LAJMI I FUNDIT:

Sateliti dhe Haliti dhe historia e antinjeriut të shoqërisë

Sateliti dhe Haliti dhe historia e antinjeriut të shoqërisë
Ilustrim

Të lindet një njeri,
Nga gjin’i dheut tonë të rim me lot të vakët,
Nga thelb’i shpirtit tonë që shkrihet me dëshirë të flakët,
Për një gen të ri – Të lindet një njeri.

Migjeni


Thirrja e sipërcituar e Migjenit, e ndikuar nga Niçe, ndonëse duket sikur kërkon lindjen e një “mbinjeriu” që të ndryshojë vendin, në të vërtetë është thirrje për zgjim të ndërgjegjes qytetare dhe kombëtare. Si njeri që vuante nga ato që shihte në atdheun e tij dhe nga dhimbja që ndiente për prapambetjen dhe vuajtjet e popullit shqiptar, Migjeni kërkonte ndërgjegjësimin shoqëror dhe qytetar për domosdoshmërinë e ndryshimit rrënjësor të ndërgjegjes individuale, vetëdijes kolektive dhe angazhimit për progres kombëtar.

Nuk ka dyshim se një njeri i vetëm, kushdo qoftë dhe kurdo veproftë, nuk mund ta çojë vendin dhe popullin atje ku duhet të jetë, në rrugën e progresit, drejtësisë dhe humanizmit. Nevojitet një frymë dhe frymëzim shoqëror, një vetëdije e shumicës së popullsisë për domosdoshmërinë e ecjes në rrugë të drejtë dhe për nevojën që secili të sillet si qytetar, por edhe të kërkojë nga bashkësia të cilës i përket të bëhet e ndërgjegjëshme për rëndësinë dhe vlerësimin maksimal të Kodit Moral dhe ligjshmërisë.

Një shoqëri ku mbisundon individi përçmues ndaj moralit shoqëror dhe nënvlerësues e shkelës i rendit juridik, ajo shoqëri nuk mund të shkojë kurrë drejt progresit material dhe humanizmit social.

Rasti i mëposhtëm, një rast i vërtetë dhe i jetuar tani afër, flet shumë për degradimin tonë moral si shoqëri dhe për “autostradën moderne” që ne i kemi ndërtuar vesit dhe ligësisë. Miku im Haliti* është një 60 vjeçar nga periferia e Lezhës. Qysh në moshë fare të vogël ka pasur fatin e keq të bëhet invalid i pashërueshëm dhe këtë fakt e ka vuajtur fizikisht dhe shpirtërisht.

Duke qenë i tillë fizikisht, por krejt normal nga ana e intelektit dhe dinjitoz nga karakteri, Haliti ia ka dalë të gëzojë jo vetëm dashurinë e familjarëve dhe të fisit, por edhe respektin e atyre që e njohin. Meqë nuk ia ka dalë të krijojë familje dhe prindërit i kanë vdekur tani vonë, ai jeton vetëm në shtëpinë që i kanë lënë prindërit dhe nuk vuan nga ana financiare për shkak të një pensioni dinjitoz që ka si invalid.

Para pak ditëve Haliti iu drejtua spitalit të Lezhës dhe u fut në radhë për t’u vizituar tek mjeku pneumolog V. Gj. Meqenëse nuk po ndihej mirë duke qëndruar në këmbë, dhe nga frika që i kallnin shumica e njerëzve që prisnin në korridor takimin me mjekun, por pa mbajtur kurrfarë maskash anti-kovid, i kërkoi infermieres ta fuste pa radhë për vizitë.

Pasi infermieria mori pëlqimin e mjekut, Halitit iu mundësua takimi jashtë radhe. “Sapo hyra brenda dhe i përshëndeta, e gjykova të arsyeshme t’i vë në tryezën e mjekut dhjetë mijë lekë të vjetra si mirënjohje për nderën që më bëri duke mos më lënë të pres”, më tha Haliti dhe vazhdoi: “Kur prisja një ‘faleminderit’, në mos refuzimin e mjekut për të marrë paratë, mjeku iu drejtua infermieres me ironi dhe nervozizëm: E shikon? Na vendos dhjetë lekësha në tryezë?! Pse, për dhjetë lekësha jemi mangut dhe dalim të punojmë ne?! Pu, pu, puuu…!”

