LAJMI I FUNDIT:

Rapsodët dhe vargu që “vret”

Rapsodët dhe vargu që “vret”

Asnjëherë nuk është dokumentuar autori i tekstit të një rapsodie që këndohet e dëgjohet me shumë se një shekull. Është zor të gjendet ndonjë rapsod që mund të dëshmojë se atë që e këndon e ka thurë vet. Rapsodët, thjeshtë, këndonin e vazhdojnë të këndojnë të njëjtën këngë për një ngjarje, një luftë, një duel trimash, një baladë dashurie, pa u lodhur se kush e ka thurë së pari.

Dihet një këngë që iu ka kushtuar pajtimit të gjaqeve nga Anton Çetta, të cilën e këndoi Agim Gashi. Ndërkaq, është për studim dhe vlerësim, pse akoma këndohet aq shumë për vëllavrasjen – gjakmarrjen – dhe në vend që të luftohet kjo fatkeqësi, asaj akoma i thurën e këndohen vargje “heroizmi”!


Kush e fillonte dhe kush e përfundonte një këngë, nuk është kuptuar asnjëherë. Ka fakte të pamohueshme se rapsodët, jo pak herë, në vazhdimësi kanë ndryshuar e plotësuar tekstin. Ndonjëherë duke mos qenë në gjendje të mbajnë mend tekstin e parë, ndonjëherë duke synuar korrigjimin e ndonjë fjale apo vargu, pse jo edhe me qëllim.

Në jo pak raste, duke mos arritur të kuptojnë saktë disa nga fjalët kyçe të vargut nga këngëtari pararendës, rapsodët ia kanë huq. Autori që ka nisë i pari të thurë një këngë, nuk ia ka dalë të dëshmojë autorësinë. Të njëjtën këngë e këndon tjetri, duke e plotësuar me pak a më shumë vargje të reja, shpesh duke e dëmtuar tekstin e vjetër. Rapsodët ndonjëherë kanë ndryshuar edhe përfundimin e ngjarjes, besa edhe me futje ryshfeti. Ka argumente që edhe të fortit e kohës shumë herë ka futur gishtërinjtë edhe në tekste dhe në përmbajtje.

Pa u kthyer shumë pas në kohë shembull janë ruajtur këngët për Ahmet Delinë dhe Azem Bejten në variantin e parë të vjetër që është kënduar edhe para njëqind vjetësh. Dëshmitarët e kohës kanë pohuar se këngën e Ahmet Delisë nga Prekazi, i pari e ka thurë burri i urtë, punëtori, mullisi e rapsodi Dervish Goxhuli nga Makërmali i Drenicës. Sipas dëshmive të kohës, Dervishi njihet edhe si autori i parë besnik i këngës së Azem Bejtë Galicës (varianti i parë). Flitet për arrestimin e Dervish Goxhulit nga xhandarmëria serbe, mu pse këndonte këngët e përmendura. Po ashtu është folur dhe flitet si shpëtoi nga burgu duke thurë një këngë krejt të kundërt me atë që e këndonte në dasma e gëzime. Aty për aty, sa kishte qëndruar në burg, derisa e marrin në pyetje për të hetuar rastin, ai thurë një antipod të variantit të parë.

Këto dy këngë për heronj të njohur, këndohen edhe sot, por po t’i krahasojmë me tekstin e vjetër kanë ndryshuar thuaja në tërësi nga versioni i parë.

Teksti i vjetër i këngës ka nivel shumë më të lartë artistik se variantet e mëvonshme. Çdo përpjekje për ta përmirësuar tekstin e parë, veçse e dëmton. Por, huqet (e mëdha) mund të përmirësohen.

Kënga e Selman Kadrisë e kënduar nga rapsodi Ibish Mulaku, vlerësohet të jetë në nivel më të lartë artistik e melodik nga të tjerët. As në këtë rast nuk mund të flitet me siguri për autorin e këngës, pasi ai mbetet si çdo herë anonim. Edhe dashamiri më i madh i rapsodisë duhet ta di se vite të tëra me radhë, kjo rapsodi është kënduar fshehtazi. Siç dihet, kënga fillon me vargjet: “Rrehi teli o i Shqipnisë”!

