LAJMI I FUNDIT:

Rekuiemi madhështor i Brahmsit

Rekuiemi madhështor i Brahmsit

Nga: Simon Heffer / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Ja një paradoks: disa kompozitorë që admiroj, e nderuan shumë Brahmsin – veçanërisht Hubert Parry i cili atë e konsideronte si bazament të gjuhës së tij muzikore. Megjithatë, kur e dëgjoj Brahmsin, veçanërisht simfonitë, shpeshherë e dëgjoj një gravitacion që sugjeron për diçka të rëndë. Nuk i kontestoj aftësinë e tij teknike; thjesht, e kam të vështirë të vë pika kontakti me të.


Nuk kam vështirësi të tilla me Rekuiemin e tij ose, për ta dhënë këtu titullin e tij të plotë, Ein deutsches Requiem, nach Worten der Heiligen SchriftRekuiem gjerman për fjalët e Shkrimeve të Shenjta. Duke mos qenë as gjerman dhe as fetar, u befasova kur kaq lehtë e pranova; por, reagimi im ishte për një muzikë të pastër. Është arritje e jashtëzakonshme për një burrë në fillim të të 30-ave. U nxit nga vdekja e vitit 1865, e nënës së tij, kur ai ishte vetëm 31 vjeç; megjithatë, studiuesit dyshojnë se një pjesë e motivimit erdhi nga vdekja e mentorit të tij më 1856, Robert Schumann. Schumanni e kishte planifikuar një vepër të quajtur Ein deutsches Requiem, por rënia e shëndetit të tij nga sifilizi, do të thotë se rekuiemi nuk u shkrua: Brahmsi këtë e kuptoi vetëm pasi e kishte përfunduar veprën e vet.

Rekuiemi i Brahmsit është kompozimi i tij më i madh: iu deshën tri vjet për ta shkruar; është me shtatë pjesë dhe kërkon një kor të madh me soprano dhe me solistë të baritonit. Në ekzekutimin tipik, është 75 minuta i gjatë. Vepra pati një lindje të vështirë, me tri premiera të ndara: e para – më 1867 në Vjenë, nën dirigjentin austriak Johann Herbeck – ishte vetëm me tri pjesët e para dhe me një dështim, sepse timpanisti dominoi mbi interpretuesit e tjerë. Gjashtë muaj më vonë, në Bremen, Brahmsi e ekzekutoi me gjashtë pjesë dhe kjo ngjarje shihet si moment transformues në reputacionin e tij si kompozitor. Menjëherë pas kësaj, Brahmsi e kompozoi një pjesë shtesë dhe i gjithë eekuiemi për herë të parë u interpretua në Lajpcig, në shkurt të vitit 1869, nën dirigjentin Carl Reinecke.

Nga ana tjetër, vepra është melodioze, qiellore, madhështore dhe serioze. Nuk është pjesë e rrjedhës kryesore të rekuiemëve evropianë, të shkruar nga kompozitorë katolikë duke e përdorur liturgjinë e Kishës së tyre. Brahmsi, i cili në thelb ishte humanist i rritur në një traditë protestante, vendosi tekste nga Bibla luterane, por ishte i matur që prezantimi i tij të mos ketë asgjë që mund të paraqesë deklarata të thella të doktrinës së krishterë.

Duket se titulli thjesht i referohej gjuhës në të cilën këndohet; por, lehtësisht mund të interpretohet si deklaratë kulturore e synimeve të Brahmsit. Kryesisht është shkruar para bashkimit, ndaj nuk ka gjasa të ketë njolla nacionaliste, pavarësisht përpjekjeve të Bismarckut për ta formuar ndjeshmërinë nacionaliste gjermane.

Ka momente të ndjesive të thella në rekuiem, pjesa e dytë e të cilit duket se dëgjuesin e sjell ballë për ballë me nocionin protestant të vdekjes: Denn alles Fleisch, es ist wie Gras – i gjithë mishi është po si bar. Megjithatë, kompozitori zgjodhi tekstet që janë konceptuar për ta emocionuar audiencën. Vepra fillon dhe mbaron me të njëjtën fjalë: selig ose i bekuar.

Jam nxitur të mendoj për këtë vepër, sepse kori i madh që kam nderin ta kryesoj, Kori i Londrës, atë po e performon në Kishën e Shën Xhejmsit në Pikadili, më 16 nëntor, me solistët Isabelle Peters dhe Harry Thatcher – nën dirigjentin Ronald Corp dhe me Orkestrën e Londrës së Re. E kam një pasqyrë të mirë për përgatitjen masive që kërkohet për të interpretuar një vepër të madhe korale, në mënyrën që e meriton.

Rekuiemi është incizuar shumë herë. Për një dëgjim të duhur, e keni Simon Rattlein me Filharmoninë e Berlinit në performancën e incizuar më 2006 për EMI. Më shumë se 60 vjet më parë, Otto Klemperer po ashtu e incizoi, prapë për EMI, me filarmoni dhe me çiftin e njohur Elisabeth Schwarzkopf dhe Dietrich Fischer-Dieskau.

Megjithatë, për njohje më të mirë, është e vështirë të mposhtet performanca e vitit 1948 me dirigjentin Wilhelm Furtwängler në Stokholm (Warner Classics) – një vit pasi u lirua nga një gjyq denazifikimi – një interpretim që bashkon këtë vepër të zymtë me përvojat e dirigjentit nën nazizëm. Më shumë se një rekuiem, është rilindje. /Telegrafi/