“Mbeta krejtësisht i stepur dhe i zhgënjyer”,  vazhdoi tregimin Haliti. “Fillimisht kujtova se e kishte me shaka, por fytyra dhe gjestet e tij flisnin për të kundërtën. Nuk fola, por i mora paratë dhe i futa në xhepin tim. Infermierja vetëm heshti. Sapo mbaroi vizitën mjeku, u ngrita dhe, duke ikur, ia hodha paratë sërish mbi tryezë”.

Haliti ndaloi së foluri dhe filloi të psherëtinte. Pastaj tha se ia bënte hallall bakshishin, por nuk ia falte kurrë moralisht reagimin atij mjeku. Kur i thashë se ai mjek meritonte një kallëzim penal, Haliti buzëqeshi dhe pastaj m’u përgjigj i inatosur:

“Pse, për ta denoncuar po t’i tregoj unë ty këto? Unë po të tregoj, o miku im, se në çfarë shoqërie jetojmë dhe çfarë morali na rrethon dhe nuk dua që ky fakt të bëhet publik pasi, jo vetëm që bakshishin ia dhashë pa ma kërkuar, por nuk mund të zgjidhet asgjë. Të tillë ka shumë dhe jo vetëm në mjekësi”.

Për ta qetësuar disi, i premtova se nuk do e “denoncoj” dhe e “inkurajova” duke i thënë: “Mos u mërzit sepse Kryeministri Rama na ka premtuar hedhjen në hapësirë të dy satelitëve spiunë vitin tjetër dhe pastaj nuk ua mban më hajdutëve të na poshtërojnë”.

“Dëgjo!”, ma ktheu Haliti i mençur, “i vetmi satelit që mund dhe duhet t’i ndreqë këto probleme duhet të jetë shteti, mirëpo duket se ‘viruset’ virtuale kanë depërtuar thellë në këtë satelit dhe nuk ka gjasa shërimi. Çfarë ‘sateliti’ përdorte ai i para 1990 kur, megjithëse jam vizituar dhjetëra herë, nuk kam shpenzuar dhe as i kam dhënë kujt asnjë kacidhe”?!

Duke i dhënë të drejtë Halitit dhe duke u revoltuar së brendshmi, e kam menduar disa herë rastin e tij, fatkeqësisht jo të vetëm, dhe kam pyetur veten: Po humanizmi, ku është humanizmi ynë, veçanërisht tek mjekët të cilëve iu besojmë shëndetin dhe jetën dhe i paguajmë për këtë punë?!

Haliti as ka kërkuar dhe as ka marrë kurrë lëmoshë apo dhurata nga të tjerët, megjithëse gjëja e parë që duhej t’i shkonte ndërmend një qytetari dhe njeriu human kur ndodhet përballë invalidëve si Haliti, duhej të ishte ofrimi i çfarëdo lloj ndihme apo dhurate dhe jo kërkesa për t’i zhvatur ndonjë “bakshish”. Në pagat që marrin mjekët, të cilët e ushtrojnë profesionin dhe kryejnë punën e tyre në godina të ndërtuara me paratë tona, ndodhen edhe taksat që paguajnë Halitët, të paktën sa herë blejnë mallra në treg.

Duke kujtuar rastin e Halitit, nuk mund të mos na vijnë në mendje vargjet – thirrje të Migjenit: “Të lindet një njeri”! Fatkeqësia jonë është se “antinjeriun” e ndeshim shpesh dhe kudo. E ndeshim tek mjekët, por akoma më shumë tek punonjësit e drejtësisë, shumë prej të cilëve janë shndërruar thjesht në “hajna xhepash” duke e përdorur vendin e punës si qender ankandesh dhe peshoren e drejtësisë si “makinë të lojërave të fatit”.

