LAJMI I FUNDIT:

Rrethrrotullimi “çmend” qytetarët

Rrethrrotullimi “çmend” qytetarët

Ndërtimi i rrethrrotullimit në Prishtinë, i cili ka nisur tre vjet më parë, vazhdon t’i torturojë qytetarët. Në dyjavëshin e fundit, kolonat e veturave sërish janë shfaqur në hyrje-daljet e Prishtinës në drejtimin për Fushë Kosovë. Zyrtarët e kompanisë, "Arda-Rei" që po i kryejnë punimet kanë thënë, se moti me shi i ditëve të fundit ka bërë që të zvarriten punimet dhe kështu vjen deri te ngulfatja e trafikut rrugor.

Kryepunëtori i kësaj kompanie, Bedri Gashi, derisa të dielën po punonte në këtë kantier ndërtimi me punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, thotë se aktualisht në punimet e kësaj pjese të rrugës janë të angazhuar rreth 30 punëtorë dhe ata janë në fazën e përgatitjes për asfaltimin e rrugës, që shtrihet nën sipërfaqen e urave që janë për në drejtim të Fushë-Kosovës e Mitrovicës.

Gashi ka thënë se kjo pjesë e punëve është dashur të fillojë të asfaltohet të dielën, por moti i vranët dhe me shi ka bërë që punimet të shtyhen përkohësisht dhe të mbesin për javën tjetër, kur edhe pritet se do të asfaltohet rruga, me ç’ka, sipas tij edhe do të përfundojnë tollovitë dhe pritjet e gjata të udhëtarëve dhe shoferët e veturave, shkruan Kosova Sot.

Zëdhënësi i Ministrisë së Infrastrukturës, Lah Nitaj ka thënë se sipas menaxherëve mbikëqyrës të Ministrisë së Infrastrukturës, punimet në këtë pjesë të qytetit pritet të kryhen brenda sezonit ndërtimor, e kjo i bie që punimet do të zgjasin diku deri në muajin tetor të këtij viti. Nitaj ka thënë se faza e parë e punimeve tashmë është në pjesën finale dhe tash do të fillojë faza e dytë e punëve, kur pritet se do të kryhet ndërtimi i trotuareve, i punëve në ndriçim në izolim dhe krejt në fund në asfaltimin e kësaj pjese të rrugës. /Telegrafi/