LAJMI I FUNDIT:

Shahini: Gjatë vitit 2010 duhet të luftohet ekonomia informale

Shahini: Gjatë vitit 2010 duhet të luftohet ekonomia informale

Zyrtarët e Aleancës Kosovare të Biznesit thanë se gjatë këtij viti kanë zhvilluar aktivitete të shumta për promovimin e zhvillimit ekonomik, prodhimeve vendore dhe rritjen e punësimit në sektorin privat të biznesit. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në një konferencë për media tha se edhe gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdojnë angazhimin për zvogëlimin e ekonomisë joformale, integrimin dhe anëtarësimin e Kosovës në institucione dhe organizata ndërkombëtare, promovimin e ekonomisë vendore jashtë kufijve etj.

AKB-ja gjatë 2009-tës ka zhvilluar shumë aktivitete me fokus në promovimin e biznesit dhe cilësisë së prodhimeve vendore, rritjen e punësimit, pastaj promovimin e mjedisit të investimeve, panaire të ndryshme, karvanin e prodhimeve vendore etj.Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se prioritet i këtij asociacioni të biznesit gjatë vitit 2010, do të jetë projekti për zvogëlimin e ekonomisë joformale, zvogëlimi i evazionit fiskal, si dhe shumë aktivitete tjera.

Shahini premtoi angazhimin e AKB-së për promovimin e ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm, ngritjen e cilësisë së prodhimeve vendore, përpjekjet për rritjen e punësimit për të rinjtë gjatë bursës së punësimit si dhe kërkimin e tregjeve të reja për bizneset kosovare. Por ai kritikoi bankat, që sipas tij, gjatë këtij viti nuk kanë qenë partner të leverdishëm për bizneset.

Kreu i AKB-së u rekomandoi institucioneve që të nxjerrin disa ligje që do të ndikojnë në rritjen e potencialit financiar të ekonomisë vendore si dhe që të shtrijnë autoritetin në tërë territorin e Kosovës për të parandaluar ekonominë joformale. Shahini kërkoi edhe zvogëlimin e normave tatimore për pajisje, material riprodhues dhe makinerinë që nuk prodhohet në Kosovë, përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme, si rryma, rrugët etj, si dhe rishikimin e marrëveshjes për tregti të lirë CEFTA. /rtklive/