LAJMI I FUNDIT:

PTK-së i bie fitimi

PTK-së i bie fitimi

Korporata publike e Postë-Telekomit vitin e kaluar ka shënuar rënie të fitimit në shumë prej 11 milionë euro. Raporti financiar i auditorit të jashtëm për vitin 2010, tregon për një fitim neto të korporatës në shumë prej 33 milionë e 396 mijë eurosh, që është më i ulët sesa i vitit 2009 që peshonte 44 milionë e 377 mijë euro. Sipas kësaj matematike, brenda dy viteve të fundit, fitimi neto gati është përgjysmuar.

Në vitin 2008, sipas raporteve financiare të PTK-së, fitimi neto ishte 60 milionë e 125 mijë euro. Të hyrat e kësaj korporate në vitin e kaluar ishin vetëm për tre milionë euro më të vogla se në vitin 2009. Vitin e kaluar të hyrat kapin vlerën e mbi 153 milionë euro, ndërsa në dhjetor të vitit 2009 ishte 156 milionë euro. Por, sipas raportit financiar ka pasur rritje të shpenzimeve operacionale për 1 milion euro që këtë vit peshojnë 26 milionë euro, si dhe rritje të shpenzimeve të stafit për afro 7 milionë euro, që në total kanë kapur shifrën e 47 milionë eurove. Ndërsa 1 milion euro më shumë janë shpenzuar në zhvlerësim dhe amortizim, shkruan Koha Ditore.

Në këtë raport financiar përshkruhen edhe shpenzimet e korporatës për bonuse të cilat jepen me arsyetimin e përforcimit të suksesshëm afarist. Edhe përkundër rënies së fitimit neto prej 11 milionë eurove, drejtuesit e PTK-së kanë vendosur të shpenzojnë afro gjysmë milion euro më shumë në “bakshishe” sesa në vitin paraprak. Në vitin 2009, ishin shpenzuar 1 milion e 818 mijë euro për shpërblime të punonjësve, ndërsa në vitin 2010 për bonuse ishin shpenzuar 2 milionë e 382 mijë euro. Postë-Telekomi përveç rritjes së shpenzimeve në shpërndarjen e bonuseve ka pasur rritje të numrit të të punësuarve. PTK-ja, në dhjetor të vitit 2009 kishte të punësuar 3 mijë e 205 veta, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar ky numër ishte më i madh për 179 punonjës, duke ngritur numrin e përgjithshëm të tyre në 3 mijë e 384 veta.

Raporti financiar për vitin e kaluar i publikuar në ueb-faqen e PTK-së tregon se janë mbledhur mbi 126 milionë euro nga shërbimet e telefonisë mobile, ndërsa nga linjat fikse janë grumbulluar mbi 18 milionë euro. PTK-ja ka inkasuar 2 milionë e 950 mijë euro nga shërbimet e internetit, 2 milionë e 75 mijë euro nga shërbimet postare si dhe 635 mijë euro nga kabinat e telefonave publikë. /Telegrafi/