shkolla publike dhe feja

Shkolla publike dhe feja

Dihet fare mirë se në Republikën e Shqipërisë feja është e ndarë nga shteti, sepse shteti është laik, por kjo s’do të thotë që shteti nuk përkufizon qëndrimin e tij ndaj feve dhe institucioneve të tyre. Për fat të mirë, në Shqipëri fetë e ndryshme, ato myslimane, ortodokse, katolike, bektashiane, protestante etj., merren vesh, të paktën deri tani, shumë mirë me njëra-tjetrën, madje harmonia e bashkekzistencës së tyre është një shembull i shkëlqyer për mbarë botën e qytetëruar.

Gjithsesi, këto kohët e fundit, debati po zien lidhur me propozimin për futjen e një lënde të re në shkollat tona publike: feja. Pyetja që më lindi natyrshëm kur mësova lidhur me propozimin në fjalë, ishte: Në shkollat tona publike do të zhvillohet një cikël orësh mësimi teorik për fenë, apo një cikël orësh mësimi praktik për çdo fe në veçanti?


Më lindi kjo pyetje sepse, sipas disa statistikave që kam lexuar në një gazetë serioze franceze para nja dhjetë vitesh, rezulton se, në këtë fillimshekulli në botë numëroheshin 1000 fe të institucionalizuara, si, për shembull, fetë e lartpërmendura, pa llogaritur sektet, rreth katër mijë, që, edhe ato, në shumicën e rasteve, vetëkonsiderohen si fe. Pyetja e dytë që më lindi është se cilët/ cilat do të jenë ata/ato që do ta zhvillojnë me nxënësit këtë lëndë.

Sigurisht që jo kuadro fetare, por studiues, filozofë, sociologë, historianë apo studiues të feve nga lashtësia e deri në ditët e netët e sotme, të paktën kështu më duket mua e arsyeshme për një shtet laik e demokratik si i yni. Në fakt, bëhet fjalë për t’i informuar nxënësit, për t’iu përgjigjur kureshtjes së tyre intelektuale edhe në rrafshin filozofik: ç’është bota, ç’është jeta, materia e shpirti, nga çfarë dhe si u krijua gjithësia, pra, edhe bota jonë, nga çfarë e si u krijua njeriu e plot pyetje të tjera njëra më interesante se tjetra, me të cilat janë marrë gjithmonë jo vetëm si filozofitë edhe fetë.

Në këtë pikë nuk duhet harruar se shkolla jonë laike e demokratike ka për detyrë, së pari dhe para së gjithash, t’u hapë nxënësve horizonte intelektuale e shpirtërore që ata të jenë përherë njerëz të lirë dhe jo t’ua përpunojë e t’ua robërojë atyre mendjen për t’i indoktrinuar e për t’i kthyer në skllevër të një ideologjie të caktuar duke u imponuar një variant të vetëm interpretimi të botës që na rrethon.

Përveç feve dhe institucioneve përkatëse, me pasojat e tyre si pozitive ashtu edhe negative në historinë e njerëzimit, u duhet folur nxënësve me të njëjtin seriozitet e objektivitet për ateizmin e mirëfilltë dhe agnosticizmin e vërtetë si rryma të fuqishme të zhvillimit të pavarur të mendimit njerëzor.

Gjithashtu, u duhet folur atyre për instrumentalizimin e ideologjive e të doktrinave fetare dhe/ose ateiste nga ana e pushtetarëve të të gjitha kohërave – princër e mbretër, despotë e perandorë, kalifë e satrapë, autokratë e diktatorë të të gjitha llojeve, të djathtë e të majtë, fashistë, nazistë e komunistë, gardistë të kuq e xhihadistë etj., etj.

Nga ana tjetër, duhet përcaktuar qartë, nga pedagogë, metodologë dhe sidomos psikologë kompetentë, se me nxënësit e cilës moshë duhet zhvilluar ora e mësimit të fesë; cili do të jetë raporti midis këndvështrimit historik dhe atij filozofik në zhvillimin e kësaj lënde, në sa kohë do të shtrihet ajo (një semestër?), me sa orë në javë (një apo dy?); nëse ajo do të jetë e detyrueshme apo fakultative, si edhe nëse do të vlerësohen nxënësit në bazë notash nga ora në orë apo vetëm me provim përfundimtar.

Së fundi, dua të theksoj e ritheksoj që, çfarëdo qofshim, së pari e para së gjithash jemi njerëz të planetit Tokë, jemi europianë e jemi shqiptarë, po e përsëris: SHQIPTARË, para se të jemi myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashianë, protestantë etj., etj., por edhe para se të jemi ateistë apo agnostikë, pjesë apo mbështetës të kësaj apo asaj ideologjie, politike apo kulture, para se të jemi anëtarë të kësaj apo asaj partie ose shoqate, para se të jemi të këtij apo atij profesioni, ithtarë të këtij apo atij filozofi, fansa të këtij apo atij artisti, admirues të këtij apo atij shkencëtari, tifozë të këtij apo atij ekipi etj.