LAJMI I FUNDIT:

Shëndeti i biznesit tuaj

Shëndeti i biznesit tuaj

Driton S. Bejtullahu

Shumica e organizatave nuk e përcjellin si duhet qëndrueshmërinë e biznesit, edhe pse krerët pajtohen se një “kompani e shëndetshme” e garanton efikasitetin afatgjatë. Kjo në një mënyrë ndërlidhet me shëndetin tonë fizik. Kontrollet rutinore – që na japin indikacionet se sa të shëndetshëm jemi – i bëjnë të nevojshme këshillat e mjekut. Këto këshilla dhe aktivitetet tona ditore fizike i konfirmojnë rezultatet e rëndësishme për jetën tonë. E njëjta vlen edhe për biznesin.


Shëndeti, në parim, paraqet mënyrën se si biznesi funksionon krahas strategjisë dhe vizionit që ka, mënyrës se ekzekutimit të vendimeve, si dhe adaptimit dhe reagimit kundrejt faktorëve të jashtëm. Në vendet e zhvilluara, organizatat përdorin veglat si Indeksi i Shëndetit të Organizatës (OHI) për të matur mirëqenien e organizatës në një shkallë prej 0-100. Kjo tregon aftësinë për të operuar në periudha afatgjata. Nëse e analizoni performancën financiare që ndërlidhet me shëndetin e organizatës tuaj (me anë të këtyre mjeteve), kjo ju jep përcaktues konkret përmes së cilëve e kuptoni se a do të keni rezultate të mira në gjenerimin e të ardhurave. Ky kontroll është i bazuar në orientimin e organizatës, rolet dhe përgjegjësitë, koordinimin dhe kontrollin, lidershipin, inovacionin, kapacitetet e organizatës, motivimin dhe ambientin e punës. Pra, duke i vlerësuar rezultatet finale dhe praktikat që i zbatoni në organizatën tuaj, do ta kuptoni shëndetin e organizatës tuaj.

Por, si ta përzgjidhni një paketë “Check-Up” për biznesin tuaj?

Pavarësisht se në çfarë industrie apo në çfarë sektori veproni, ju rekomandojmë që të angazhoni një kompani konsulentë, të specializuar në strategji menaxhuese dhe në menaxhim të ndryshimeve, për t’ju ndihmuar në vlerësimin e shëndetit të organizatës tuaj.

Fillimisht ju duhet të siguroheni se jeni duke aplikuar komunikim efektiv me klientët tuaj; të keni staf të motivuar; të merrni iniciativa të vazhdueshme për përmirësimin e performancës së stafit dhe t’i stimuloni ata për ide kreative. Faktori tjetër është kompetenca e lidershipit dhe menaxhmentit në organizatë, për të dhënë maksimumin e performancës së stafit – duke i inkuadruar ata në proceset që afektojnë drejtpërdrejt punën e tyre. Përndryshe, rezistenca e stafit mund të reflektojë në shëndetin e organizatës.

Disa nga faktorët që përcaktojnë efikasitetin e organizatës lidhen me planin strategjik që ua mundëson të keni avantazh konkurrues në treg (pra, që të keni një shëndet sa më të mirë të organizatës). Si parametra të Indeksit të Shëndetit duhet t’i konsideroni këta faktorë:

– Zhvillimi i lidershipit dhe menaxhmentit;
– Efikasiteti i organizatës;
– Rezultatet e përmirësimit të performancës;
– Zgjidhjet e problemeve dhe puna në ekip;
– Planifikimi strategjik dhe menaxhimi i ndryshimeve në organizatë.

Mënyra se si i keni të vendosura politikat dhe procedurat e menaxhimit të ndryshimeve janë faktori tjetër për qëndrueshmëri të vazhdueshme të biznesit tuaj. Faktori tjetër që duhet të merret për bazë është përmirësimi i performancës së stafit i cili duhet të shndërrohet në kulturë të punës.

Besoj se pajtoheni që zgjidhja e problemeve dhe puna ekipore e bëjnë organizatën më të shëndetshme, duke mos lejuar që pengesat gjatë punës të shndërrohen në probleme ekipore. Si përfundim, analiza e Indeksit të Shëndetit të Organizatës është parashikues i saktë i potencialit të ardhshëm të performancës.

Organizatat me shëndet të mirë gjenerojnë tri herë më shumë profit për aksionaret e tyre.

(Autori është themelues/CEO i kompanisë “Be Consulted”)