LAJMI I FUNDIT:

Pse është i paprekshëm Hashim Thaçi?

Pse është i paprekshëm Hashim Thaçi?

Sheshi kryesor I Prishtinës, pikërisht ai sheshi ku dhjetëra mijëra protestues nga mbarë vendi me disa tubime proteste jashtëzakonisht masive, kundërshtuan votimin e z. Thaçi për president të vendit, me 8 prill është planifikuar të jetë vendi ku do të zhvillohet ceremonia solemne e inaugurimit të tij në krye të shtetit. Në këtë ceremoni planifikohet të ftohen qindra mysafirë nga e mbarë bota, për të bindur popullin se pushteti buron nga jashtë. Populli pritet të duartrokas, së paku ata që do të vijnë me autobusë të organizuar. Natyrisht, populli ka të drejtë edhe të mbajë duart në xhepa.

Nuk ndihmoi as loja komike e Policisë e cila duke e zvogëluar shumëfish numrin e protestuesve përpiqej të mbulojë refuzimin plebishitar të qytetarëve për kandidatin e koalicionit për president.


Siç e dimë, protestat u shtypën me dhunë policore, ndërkohë që krejt vendi u fut në panik nga mundësia e ardhjes së militantëve partiakë e klanorë nga vendlindja e tij, në një kundërmiting përkrahjeje I cili duke pasur parasysh rrethanat rrezikonte deri edhe në konfrontime të armatosura mes qytetarëve protestues dhe formacioneve të “vetorganizuara” nga partia e tij.

Mediat e instrumentalizuara frikësonin vendin me deklarata të kurdisura të militantëve, nëpër rrugët e Skenderajt, duke dhënë përshtypjen se nëse pengohet instalimi i z. Thaçi në krye të shtetit, Kosova do të digjej. Pastaj, kur drama arriti kulmin, me gjasë edhe me presionin ndërkombëtar, “qytetarët” e tij vendosën që megjithatë të mos vijnë në Prishtinë për “të festuar”!

Prishtina e cila asnjëherë nuk e pranoi z. Thaçi, duke mbetur kështu një bastion I politikës rugoviane, ishte kërcënuar me modelin kinez të shuarjes së revoltave në Pekin, duke e rrethuar kryeqytetin me militantë nga provincat kineze.

Në fakt, aty po konfrontoheshin dy koncepte, në njërën anë ai i meritokracisë i cili thirrej në gjakun e derdhur për liri, ku të gjitha të drejtat burojnë nga lufta dhe gjaku pavarësisht ofertës apo edhe qeverisjes së deritashme , dhe këta z. Thaçi e shohin si përfaqësues të denjë të kësaj mendësie. Në anën tjetër është ai i qytetarisë kosovare e cila ka qëndrimin se tash vendit i duhet një figurë popullore dhe unifikuese për president, e cila do të frymëzonte për bashkëpunim dhe mirëkuptim qytetarë duke e përfunduar njëherë e përgjithmonë luftën dhe pasojat e sajë dramatike në politikë dhe në shoqëri.

Oligarkia kosovare e përbërë nga njerëz të pasuruar falë pushtetit, është pasoja më e madhe dhe më e dëmshme për vendin e cila i ka shndërruar institucionet në kukulla të cilat lozin teatër para qytetarëve, ndërkohë që vendimet kryesore merren në ndeja joformale dhe për interesa të grupeve e jo qytetarëve. Lufta që po zhvillohej në Parlament në fakt ishte luftë deri më tash e pasuksesshme për të kthyer institucionet e grabitura nga oligarkia nën vullnetin e qytetarëve dhe nuk kishte se si të bëhej ndryshe.

Përshkallëzimi i protestave në rrugë ishte i kuptueshëm pasi votat e deputetëve nuk përfaqësonin vullnetin real të qytetarëve që doli nga zgjedhjet e fundit. Të gjithë e kanë në kujtesë fushatën parazgjedhore të LDK-sl, ku kryeministri aktual, si kryetar i partisë, shumicën e votave i kishte mbledhur pikërisht përmes një fushate të fuqishme dhe shumë agresive të drejtuar pikërisht kundër PDK-së dhe z. Thaci, duke e akuzuar atë për krime monstruoze, për bashkëqeverisje me krimin dhe për dështim të plotë për të përmbushur kërkesat e qytetarëve. Pra, kërkonte votat pikërisht për të ndërruar atë qeverisje të keqe, për të ndërruar kurs vetëm gjashtë muaj më vonë, duke u futur në koalicion me të.

