LAJMI I FUNDIT:

Ruli: Shqipëria konkuron në rajon me produktet bio

Ruli: Shqipëria konkuron në rajon me produktet bio

Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, tha të enjten se Shqipëria mund të bëhet konkurruese në rajon dhe Europë me bujqësinë organike, ose ndryshe me produktet e saj bio.

Ministri Ruli, gjatë konferencës “Bujqësia organike, rrugë eficente për Shqipërinë drejt Integrimit në Bashkimin Europian”, u ka rekomanduar fermerëve që të përqendrohen te produktet bio, të cilat janë shumë të kërkuara nga konsumatori europian.

“Ferma e vogël shqiptare, pavarësisht zhvillimit të tregut të tokës, pavarësisht konsolidimit, pavarësisht nxitjes që do të bëjë qeveria nuk do të kthehet dot ndonjëherë në një fermë të madhe apo shumë të madhe. Ky dominim i një strukture të tillë të një ferme të vogël apo relativisht të vogël do që me shumë zgjuarsi të mendojmë si mund t’i mbijetojë konkurencës, sidomos sot në periudhën e globalizimit. Kjo fermë e vogël për të mos u quajtur si një fermë e destinuar të jetë fermë vetëm për të mbajtur familjen, po një fermë për të konkuruar në treg. Specializimi i saj drejt produkteve bio do të ishte një nga rrugët që do të siguronte jo vetëm mbijetesën por edhe konkurrueshmërinë e fermës së vogël”, tha zoti Ruli.

“Kemi mbi 250 ferma që prodhojnë produkte bio por rreth 100 prej tyre janë shumë aktive në treg. Ka ferma që prodhojnë perime, fruta, vaj ulliri, verë edhe kërpudha, bimë të freskëta. Një pjesë prej tyre transportohen. I suksesshëm ka qënë vaji i ullirit, bimët mjekësore dhe erëzat e freskëta të guzhinës”, tha specialisti i Bujqësisë organike, Enver Isufi.


Sipërfaqja e tokës që përdoret për produktet bio është aktualisht vetëm 1 për qind e totalit të tokave bujqësore, ndërkohë që objektivi i qeversë shqiptare është që ajo të arrijë në 5 për qind deri në vitin 2013, raportoi BW./Telegrafi/