LAJMI I FUNDIT:

Radha e anglezëve për Llamkos-in

Radha e anglezëve për Llamkos-in

Hallet e fabrikës Llamkos dhe punëtorëve të saj s`po zgjidhen as pas sa vjet protestash dhe problemesh institucionale.

Kompania turke “Mutafqi Dragon Group”, e cila kishte fituar tenderin për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje, si duket nuk do të ketë fatin që ta ketë në duar më këtë fabrikë. Kompanisë turke iu kishte kërkuar dokumentacion shtesë dhe dëshmi për sigurimin e mjeteve, në mënyrë që ta marrë nën menaxhim ndërmarrjen për përpunimin e llamarinës, ”Llamkos”.

Mutafi Dragon Group bashkë me kompaninë turke “Çesna”, edhe raundin e kaluar të privatizimit ishin shpallur fitues të tenderit, por asnjëra nga to nuk kishte mundur ta paguante garancinë bankare prej 500 mijë eurosh. E, anëtarë të Sindikatës së punëtorëve të “Llamkosit”, tani thonë se turqit më nuk do ta kenë në duar këtë fabrikë. Sipas tyre, janë anglezët që tani do të jenë blerësit e fabrikës.

Çështja e pazgjidhur e kësaj fabrike, sipas zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, do të jetë temë diskutimi edhe në mbledhjen e radhës të Bordit të Drejtorëve të kësaj agjencie. Tahir Shaqiri, nga Sindikata e punëtorëve Llamkos, tha për “Express” se neglizhenca e njerëzve në AKP ka bërë që kjo fabrikë të mbetet në këtë pikë ku është tash. Sipas tij, tani janë të gjitha bazat juridike dhe të gjitha kriteret për shitjen e kësaj kompanie.


“Kjo fabrikë ka mbetur e amortizuar krejt për arsye të disa klaneve në AKP, të cilët janë duke punuar vetëm për fitime të veta”, tha Shaqiri.

Vendimin për shitjen e saj, ai thotë se agjencia pritet ta marrë këtë javë në mbledhjen e radhës të Bordit.

Ai tregon se ka informata se kompania turke është larguar dhe tani ofertuesit e tjerë që janë në listë kanë gjasa që ta blejnë këtë fabrikë. “Më së afërmi për ta marrë nën menaxhim këtë fabrikë janë anglezët. Krejt gjasat tani janë tek anglezët, të cilët kanë pranuar në ofertën e tyre vetëm 250 punëtorë”, thotë Shaqiri.

Zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi, tregoi për gazetën se Bordi i Drejtorëve, në mbledhjen e radhës pritet të marrë vendimin për blerësin e kësaj ndërmarrjeje. Bordi në takimin e fundit kishte diskutuar në lidhje me tenderin për fabrikën “Llamkos”.

Ai tha se dokumentacioni shtesë që është kërkuar nga kompania turke është duke u hulumtuar nga komisioni që është caktuar për këtë çështje. “Bordi ka kërkuar nga menaxhmenti që të kryejë hulumtime të mëtutjeshme mbi ligjshmërinë, kualifikimin, qëndrueshmërinë financiare dhe hulumtime të tjera për të marrë vendimin e duhur, gjë e cila është duke u bërë nga ana e menaxhmentit”, ka thënë zëdhënësi Kaloshi. /Telegrafi/