LAJMI I FUNDIT:

Pushtetarët e fshehin pasurinë jashtë shtetit

Pushtetarët e fshehin pasurinë jashtë shtetit

Deklarimi i fundit i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në Agjencinë Kundër Korrupsion të Kosovës, ashtu edhe si herëve paraprake, edhe tani ka treguar se nuk është shumë bindës, por as edhe i besueshëm, ngase ajo çka deklarohet është në shpërputhje të madhe me atë që ata e kanë në realitet.

Por, fshehja e pasurisë nga zyrtarët e lartë publikë tanimë thuajse nuk është diçka e re, pasi kjo është bërë edhe një praktikë e keqe që të mos e deklarojnë në tërësi pasurinë që e posedojnë, madje as gjysmën e saj.


Në këtë drejtim, shtrohet edhe pyetja se a është kjo klasë politike e paturpshme dhe e padinjitet me rastin e deklarimit të pasurisë, pasi kësisoj po e mashtrojnë opinionin e gjerë rreth pasurisë së tyre, kurse Prokuroria e Shtetit nuk po fillon hetimet e pjesës së padeklaruar dhe të dyshimtë të pasurisë së tyre, të cilën besohet se e kanë shpërndarë qoftë në Shqipëri, Zvicër, Dubai, Maltë e gjetiu.

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën, “Kosova Sot” ka thënë se politikanët e shumtë të Kosovës, të involvuar deri në fyt në banda kriminale, duke uzurpuar, vjedhur e plaçkitur, po ashtu duke blerë me dallavere ndërmarrjet shoqërore, apo edhe duke bërë kontrabandë dhe lloj-lloj trafikimesh, janë bërë edhe multimilionerë. Salihaj thotë se pjesa më e madhe e pasurisë së tyre është e padeklaruar.

“Firma të ndryshme, pastaj komplekse banesore, konto bankare e para të gatshme, po ashtu depo me mallra, hotele dhe pompa benzine ata i kanë bartur në emra të vëllezërve e motrave, kunatave e dhëndurëve, pjesëtarëve të bandës e personave të tjerë, brenda e jashtë shtetit. Askush nuk i heton dhe ndjek ata, pasi një Prokurori dhe Polici e futur plotësisht nën kthetrat e tyre, kuptohet se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë”, është shprehur ai.

Ndërkaq, analisti Shefqet Dibrani thotë se edhe nëse për një çast qytetari do t’i harronte të gjitha problemet dhe vështirësitë, nëpër të cilat po kalon Kosova dhe, nëse mirëqenia qytetare do të ishte shembulli më i mirë karshi vendeve në rajon, ky deklarim i papërgjegjshëm dhe pa fije dinjiteti, do të duhej t’i shqetësonte të gjithë qytetarët, të cilët është dashur të kërkojnë llogari penale dhe në të njëjtën kohë edhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme të pushtetarëve.

“Në Kosovë politikanët po del të jenë shtresa më e pasur, ndërsa në fakt pasuria e tyre e vetë- deklaruar nuk është as gjysma e asaj që e kanë në realitet, pasi po e fshehin pasurinë e tyre të dyshimtë dhe të fituar përmes rrugëve kriminale, duke e mashtruar kështu opinionin e gjerë të qytetarëve. Natyrisht se kjo gjendje është shumë shqetësuese, ngase kjo pasuri e tyre aq e madhe nuk mund të krijohet kaq shpejt edhe sikurse secili t’i mbante pesë apo gjashtë vende të punës në të njëjtën kohë, pasi dihet mirëfilli se secili i punësuar ka obligime ndaj shtetit dhe sektorit të tatimeve, pastaj çdo punë prodhon shpenzime, derisa në anën tjetër janë edhe obligimet e tjera familjare dhe kështu me radhë”, tha Dibrani.

Ai ka ngritur edhe dilemën se si është e mundur që një zyrtar kosovar t’i shkollojë dy apo tre fëmijë në vendet perëndimore me të ardhurat që i siguron në Kosovë?, derisa ka thënë se në anën tjetër qytetarët e Kosovës heqin të zitë e ullirit për t’i mbuluar shpenzimet e fëmijëve të tyre gjatë shkollimit, e sidomos atij universitar.

“Pjesë tjetër e fshehjes së pasurisë apo vlerësimit vullnetar që ata ua bëjnë pasurive të tyre këtu do duhej që një komision zyrtar nga Prokuroria e Shtetit, këto deklarime, përkatësisht pasuri të tyre ta vinte në ankand publik për ta parë realisht vlerën e atyre pasurive dhe për të dëshmuar kësisoj se si zyrtaret e Kosovës e vlerësojnë pasurinë private të tyre, dhe se si e keqpërdorin pasurinë shtetërore e publike”, tha ai.

Sipas Dibranit, nëse Prokuroria e Shtetit e ka të pamundur që të hetojë pasurinë marramendëse, të cilin e kanë blerë zyrtarët e Kosovës në Shqipëri, Zvicër, Dubai, Maltë e gjetiu, ajo ka mundësi që t’i rishikojë deklarimet e pasurive të zyrtarëve, të cilët edhe pse kanë pasuri marramendëse kudo, shihet se shënojnë të hyra nga pensionet e prindërve, pastaj nga vëllezërit dhe farefisi i tyre në vendet perëndimore. Dibrani thotë se realiteti është i kundërt, shqetësues dhe i dhimbshëm.

“Në të vërtetë shumica e bashkëkombësve tanë me udhëtimet e tyre drejt Kosovës derdhin me mijëra franga, të cilat hynë në kategorinë e remitancave, kurse secili zyrtar dhe pronar gjigantësh tashmë të deklaruar në Kosovë pasurinë e tyre e lidhin kryesisht me një anëtarë të familjes që i jeton jashtë. E kur të merret vesh se ata vëllezër në Perëndim punojnë punë të rëndomta dhe kanë rroga minimale, investimi kapital në Kosovë, dhe mjetet e gatshme që ua dërgojnë vëllezërve të kamur e qet më në pah tërë demagogjinë e zyrtarëve të Kosovës, të cilët jo pak i kanë lidhur këto vegëza të rrejshme, për të cilat Prokuroria e Shtetit duhet që menjëherë t’i nisë hetimet për të zbardhur mashtrimet që vetë zyrtarët ia bëjnë shtetit të tyre, derisa në anën tjetër ky lloj hetimi do të prodhojë një efekt shumë pozitiv tek shtresa dërrmuese e mërgimtarëve, të cilët përveç ndonjë ndërhyrjeje në gjendjen sociale nuk kanë mundësi të dërgojnë rregullisht para”, është shprehur Dibrani.