LAJMI I FUNDIT:

Ramadani: Mohimi i krimeve në Kosovë nga lidershipi i Serbisë, më shumë se një krim i ri

Ramadani: Mohimi i krimeve në Kosovë nga lidershipi i Serbisë, më shumë se një krim i ri

Zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka thënë se udhëheqës shtetëror të  Serbisë po i mohojnë krimet e kryera në Kosovë.

“Mohimi i krimeve është më shumë sesa ekzekutimi i krimeve të reja. Dhe, këtë po e shohim nga lidershipi i Serbisë”, ka thënë Ramadani, përmes një postimi në Facebook.


Më tej ai ka thënë se “Vuçiqi, Daçiqi dhe Gjuriqi po mohojnë krimet anembanë Kosovës, te kryera gjatë viteve 1998-99, të cilat u patën ndalur për shkak të intervenimit humanitar më të suksesshëm në histori, intervenimit të NATO-s”.

Ndryshe,  reagimi i zëvendësministrit Ramadani vjen ndaj deklaratave të  drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se qëllimi i bombardimeve të NATO-s 20 vjet më parë ishte që ‘të mos mbetej asnjë serb në Kosovë’.

Gjuriq ka përmendur edhe Reçakun, e cila ishte një nga masakrat më të mëdha nga forcat serbe në Kosovë, por sipas Gjuriqit, ‘ai nuk ishte krim’…

Marko Gjuriq thotë se qëllimi i NATO-s ishte që ta ‘merrte territorin e Serbisë duke ushtruar agresion në vitin 1999’.

‘Dikush tentoi t’i marr 10,887 kilometra katrorë të Serbisë, duke tentuar të na aneksonte një pjesë të vendit. Jemi dëshmitarë se si muajve të fundit janë hequr kufijtë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe nuk është lëshuar asnjë zë si reagim ndaj këtij veprimi”, ka thënë Gjuriq, në konfernecën ndërkombëtare “Njëzet vjet pas bombardimit të Jugosllavisë- leksion për sigurinë evropiane në shekullin 21”. E cila u mbajt në organizimin e Dialogut Strategjik të Beogradit

Sipas tij, “motiv i dytë i NATO-s ka qenë edhe dobësimi gjeopolitik i Serbisë dhe popullit serb në Ballkan”.

“Si dikush që ka qenë dëshmitar dhe e ka përjetuar se cilat kanë qenë pasojat e marsit 1999, mund të them se nuk kam asnjë dilemë se ky ishte një agresion ndaj një shteti të pavarur dhe që nuk kishte asnjë lloj arsyetimi për një intervenim të tillë”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka thënë se “mekanizmat e OKB-së e përcaktojnë qartë se cilat janë kushtet se si mund të ndërhyhet ndaj një shteti të pavarur”.

“Nëse fillojmë me Reçakun, kemi nga atje analiza që nuk ka pasur krime që mund të kenë çuar në një agresion të tillë. Institucionet legale nuk e kanë konfirmuar kurrë dyshimin se në fshatin Reçak ndodhi diçka e tillë,  apo në ndonjë fshat tjetër të Kosovës”, ka thënë Gjuriq. /Telegrafi/