LAJMI I FUNDIT:

Rritet për 714 veta lista e punëtorëve të Ramiz Sadiku

Rritet për 714 veta lista e punëtorëve të Ramiz Sadiku

Trupi gjykues i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas, më 10 qershor 2011 e nxori aktgjykimin për lëndën lidhur me privatizimin e ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku” Prishtinë, i cili është bërë më 27 qershor 2006.

Sipas EULEX-it, 1339 ankues nga radhët e komuniteteve të ndryshme në Kosovë kanë parashtruar ankesë në Dhomën e Posaçme kundër listës së punëtorëve të përpiluar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Një numër i madh ankuesish kërkuan përfshirjen e tyre në listën e punëtorëve me të drejta legjitime dhe pohuan se kishin qenë të diskriminuar nga masat e dhunshme gjatë viteve 1990 ose nga menxahmenti i ri i NSH-së i cili ka punuar pas luftës. Disa ankues kërkuan që t’ju korrigjohet stazhi i tyre i punës dhe të hiqen disa punëtorë prej listës së publikuar nga AKP-ja. Seancat për këtë rast kanë zgjatur 34 ditë gjatë një periudhe tremujore.

Aktgjykimi, e urdhëron AKP-në që të përfshijë në listën e punëtorëve ish-punëtorët të cilët gjykata i ka identifikuar si me të drejtë legjitime për të përfituar nga 20 përqindëshi i të ardhurave nga privatizimi i NSH-së dhe të cilët do të ishin në listën e rrogave në kohën e privatizimit për së paku tri vite, sikur ata të mos kishin qenë të diskriminuar.

“714 ankues kanë pasur sukses dhe i janë shtuar listës së punëtorëve me të drejta legjitime, 34 ankueseve u është zgjatur stazhi i punës nga e cila gjë ata do të përfitojnë një pjesë më të madhe nga të ardhurat. Në përgjithësi, 748 ankesa kanë qenë të suksesshme. Tetë emra janë larguar nga lista pas zbardhjes së rrethanave gjatë seancave gjyqësore. Ndaj aktgjykimit mund të ushtrohet ankesë”, thuhet në njoftimin për media të EULEX-it./Telegrafi/