Antinjeriu të shfaqet edhe në zyrat shtetërore, në kadastra, dogana, polici, tatim-taksa, në lejet për ndërtime kullash të panevojshme dhe në tenderë e koncesione marramendëse, dhe kudo ku bëhet fjalë për fitime materiale e financiare. Shikoni çfarë bën drejtuesi i një kadastre në jug të Shqipërisë duke iu krijuar kushtet banditëve për rrëmbimin e dokumentacionit të pronave, çfarë kanë bërë drejtuesit e zyrave kadastrale në Shkoder, Lezhë, Durrës, Kavajë etj. duke bashkëpunuar me kriminelët e rrugës në tjetërsimin e pronave.

Të gjitha këto akte janë kryer në këmbim të shumave të jashtëzakonshme, duke mos përfillur asnjë normë morale dhe duke mos iu druajtur asnjë pasoje penale. Shikoni pastaj sa “zemërbutë” dhe “dorëlëshuar” janë treguar e tregohen prokurorë e gjykatës në hetimin dhe gjykimin e këtyre “antinjerëzve”.

Fakti që “antinjeriun” e ndeshim kudo dhe kaq shpesh dhe se ky fenomen nuk pëson ndonjë ndryshim të madh pavarësisht faktit kush e drejton pushtetin, tregon pa mëdyshje se e keqja ka depërtuar thellë dhe gjerë në shoqërinë tonë dhe ilaçi i vërtetë nuk është thjesht ndërrimi i pushtetarëve por “të lindet njeriu”.

Avokatët e së keqes dhe borizanët e gënjeshtrave na thonë se shtrirja e këtij fenomeni buron nga varfëria ekonomike e shoqërisë tonë. Po, a mos vallë mjeku, prokurori, gjyqtari, ministri, zyrtari, kryetari i bashkisë e kështu me radhë, marrin ryshfet sepse duan të mbijetojnë apo sepse duan t’i krijojnë vetes dhe familjeve të tyre luks dhe pasuri të pamasë dhe të pamerituar?!

Po biznesmeni që iu shmanget taksave, kryen punime të financuara nga buxheti i shtetit, por pa cilësinë dhe sasinë e duhur, pse e bën këtë? Për të mundësuar mbijetesën e familjes apo për të siguruar udhëtime e pushime luksoze e qejfi nga Dubai në Los Anxhelos?! Po trafikantët e drogës dhe të femrave, në realitet vrasës të trupave dhe shpirtrave njerëzorë, çfarë i shtyn në këto akte kriminale, nevojat për mbijetesë apo dëshirat për jetë luksi pa bërë asnjë punë?!

Ngritja në qiell e kultit të parasë dhe mitizimi i individëve pa përmbajtje morale dhe kurrfarë kontributesh shoqërore, që po bëhet tash tridhjetë vjet me intensitet të frikshëm, nuk mund të sjellë gjë tjetër përveç shtimit të tipit shoqëror të klasifikuar si “antinjeri”.

Antinjeriut nuk kanë ç’t’i bëjnë satelitët, sado modernë dhe dobiprurës qofshin. Kundërhelmi i tij ka qenë dhe mbetet vetëm njeriu, njeriu me formim të plotë dhe me integritet të lartë moral, njeriu që ndjen përgjegjësinë shoqërore dhe jeton me ndjenjën kombëtare, njeriu që udhëhiqet nga humanizmi dhe i kontribuon të mirës shoqërore.

Satelitët nuk mund ta shpëtojnë Halitin, prandaj nevojitet “të lindet njeriu!”

* Haliti është pseudonim pasi personazhi i vërtetë që e ka pësuar nga “antinjeriu” nuk ishte dakord me publikimin e rastit të shëmtuar.

Në trend

Më shumë
Arratiset Enver Sekiraqa, Policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Arratiset Enver Sekiraqa, Policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Drejtësi
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Bosnja
Mbyllet sezoni në Bundesliga: Bayer Leverkusen me rekord, mësohen të gjitha verdiktet

Mbyllet sezoni në Bundesliga: Bayer Leverkusen me rekord, mësohen të gjitha verdiktet

Bundesliga
Kalo në kategori