Ky është vargu i parë (kuptimplotë) ndërsa shumë rapsodë e thonë krejt gabimisht: “Rrehi teli o i sharkisë”!

Fjalia e dytë mund të përmirësohet nga rapsodët vijues, vetëm pasi ta kenë kuptuar thelbin e fjalës në variantin e parë.

Vlerësohet se rapsodi Ibish Mulaku e ka kënduar këtë këngë me më shumë pasion se të tjerët, por edhe e ka kuptuar çka do të thotë vargu i parë. Teksti që e këndon Ibish Mulaku që në fillim sikur hap perden e ngjarjes tragjike, si një lajm i madh për tërë një popull: “Rrehi teli o i Shqipnisë / me i kënue hatme Selman Kadrisë”…

Edhe më interesant është rasti i këngës së “Shotë Galicës”, të cilën e ka kënduar me vite rapsodi Dervish Shaqa dhe të cilën pak a shumë janë munduar ta këndojnë ashtu edhe rapsodët tjerë, por shumica ia kanë huq që në fillim fjalës kryesore kuptimplote.

Në tekstin origjinal të rapsodit Dervish Shaqa, thuhet: “Pyet Kosova për një çikë / veç muranën me ia ditë”!

Rapsodi (ose rapsodët) vijues që kanë kopjuar tekstin duke dëgjuar këngën, ia kanë huq thelbit të fjalës. Derisa Dervish Shaqa e di kuptimin e fjalës muranë, rapsodi tjetër e thotë dhe këndon krejt gabimisht “moral”: “Pyet Kosova për një çikë / veç moralin me ia ditë”!

Vetëm paramendojeni se çfarë gabimi i madh ndodhë në këtë rast? Murana dhe morali janë dy fjalë me përmbajtje krejt të ndryshme.

Shihet qartë se rapsodi vijues nuk e kupton gabimin, por vazhdon ta këndoj këngën gabimisht me vite. Ndërkaq, masa e gjerë nuk e ka shumë idenë (dëgjuesi, shumë herë nuk kupton fare tekstin e këngës, e të mos flasim për kuptimin e fjalës).

Në kohën e fundit shihet se si disa këngëtarë (rapsodë), kanë mbledhur e mbledhë nga 100 deri 500 këngë dhe i kanë botuar libër në emër të vet, duke i dhënë vetës edhe të drejtën autoriale. Ata madje pohojnë se të gjitha ato këngë janë të tija (që është rrenë e madhe). Dihet mirë se shumë autorë të atyre këngëve janë anonimë. Çdo modifikim të tekstit të këngës që bën njëri rapsod,  këtë nuk e bën për shkaqe estetike apo kuptimore po me qëllim për t’iu shmangur akuzës për plagjiat (kopjim).

Vërehet qartë mungesa e bashkëpunimit jo vetëm mes rapsodëve dhe poetëve të spikatur, por edhe e njohësve të kësaj fushe. Po të kishte një bashkëpunim të sinqertë në këtë lëmi, do të kishim tekste shumë më të bukura dhe më kuptimplote dhe gjithsesi me më pak gabime siç i shohim në rastet konkrete. Ndërsa, asnjë poet i spikatur, nuk do të nguronte të ndihmojë një rapsod të spikatur.

Bashkëpunimi nuk është e metë, por vlerë dhe duhet kuptuar ashtu nga të dyja palët.

Në trend Kultura

Më shumë
NË MUNDSH

NË MUNDSH

Poezi
NË MUNÇ

NË MUNÇ

Poezi
NËSE

NËSE

Poezi
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

Fjala+
TI MË GJETE

TI MË GJETE

Poezi
PO NDIHEM NË TË NJËJTËN MËNYRË

PO NDIHEM NË TË NJËJTËN MËNYRË

Poezi
Kalo në kategori