LAJMI I FUNDIT:

Rishikimi dhe monopoli mbi historinë: Të vërtetat gjysmë të vërteta

Rishikimi dhe monopoli mbi historinë: Të vërtetat gjysmë të vërteta
Agron Shala (punim i artistit Rrezeart Galica)

Nëse rishikimi i historisë së popujve perëndimorë, nuk ngjall emocione e as konflikte, pse ndërmarrja e tillë për figurat shqiptare është e dhimbshme e pak edhe e frikshme? Cila është e vërteta? A ekziston kjo, apo te shqiptarët – siç thotë filozofi anglez, Alfred North Whitehead – “të gjitha të vërtetat janë gjysmë të vërteta”? (Ky shkrim është botuar në mediat e shtypura, në gusht të vitit 2008).

Kohë më parë, një manual rus e rishikon pozitivisht rolin e Stalinit në historinë ruse. Diktatori i Bashkimit Sovjetik, i cili qëndron prapa vrasjes së mbi 20 milionë njerëzve, rehabilitohet me pohimet se veprimet e tij ishin të duhura, meqë ai nuk e ka ditur se nga cila anë vinte rreziku. Sipas këtij manuali, ai thjeshtë e ka mbrojtur vendin dhe sistemin.


Interpretimi i tillë vjen pas kërkesave të presidentit rus, Vladimir Putin, që të rivlerësohet vepra e Stalinit. Dhe, ky rivlerësim kërkohet në kohën kur rikthehen sentimentet ruse për ndikimin politik dhe ushtarak në botë, gjë të cilën më së miri e ilustron deklarata e presidentit Medvedev, se “rusët nuk janë popull me të cilin mund të luash”.

Stalini – ndonëse gjeorgjian – e ka shndërruar shtetin rus nga një vend të prapambetur bujqësor, në një vend të zhvilluar industrial. Rusët – që dominonin politikën dhe regjimin e Bashkimit Sovjeti – kulminacionin ushtarak e arritën në kohën e tij. Përderisa më herët asnjë fuqi evropiane nuk i frikësohej ballafaqimit me ta, në kohën e Stalinit gjërat ndryshojnë. Rusia futet në zemrën e Evropës, duke mbjell për 45 vite frikë dhe terror.

Në këtë aspekt mund të analizohet ky rishikim: në kontekstin e rikthimit të “nderit” dhe “krenarisë” ruse dhe ëndrrës për t’u shndërruar sërish në superfuqinë e dytë botërore.

Por, rishikimi i tillë i frikëson edhe rusët. Për historianin rus Alexander Kamensky, manuali i ri për Stalinin, në mos për asgjë tjetër, dëshmon se “historia po bëhet sërish instrument i ideologjisë”.

NJË HISTORIAN, DY VERSIONE TË HISTORISË

Në Shqipëri flitet për rivlerësimin e historisë, në veçanti të periudhës para dhe pas çlirimit nga sundimi otoman. Kjo u theksua edhe gjatë festimit të 80 vjetorit të mbretërisë shqiptare, ku historianë dhe politikanë kërkuan rishikimin e mënyrës se si trajtohet sot figura e mbretit Zog.

27 vitet e aktivitetit politik të Ahmet Zogut – qëkur më 1912 bëhet beu i Matit, e deri te largimi i tij si mbret i shqiptarëve më 1939 – ishin shumë të shkurtra për ta mundur interpretimin 45-vjeçar të historiografisë komuniste. 18 vite pas rënies së komunizmit, pos rihapjes dhe thellimit të hendekut mes zogistëve dhe kundërshtarëve të tij, shqiptarët ende nuk kanë pasqyrë të saktë të jetës dhe të veprës së tij.

Prandaj, rishikimi i mënyrës se si trajtohet figura e tij sot, është i domosdoshëm. Por, jo edhe i lehtë, sidomos nëse nuk dihet se kush do ta bëjë këtë, dhe se a do të ndikojë në këtë rishikim rezoni apo emocioni – interesi.

Koha kur Zogu sundoi ndërlidhet me personalitete tjera të shquara – sidomos nga Kosova – që ishin kundër politikës së tij. Emocionet prozogiste mund t’i sjellin njerëzit në dilema të çuditshme, mbase t’i pozicionojnë disa personalitete – si Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën – në taborin e bashkëpunëtorëve të Serbisë!? Apo mund të ndodhë e kundërta: që jetën e Zogut ta dominojë rikthimi në pushtet me ndihmën e Serbisë ose braktisja e vendit në kohën kur populli i tij pushtohej nga fashistët italian.

