LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i ushtarit amerikan që dezertoi në Korenë e Veriut

Rrëfimi i ushtarit amerikan që dezertoi në Korenë e Veriut

Ushtari amerikan i cili para më shumë se gjysmë shekulli kishte dezertuar në Korenë e Veriut, dhe që qëndroi atje për afro 40 vite, ka ndërruar jetë në Japoni në moshën 77-vjeçe.

Njëra prej dramave më të pazakonta kishte filluar në vitin 1965, kur Charles Robert Jenkins, asokohe një ushtarak 24-vjeçar nga Karolina e Veriut, ishte zhdukur gjatë një nate derisa po qëndronte në afërsi të zonës së demilitarizuar mes dy Koreve, transmeton Telegrafi.


Në vitin 2004, Jenkins kishte pranuar se kishte ikur për të shmangur shërbimin ushtarak në Korenë e Jugut dhe luftën në Vietnam.

“Ishte koha e Krishtlindjeve, ka qenë ftohtë dhe errësirë. Fillova të pi, kurrë më parë nuk kisha pirë aq shumë alkool”, kishte deklaruar ai.

Ai kishte pirë dhjetë birra dhe u kishte thënë miqve që ishin me të që ta presin. Kështu ishte nisur për në Korenë e Veriut, duke mbajtur në tytën e pushkës një shami të bardhë.

Jenkins kishte pranuar se po planifikonte të shkonte në Rusi dhe të dorëzohet, por kurrë nuk kishte besuar se Pyongyang do ta pranojë.

Derisa kishte qëndruar në Korenë e Veriut i kishte mësuar ushtarët të flasin gjuhën angleze, dhe luante rolin e spiunit amerikan në një film propagandues. Ai ishte takuar atje me Hitomi Sogu, japonezen 20 vite më të re me të cilën u martua. Ajo ishte rrëmbyer nga Koreja e Veriut për të trajnuar spiunët e vendit më të izoluar në botë.

Por, frika për sigurinë e tij dhe të familjes që e krijoi, e detyroi atë që të mos guxoj të refuzoi çfarëdo detyre që i jepej.

“Në Korenë e Veriut nuk guxoni të thoni jo. Nëse thoni çfarëdo fjale të keqe për Kim Il-sun, ia keni hapur vetes varrin”, kishte thënë ai.

Bashkëshortes së tij Sogu i është lejuar të kthehet në Japoni në vitin 2002, kurse Jenkins shkoi me të së bashku me dy vajzat e tyre. Atje ai shkroi librin për përvojat e tij në Korenë e Veriut. /Telegrafi/