LAJMI I FUNDIT:

PTK do të shitet

PTK do të shitet

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, tha se futja e nenit 4 në projektbuxhetin e këtij viti nuk është në kundërshtim me normat ligjore. Ai shfaq bindjen se projektbuxheti, do të marrë pëlqimin e Kuvendit më 31 mars. Pavarësisht kundërshtimit të opozitës, qeveria do të vazhdojë procedimin e privatizimi të PTK-së në Kuvend.

Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, futja e nenit katër në projektbuxhet, nuk është në kundërshtim me normat ligjore, me ligjin mbi ndërmarrjet publike dhe as me Kushtetutën. “Konsiderohet se neni katër, i përfshirë në ligjin e buxhetit dhe sponsorizuar nga Ministria e Financave, i plotëson të gjitha kriteret dhe bazën ligjore për të proceduar me privatizimin e Postës dhe Telekomit. Jam shumë i bindur se kjo do të kalon, sepse është në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe qytetarëve të Kosovës”, theksoi beqar gjatë një interviste për Radio Kosovën.

Ministri Beqaj heq dilemat e rritjes së pagave në sektorin publik, duke thënë se ajo është përfshirë në projektbuxhet, dhe se FMN-ja nuk ka kërcënuar se do të prishë programin “Stand By” për ndihmë buxhetore ndaj Kosovës. “Politikat e zhvillimit të një vendi varen nga institucionet përgjegjëse dhe ato kanë marrë një vendim, i cili pritet të konfirmohet nga Kuvendi. Unë nuk besoj që dikush në Kuvendin e Kosovës është kundër rritjes së pagave dhe një projektbuxheti i cili do të krijonte mirëqenie të qytetarëve”.

Ministri Beqaj konfirmon angazhimin e qeverisë edhe për luftimin e kontrabandës, sidomos në veri të Kosovë. “Unë besoj shumë në bashkëpunimin që Qeveria ka treguar me EULEX-in dhe presim që institucionet që janë për rendin dhe ligjin të ndihmojnë dhe ky mision të bëjë detyrën e vet, në mënyrë që qytetarët dhe ekonomia e Kosovës të mos ndikohet nga veprime të dëmshme për jetën e tyre”, tha Beqaj.


Ministri i Zhvillimit Ekonomik, do të angazhohet edhe për projekte tjera, si termocentrali “Kosova e Re”, hidrocentrali i Zhurit, privatizimi i furnizimit dhe shpërndarjes në KEK si dhe ristrukturimi i kompleksit Trepça. Ndërkaq, sfida sipas tij do të jenë zhvillimi më i madh ekonomik dhe zbutja e papunësisë dhe varfërisë. /Telegrafi/