LAJMI I FUNDIT:

Qeveria misionare

Italia dje u bë me qeverinë e 63 të radhës. E zhytur në krizë të thellë jo vetëm financiare, nuk mund ta nxjerr nga hendeku ku po zhytet, kurrfarë ekipi ekspertësh, pa një program politik të qartë. Politikës italiane me barok tashmë i erdhi fundi

Italia dje u bë me qeverinë e 63 që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në përbërjen e saj janë kryesisht profesorë universitetesh dhe personalitete publike me integritet moral e profesional. Ajo mori përsipër një mision tepër të vështirë: të korrigjojë të gjitha lëshimet e qeverive paraprake. Madje të bëjë të pamundurën, që ta shpëtoj nga falimentimi shtetin, si institucioni më i lartë në panteonin e krenarisë moderne politike.


Italia gjatë qeverisjes nga Berluskoni dhe ekipi i tij, ka pësuar sa pothuajse gjatë gjithë periudhës tjetër. Prandaj misioni i qeverisë teknike sot konsiderohet tepër i vështirë, për të mos thënë i pamundur.

Ndërkaq programi i shpërfaqur për rrugët që pretendon të ndjek kryeministri i ri, Mario Monti, me ekipin e ekspertëve, sado mrekullibërës të duket, nuk lë përshtypjen se është realist.

Italinë e zhytur në krizë të thellë jo vetëm financiare, nuk mund ta nxjerr nga hendeku ku po zhytet, kurrfarë ekipi ekspertësh, pa një program politik të qartë.

Personaliteti i njohur në shkallë jo vetëm evropiane, Stefan Hesel, tek shprehet për pozicionet e politikës aktuale evropiane, na kujton gjendjen në të cilën ndodhej Franca dhe Evropa fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Fryma liridashëse që dominote atëbotë, shoqërohej edhe me programe politike premtuese për një ndryshim rrënjësor në konceptin qeverisës. Blloku i Rezistencës antifashiste në Francë në programin e tij parashikonte një plan të kompletuar për një jetë të dinjitetshme të të gjithë brezave. Çfarë ndodhi më pas, dihet.

Ndërkaq se sa larg këtij projekti ishte Berluskoni, këtë më së miri e dëshmojnë qytetarët italian, sidomos shtresat që për çdo ditë po varfërohen dhe bëjnë jetën më të pasigurt që prej mbarimit të Luftës së dytë Botërore.

Ndërkaq lëvizjet e fuqishme shoqërore gjithandej në skenën politike italiane dhe evropiane, paralajmërojnë se brezi i ri nuk do të pranoj disfatën, nënshtrimin ndaj politikave neoliberale, që në esencë nuk dallojnë fort nga ato te fashizmit në prag të Luftës së Dytë Botërore.

Italia u vonua së tepërmi që ta përcjell në histori monstrumin e neoliberalizmit që quhej Berluskon. Dhe kjo nuk u bë vetëm si rezultat i presionit që erdhi nga Brukseli dhe qendrat tjera vendimmarrëse. Për fat të keq, Kosova ka zëvendëskryeministër vëllamin e tij, ndërkaq në lëmin e politikave zhvillimore ekonomike dhe sociale, nuk është larg atyre të Berluskonit. Prandaj këmbanat bien për ata që kanë veshë.

Brukselin me të drejtë e ka kapur paniku meqë Italia, si ekonomia e tretë në kuadër të BE-së, do të mund ta tërhiqte drejt greminës gjithë eurozonën, e bashkë me të edhe projektin për një Evropë politike. Prandaj BE-ja tashmë ka paralajmëruar Evropën e dy shpejtësive, duke sinjalizuar se edhe në politikë vlen teoria e Darvinit.

Politikës italiane me barok tashmë i erdhi fundi. Vendimet e qeverisë së 63 italiane do të jenë historike, për aq sa ato do të krijojnë hapësirë për promovimin e një platforme të re, që do të duhej të merrte në konsideratë shqetësimet e qytetarëve të indinjuar.

Italia ka nevojë për një rilindje politike, që do të ishte produkt i rikthimit të arsyeshëm të politikës në vendin që i takon. Vetëm një veprim i tillë do ta kthente besimin e qytetarëve tek klasa politike. Kjo nuk mund të bëhet pa partneritet me BE, meqë lypse urgjentisht që të vihen nën kontroll tregjet e shfrenuara financiare. Kjo nuk mund të bëhet pa partneritet me BE dhe pa një vizion të qartë politik.