LAJMI I FUNDIT:

Shihemi … për sukseset e radhës

Shihemi … për sukseset e radhës

Edicioni i 10-të i KosICT-it – që u mbajt sivjet – ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme për sektorin e Teknologjisë Informative dhe të Komunikimit (TIK) në Kosovë. Me kënaqësi aplikova për të qenë folës në këtë edicion, edhe pse për nga karakteri jam paksa i ndrojtur. Po ashtu, nuk shoqërohem shumë me komunitetin e TIK-ut meqë fokusin e kam më shumë në veprim sesa në prezantime.

Derisa nuk e hapa biznesin tim në vitin 2018, kontributi im profesional ka qenë të shërbej si urë lidhëse mes teknologjisë dhe menaxhimit, për t’i ndihmuar bizneset në përmirësimin e veprimtarisë përmes integrimit të teknologjisë së avancuar. Dhe, pikërisht tema për të cilën prezantova ishte platforma digjitale që ua mundëson bizneseve menaxhimin e performancës drejt një biznesi të qëndrueshëm.


U kënaqa në këtë ngjarje saqë harrova se e kisha ftohtë gjatë gjithë kohës. Më dukej se kjo kishte të bënte me emocionet e mia për prezantimin, por në të vërtet temperatura e ambientit ishte pak e ftohët për gardërobën që zgjodha për këtë ngjarje. E, derisa erdhi radha ime të flas, gjatë pauzave lëvizja nga njëra sallë në sallën tjetër, për t’u ngrohur disi.

Thënë të drejtën, përfitova shumë nga ky rast meqë e vërtetova thënien se “gjithçka ndodh për një arsye”. I takova të gjithë ata që në një formë ose tjetër janë pjesë e suksesit tim; disa individë që më këshilluan e disa kompani që më ndihmuan; partnerë biznesi e partnerë strategjik; ish punëdhënës e disa nga klientët e mi.

Organizatorët në këtë ngjare kishin ftuar persona e kompani që i përkasin një ekosistemi të ndërvarur. Nga vullneti për bashkëpunim e deri te vullnetit për pavarësim, ne ishim komuniteti KosICT. Të gjithë panelistët dhe folësit në këtë ngjarje vinin prej bizneseve të suksesshme që me shërbimet e tyre jashtë vendit kontribuojnë drejtpërdrejt në ekonominë e vendit tonë. Duke punësuar me mijëra të rinj e duke i edukuar ata në shërbimet profesionale, na dëshmonin se janë shtylla e shtetit tonë.

Duke u larguar nga ky event, e kuptova që shqetësimi kryesor i të gjitha këtyre bizneseve ishte mungesa e kuadrove profesionale, në fusha të caktuara. Dhe, nga të gjitha prezantimet e konkluzionet e panelistëve po ashtu kuptova se ky vërtetë mund të jetë hendeku mes sektorit privat dhe institucioneve shtetërore.

Statistikat tregojnë se numri i papunësisë në Kosovë është rreth 27 për qind. Me një strategji të mirëfilltë të edukimit, të ngritjes së kapacitetit profesionale dhe me përkrahje financiare – bashkërisht me organizatat që japin donacione për këtë qëllim – përqindja e madhe e personave të papunë mund të transformohet drejtpërdrejt në kuadro profesionale – e pse jo në punëdhënës në një të ardhme të afërt.

Kosova gjithashtu duhet të krijojë politika stimuluese të sipërmarrësve të rinj, për krijimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, gjë që do të kontribuonte në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në krijimin e balancës së qëndrueshme ekonomike.

Të shpresojmë, edhe kësaj radhe, në vetëdijesimin e institucioneve tona për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Duke i falënderuar organizatorët për mundësinë që ma dhanë, të gjithë pjesëmarrëseve në këtë edicion ju them: Shihemi … për sukseset e radhës!

(Autori është themelues/CEO i kompanisë “Be Consulted”)