Se historia është instrument i politikës, këtë e dëshmon periudha komuniste. Në njërën anë të kufirit (Shqipëri) dominonte ideologjia marksist-leniniste, e në anën tjetër (Kosovë) ajo e vëllazërim-bashkimit, ku modeli i heroit dhe patriotit mbështetej në rrëfimin për Boron dhe Ramizin.

Varësia e historisë nga ideologjia, mund të vërehet lehtë nga historiografia komuniste e Kosovës. Në mediat e viteve ’80, lexuesit kanë pas rastin të lexojnë për Pajazit Boletinin, për personalitetin e tij të ligë, të një kuislingu ordiner. Pas thyerjes së censurës në vitet ’90, dhe pas refuzimit të komunizmit e të regjimit serb, i njëjti person nga i njëjti historian trajtohet tash si një nga patriotët dhe atdhetarët më të mëdhenj shqiptarë të periudhës rreth Luftës së Dytë Botërore!?

Tradhtia e Boletinit dhe e shokëve të tij u pa që është fiktive, e bashkë me këtë edhe miti për Ramizin (Sadikun), i cili – nga ata që detyroheshin të mësojnë për të, apo nga ata që sot për herë të parë dëgjojnë për të – mbase mund të perceptohet edhe si një budalla, apo ndoshta edhe si një homoseksual që nuk mund të jetonte pa Boron!?

HERONJTË E TRANZICIONEVE!?

Në histori gjithmonë janë ca vrima ku lejohet interpretimi tjetër. P.sh. derisa vëllai i tij aventurier – Richard Zemërluani – bënte luftë fetare në Kryqëzatën e III-të, mbreti John e mbrojti shtetin në momentet kur Anglia ishte ende e dobët dhe gjithnjë e rrezikuar nga Franca. Ai i rriste tatimet, por për ta nxjerrë nga burgu vëllanë e tij që mbahej peng nga Habsburgët për shkak të nënçmimit të panevojshëm që ai ia kishte bërë flamurit të kësaj familjeje perandorake në një kullë të Jerusalemit.

Johni ishte nënshkruesi i Magna Carta-s, një prej dokumenteve të para dhe më të rëndësishme të demokracisë moderne. Por, cilësohet si një nga sovranët më mizorë të historisë botërore, sepse në këtë drejtim ka ndikuar letërsia, e më vonë kinematografia që mitizonte hajdutin Robin Hood në modelin e luftëtarit të drejtësisë, e cila drejtësi – prapë sipas letërsisë – kundërvihej nga mbreti John.

Letërsia, qoftë e shkruar apo gojore, ka ndikim sidomos te shqiptarët. Ata – hiq këtu luftërat, pushtimet dhe shtetëformimet – gjatë shekullit XX kaluan nga feudalizmi në një lloj kapitalizmi; pastaj në komunizëm e në fund në tendencën për demokraci dhe integrime veriatlantike. Këto tranzicione, në afate të shkurta kohore kanë ngritur dhe rrëzuar figura të ndryshme, roli i pjesës dërrmuese të të cilëve nuk interpretohet sipas faktografisë dhe rrethanave të caktuara historike, por sipas emocioneve, paragjykimeve dhe modeleve që kanë instaluar heronjtë e ri të tranzicioneve të reja (të cilave u janë nënshtruar edhe historianët e edhe krijuesit).

Në një si paralele me Johnin dhe Richardin, mund të flasim për Hysen Tërpezën dhe Fadil Hoxhën. Te pjesa dërrmuese e popullatës së Kosovës, i pari ishte dhe mbetet model i rezistencës, i lëvizjes për liri dhe çlirim, ndërsa i dyti model i poltronistit të komunizmit jugosllav. Versioni se Hoxha mund të ketë qenë më vigjilent për pafuqinë e shqiptarëve dhe se të drejtat e tyre është munduar t’i realizoj përmes sistemit që është imponuar, nuk është shumë bindës për bashkëluftëtarët dhe ithtarët e dikurshëm e të tashëm të Tërpezës.

Por, a janë këto perceptime aq të sakta?

Përqafimi i Hoxhës dhe Tërpezës, pas çlirimit të Kosovës dhe pak para vdekjes së të dyve, është shembull që rrënon shumë paragjykime. Ata dëshmuan se rivalët politik në fazat e tranzicionit jo gjithmonë janë rivalë të koncepteve patriotike në njërën anë, dhe të koncepteve të tradhtisë në anën tjetër. Ky takim tregoi se të dy e donin të mirën e këtij populli, porse rivaliteti i tyre bazohej në metodat që kishin përzgjedhur për realizimin e kësaj të mire.

ME KË JE TI?

Nëse rishikimi i historisë për Johnin dhe Richardin nuk ngjall emocione, pse ndërmarrja e tillë për figurat shqiptare është e dhimbshme e pak edhe e frikshme?

