LAJMI I FUNDIT:

Rruga ilegale e kthimit të parasë nga Serbia

Rruga ilegale e kthimit të parasë nga Serbia

Qytetarët kosovarë kanë zgjedhur rrugë ilegale për të marrë kursimet në bankat e Serbisë të grumbulluara gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.

Tash e sa kohë me dhjetëra qytetarë të Kosovës kanë nisur të kërkojnë dhe të realizojnë të drejtën e tyre për të marrë kursimet individuale që kanë ruajtur në bankat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë edhe periudhën 1990-1999. Ata japin 50 për qind të kursimeve të tyre, individëve (ndërmjetësuesve), që në mënyrë ilegale në bashkëpunim me bankat e Serbisë t’i nxjerrin kursimet.

Ndonëse këtë informacion shteti e posedon, nuk është ndërmarrë deri tani asnjë veprim. As në agjendën e bisedimeve Prishtinë-Beograd nuk parashihet si rend dite.

Gazeta Zëri shkruan se si bëhet rruga ilegale për të marrë kursimet në bankat serbe. Shihet si opsion të inkuadrohet edhe kjo çështje në agjendë, disa nga bankat në Serbi, të cilat mbajnë kursimet e shqiptarëve të Kosovës dhe frekuentohen nga ata më shumë janë “Jugobanka”, “Beobanka” dhe “Ljubljanska Banka”.


Rruga e qytetarëve për të marrë paratë e tyre, dëshmohet nga njëri prej ndërmjetësuesve, D. L., shqiptar nga Peja, i cili në kushte të ruajtjes së identitetit të plotë, ka shpalosur për Zërin të gjitha detajet që duhet kaluar gjatë procesit të marrjes së kursimeve të tij.

Ky person, nëpërmjet kontakteve të tij me zyrtarë serbë, ka arritur që tash e sa vjet të nxjerrë kursimet e shumë qytetarëve të Kosovës, të grumbulluara gjatë kohës së ish- Jugosllavisë. Për t’iu kryer punë këtyre qytetarëve, ai merr deri në 30 për qind të mjeteve të personave që ka në proces për t’iu nxjerrë të hollat.

Rreth 50 për qind të kursimeve shkojnë në xhep të ndërmjetësuesve, ndërsa në procedurë për të marrë kursimet e tij është edhe një person tjetër.

Pikënisja është nga Zveçani, ku është një zyre që e mbajnë serbët. Në kushte anonimiteti, personi që punon aty për Zërin ka treguar se janë shumë shqiptarë që paraqiten brenda javës dhe kërkojnë të marrin kursimet. /Telegrafi/