LAJMI I FUNDIT:

Rrëshen-Kalimash, asnjë lek shpenzim për tre muaj

Rrëshen-Kalimash, asnjë lek shpenzim për tre muaj

Projekti i rrugës "patriotike" Rrëshen-Kalimash ka tre muaj që nuk ka marrë asnjë financim nga buxheti i shtetit, bëhet e ditur nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave.

Autostrada me katër korsi, që nuk është vënë ende në punë, për shkak të mosfinancimit të tunelit, "hëngri" nga buxheti 33 miliardë lekë në periudhën janar-korrik, me një mesatare prej 4.71 miliardë lekësh në muaj, por shpenzimet, së paku sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, kanë ngecur në muajin gusht.

Ministria nuk jep shpjegime se pse gjatë këtyre tre muajve nuk ka pasur shpenzime shtesë, ndërkohë që kompania sipërmarrëse vijon punimet për përfundimin e tunelit të Thirrës. Sipas buxhetit të rishikuar në shtator, në segmentin Rrëshen-Kalimash, gjatë këtij viti do të shpenzohen gjithsej 40 miliardë lekë, ndërsa vitin e ardhshëm do të shpenzohen edhe 3 miliardë lekë. Deri në muajin tetor, plani i shpenzimeve në këtë segment nuk është realizuar për 3.5 miliardë lekë, gjë shumë e pazakontë kjo për shkak se gjatë të gjithë projektit, punimet kanë tejkaluar planin.

Buxheti i shtetit duket se ka hyrë në vështirësi të konsiderueshme financiare dhe nuk ka arritur të respektojë të gjitha faturat e premtuara. Pak ditë më parë, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë bëri të ditur se në kontratat për ndërtimin e rrugëve kombëtare ka pagesa të vonuara me një shumë të përgjithshme prej 70 milionë eurosh. Rrugët e papaguara janë në segmentet që po ndërtohen me financim të buxhetit të shtetit dhe i përkasin përgjithësisht segmentit Kukës-Morinë. Zyrtarë të qeverisë pranuan publikisht se vonesa të tilla ekzistonin dhe se po punonin për të shlyer detyrimet e prapambetura.


Këshilli i Ministrave vendosi ndalimin e të gjitha prokurimeve publike që nga 3 gushti i këtij viti, ndërsa Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje ministrave të tij të kursenin në fondin për shpenzime operative dhe mirëmbajtje. /shqip/