Historia angleze krijohet nga vetë anglezët. Prej vitit 1066 – herës së fundit kur këmba armike pushton këtë vend – Anglia ka instaluar një traditë shtetërore, një linjë të sundimtarëve që kanë ditur ta ruajnë dhe ta mbrojnë shtetin, e po ashtu të iniciojnë dhe t’u përshtaten ndryshimeve politike dhe shoqërore të kohës. Sundimtarët anglez nuk kërkojnë legjitimitet duke u thirrur në kaluarën, e me këtë as nuk krijojnë konfuzion për personalitetet e dikurshme. Pastaj, historia në Angli shkruhet dhe vlerësohet nga studiues të mirëfilltë, ndërsa populli – që me fjalë nuk e dëshmon patriotizmin e as përkushtimin ndaj të mirës së shtetit – preokupohet me të tashmen e me të ardhmen.

Te shqiptarët gjërat janë ndryshe. Një popull i pushtuar me shekuj të tërë, më së paku e ka shkruar dhe krijuar historinë e tij (sepse nuk ishin të zotët). Derisa Zogu nisi të krijojë një shtet funksional dhe një paanësi e profesionalizëm në projektet për shkrimin e historisë shqiptare (me vlerën e 15 milionë dollarëve të sotshëm, financohen studimet e historianit Milan Sufflay), vjen Lufta e Dytë Botërore, e pas saj komunizmi.

Më 1990 vihet në pikëpyetje versioni i historiografisë komuniste, që ka dominuar për 45 vite e që ka modifikuar jetën dhe rolin e shumë figurave shqiptare të shekullit XX. Por, e vërteta e plotë nuk u zbulua, e kjo vlen edhe për figurat që dolën pas viteve ’90. Prandaj, shqiptarët vazhdojnë të ndahen në enveristë e zogistë, fanatikë të Rugovës e të Thaçit, të Haradinajt e të Zemajt, të Salos e të Nanos…!

Cila është e vërteta? A ekziston kjo, apo te shqiptarët – siç thotë filozofi anglez, Alfred North Whitehead – “të gjitha të vërtetat janë gjysmë të vërteta”?

Kërkimi i të vërtetës në Ballkan, ngjanë me jetën e Qytetarit Kane. Shikuesit e këtij filmi (Citizen Kane) me regji të Orson Wellesit, mund të kuptojnë se si e vërteta kontestohet, sfidohet, madje modelohet nga njerëzit e obsesuar dhe me pushtet.

Ngjarja zhvillohet në fillim të shekullit XX, në kohën kur idealet amerikane për demokraci dhe shtet ligjor sfidohen nga krimi dhe korrupsioni. Njëjtë si sot, kudo ku shqiptarët në Ballkan jetojnë…

MONOPOLI MBI TË VËRTETËN

Për këtë film frymëzimi vjen nga jeta e magnatit medial, William Randolph Hearst, i cili si personazhi Charles Foster Kane ishte i obsesuar pas transmetimit të lajmit – fillimisht sipas parimeve profesionale. Por, më vonë gjithçka devijohet në mani, në shkatërrime e vetmi.

Kur Hearst merr vesh për përmbajtjen, për paralelet që ndërlidhen me jetën e tij, ia ofron 800 mijë dollarë kompanisë RKO për të shkatërruar negativat e incizimit. Pasi nuk ia arrin këtij qëllimi, ua ndalon punëtorëve të gazetave dhe radiove të tij të flasin për të. Ai shkon aq larg, sa që mundohet ta shantazhojë regjisorin Welles, duke u përpjekur që lexuesve t’ua imponojë të vërtetën e tij për të, madje edhe nëse ajo bazohet në inskenime!

Fatkeqësisht, ai arrin ta fusë 25-vjeçarin Welles në listën e zezë të Hollywoodit: asnjë studio në SHBA nuk pranonte të punonte më me të (ai detyrohet për mbijetesë të luajë edhe në filma të propagandës partizane të ish-Jugosllavisë).

Prandaj, Hearst mund të merret si model i pushtetarëve shqiptarë, që historinë e dirigjon sipas bindjeve dhe interesave personale; që masat i lë në konfuzion dhe me frikën për t’u shprehur e kontestuar të vërtetën që i forti ua servon.

Mirëpo, nëse para 67 vjetësh “Citizen Kane” nuk shpallet filmi më i mirë i vitit, sot – sipas të gjitha vlerësimeve të kritikëve – është më i miri i të gjitha kohëve!

Kjo është dëshmi se koha jo vetëm që shëron, por se edhe vranë.

Të pavërtetën, natyrisht.

Dhe mitet që nuk janë mite.