LAJMI I FUNDIT:

Rrafshnalta e Golanit dhe Veriu i Mitrovicës

Rrafshnalta e Golanit dhe Veriu i Mitrovicës

Ky shkrim ka karakter komparacioni analitik. Kronologjia e ngjarjeve mes Lindjes së Mesme dhe Kosovës nuk ka relacion të domosdoshëm. Tekefundit, historia dhe ecja nëpër botë janë leksione të politikës, aq më shumë përvojë mbi atë si përfundojnë të mirët dhe si të këqijtë. E tërë kjo është thirrje edhe e Librave të Shenjtë!

Në vitin 64 para erës sonë, Roma pushtoi Shamin. Gjysmë shekulli më vonë, apostujt e profetit Isa depërtuan brenda kufijve të shtetit ilir dhe ia mësynë Evropës. Për pak kohë, duke llogaritur edhe Shamin e pushtuar, e gjithë Perandoria Romake pranoi krishterimin. Në vitin 636, arabët kaluan kufijtë e Romës, ndërsa metropolin sirian, Damaskun, e shpallën për kryeqendër të dinastisë Umajade. Në vitin 750, abasidët, e zhvendosin kryeqendrën në Bagdad dhe për më shumë se 800 vjet Shami mbeti çështje e kontestuar.


Egjiptianët, selxhukët, evropianët, mongolët e abasidët janë vetëm disa nga ata që deri në vitin 1516, atëherë kur osmanlinjtë morën Shamin, të gjithë ata, luftonin për pushtimin e tij. Në vitin 1918 merr fund Perandoria Osmane. Më 1920, në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve, francezët marrin mandatin për demarkacionin e kufijve. Banorët vendës zhvilluan beteja të mëdha kundër politikave evropiane të ndarjes së Shamit, zemra e Lindjes së Mesme.

Meqë kishin forcën, francezët i dhanë një autonomi substanciale pjesës jugperëndimore, e cila, më vonë, gjithashtu me ndihmën franceze, do të shpallet si Republika e pavarur e Libanit. Ndarja nuk mbaroi me kaq. Në ditët që pasuan, nga Shami do të shkëputet edhe Lugina e lumit Jordan, e cila edhe sot e kësaj dite sundohet nga familja mbretërore hashemite. Pjesa e mbetur, më 17 prill të vitit 1946, në Kombet e Bashkuara pranohet si Republika Arabe e Sirisë.

Në vitin 1948, në atë territorin e supozuar të “Sirisë së Madhe”, aty përreth tokave të Palestinës, krijohet shteti i fuqishëm i Izraelit. Të nxitur nga rrymat nacionaliste, rryma të cilat kishin qenë aktive edhe përgjatë dekadave të fundit të Perandorisë Osmane, ani pse më parë të ndihmuar nga disa shtete të Evropës, ato, me gjithë Izraelin, për arabët shpeshherë shihen rrezik i ardhmërisë së tyre.

Duke mos pasur forcë të mjaftueshme që vet të rikthejnë pjesët e pushtuara, mes viteve 1958-1961, sirianët së bashku me Egjiptin krijojnë Republikën e Bashkuar Arabe. Ëndrra e tyre për Libanin, megjithatë nuk u realizua. Përkundrazi, sirianët humben edhe atë imazh që e kishin. Ideja nacionaliste e Naserit, presidentit egjiptian, mik i dikurshëm i Josip Broz Titos dhe njëri ndër tre themeluesit e Paktit të të Painkuadruarve, arriti të bëhet dominante në shtetin e sapoformuar.

Në fund të vitit 1961, Hafëz al Asadi detyrohet të tërhiqet nga federata me Egjiptin, për të tentuar edhe një herë në vitin 1978 me Irakun, por edhe kësaj radhe, Saddam Huseini u tregua më i shkathët se Asadi i Sirisë. E arritura e vetme e sirianëve ishte që Damasku të bëhet kalaja e nacionalizmit arab, edhe atë, pas vdekjes së Saddam Huseinit.

Damasku është kundërshtari më i madh i Izraelit. Izraelitët, për shkaqe ekspansioni dhe sigurie, morën nën kontroll Rripin e Gazës nga Egjipti, Bregun Perëndimor nga Jordania dhe Rrafshnaltën e Golanit nga Siria. Siria humbi edhe një copë toke. Tri luftërat arabo-izraelite (1967, 1973 dhe 1982), ishin tri disfata të njëpasnjëshme të arabëve karshi izraelitëve shumë të fuqishëm. Rrafshnalta e Golanit edhe sot e kësaj dite është nën kontrollin izraelit. Ajo, për Sirinë, është sikur veriu i Mitrovicës për Kosovën, ndërsa për izraelitët, sikur veriu i Kosovës për Serbinë.

Arabët, përfundimisht humbën luftën me Izraelin. Erdhi koha e paqes. Të shkallmuar deri në palcë, me një shkallë korrupsioni e papunësie shumë të lartë, nën presionin e amerikanëve, arabët, edhe pse humbës, detyrohen të ulen për bisedime me Izraelin. Pason Marrëveshja e Kemp-Dejvidit, fill pas saj njohjet reciproke, e në fund edhe bashkëpunimi i ndërsjellë. I vetmi shtet që ende refuzon bisedimet, është Siria, e cila thotë se, përderisa nuk kthehet Rrafshnalta e Golanit, s’ka për çfarë të bisedohet.

Në vitin 2005, nga një bombë e kurdisur, vritet Refik el Hariri, kryeministri properëndimor i Libanit. Ai, sikur edhe Jicak Rabini izraelit, punuan shumë që t’i jepej fund luftërave të përgjakshme arabo-izraelite. Për vrasjen e të parit u përgatit një raport në të cilin Siria akuzohet për vrasje. Kjo e fundit, raportin e sheh si presion që të ulet në bisedime për paqe me armiqtë e tyre.

Çështja e Rrafshnaltës së Golanit dhe “Raporti El-Hariri”, që i është dorëzuar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe i cili më parë kishte kaluar të gjitha komisionet në Këshillin e Evropës, prej vitit 2005 e deri më sot, për sirianët janë dy karta presioni që përdoren kundër tyre.

Sa do të jenë të suksesshme raportet e tilla dhe sa do t’i shërbejnë bashkësisë ndërkombëtare, kësaj radhe, do të shohim edhe prej rastit të Raportit të Dick Martyt te çështja e Kosovës.

(Autori është drejtor i Institutit për Hulumtime Shkencore “Victory”)

Në trend

Më shumë
Qysh nga raundi i parë u vërejt se diçka nuk shkon me Tyson Furyn - tani publikohen pamjet

Qysh nga raundi i parë u vërejt se diçka nuk shkon me Tyson Furyn - tani publikohen pamjet

Boks
Besnik Berisha: Enver Sekiraqa nuk është arratisur

Besnik Berisha: Enver Sekiraqa nuk është arratisur

Lajme
Aeroplani “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Aeroplani “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Botë
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
Ato që dimë deri tani rreth aeroplanit “të rrëzuar” të presidentit të Iranit

Ato që dimë deri tani rreth aeroplanit “të rrëzuar” të presidentit të Iranit

Botë

"Askush nuk donte të fliste me mua te Barcelona, ​​vetëm Eric Abidal” - ylli i ri francez tregon vuajtjet te gjiganti i La Ligas

La Liga
Kalo në kategori