Ideja se mund të marrësh votën me një ofertë politike dhe se këtë votë mund ta përdorësh për të bërë të kundërtën, rezultoi të jetë e papranueshme për qytetarët e vendit dhe me gjasë në radhët e pafundta të protestuesve duhet të ketë pasur edhe shumë votues të LDK-së të cilët e kishin votuar atë pikërisht për të ndërruar këtë qeverisje.

Kjo logjikë dhe arroganca e koalicionit, e bazuar në numrin e ulëseve në Parlament, të cilët pretendonin se kur një “bythë” deputeti e ndërron ulësen në Parlament, edhe në kokat e qytetarëve me automatizëm ndërrojnë qëndrimet apo simpatitë e tyre, solli deri te kriza më e madhe institucionale në këtë vend të dërrmuar nga papërgjegjësia e përfaqësuese të popullit.

Tash jemi përball një ceremonie të inaugurimit të një presidenti të kundërshtuar fuqishëm dhe njerëzit pyeten ku qëndron fuqia e këtij njeriu? Gjykata Kushtetuese e Kosovës refuzoi pretendimet e opozitës për paligjshmëri në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe kjo ishte diçka e pritshme.

Pra, tash jemi në një situatë kur rrugët ligjore janë shterur. Opozita nuk ka ku të ankohet më. Ajo mund të zgjedh: të pajtohet me pafuqinë e saj apo të vazhdojë të rebelohet.

Pra, ku qëndron fuqia e këtij njeriu i cili edhe përkundër faktit se njihen mirë rezervat ndaj personalitetit të tij, në qendrat më të mëdha të politikës botërore disi si me një shkop magjik përsëritet i njëjti skenar nga i cili ai del fitues?

Sa herë rrezikohet pushteti i tij, nga ai apo njerëzit e tij krijohet një krizë nga e cila z. Thaçi del si zgjidhja më e pranueshme për ndërkombëtarët?

Gjatë qeverisjes së tij, sipas asaj çka shkruajnë mediat, për motive korruptive janë instaluar në vend interesa ekonomike të korporatave të fuqishme, sidomos ato turke dhe serbe, të cilat dominojnë tregun kosovar dhe infrastrukturën. Shuma marramendëse për kapacitetet e Kosovës, kontrollohen, qarkullohen pikërisht nga kompanitë të cilat i favorizoi politika e tij, duke u dyshuar gjithnjë nga shoqëria civile si afera korruptive. Po ashtu, kompanitë kryesore publike, që nga paslufta kanë qenë dhe ende janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë jo të institucioneve, por pikërisht të partisë së tij. Pra, z. Thaçi mban peng paranë!

Policia, forcat e armatosura, gjyqësia etj. të gjitha kanë kaluar nëpër një proces të kontrolluar të rekrutimit të kuadrove dhe të krijimit të elitave me orientim të qartë partiak. Krejt këto vlojnë nga aferat korruptive, për të cilat askush nuk është përgjigjur deri më sot.

Ka dyshime serioze se në rrethana të brendshme, krimi edhe strukturat që e “luftojnë” atë janë nën të njëjtin kontroll. Kjo bën që çfarëdo ndryshimi i mundshëm sjell shqetësim te të gjithë elitat. Z. Thaci ka mbetur garancia e vetme për ta.

Kështu, shkuarja eventuale e z. Thaçi nga pushteti, i shqetëson jo vetëm bizneset dhe politiken turke, por edhe monopolet serbe, bizneset formale dhe informale që zhvillohen nëpërmes rrugëve të rrahura gjatë qeverisjes në dy mandate të z. Thaci dhe të cilat tashmë janë fuqizuar aq tepër sa kanë hyrë edhe nëpër kanale formale.

Këtu e ka bazën edhe përkrahja ndërkombëtare për z. Thaci. Te fuqia e tyre për të destabilizuar vendin në çdo kohë dhe për të dështuar proceset, sidomos ato të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe përgjithësisht procesin e integrimeve euroatlantike, në të cilat politika e z. Thaci kërkon të kyçet pa ndryshuar asgjë nga brenda, pak a shumë sipas modelit turk.

Pra, presidenti i ri do të instalohet me 8 prill. Edhe pse pa kompetenca serioze si president i vendit, ai do të drejtojë edhe për një kohë proceset, sepse fuqia e tij buron nga interesa të fuqishme që sundojnë në rajon.

Kjo e bën atë të paprekshëm tani për tani, së paku derisa MSA duke ndërruar strukturën ekonomike e sociale të vendit dhe Gjykata Speciale duke thyer mburojën e krimit, të mos fillojnë të japin rezultatet e tyre. Deri atëherë, kush do të duartrokas presidentin e ri mund të duartrokas, e kush nuk do mund edhe t’i mbaj duart në xhepa.