LAJMI I FUNDIT:

Provokimet moderne turke ndaj historisë shqiptare

Futja e pacipë e hundëve të ministrit turk të arsimit në tekstet tona shkollore të historisë është padyshim sinjal i qartë i kahjes së pretendimeve aktuale politike turke në Ballkan. Duket se në llogaritë turke në realizim të kësaj strategjie shtetet shqiptare figurojnë pa kurrfarë dileme si instrument politik. Argumenti i radhës për këtë është pikërisht kërkesa e ministrit turk. Dukej sikur ai ishte në një vizitë në ndonjë krahinë turke, e jo në një shtet shqiptar të cilin e ka sunduar hiç me pak se pesë shekuj. Se kërkesa e tij është politike mund të argumentohet edhe me faktin se ministri turk nuk ua ka bërë ndonjë kërkesë të tillë edhe homologëve të tij, të themi, austriak për ndonjë interpretim ndryshe, shembull të rrethimit Osman të Vjenës! Natyrisht, interesat turke nuk pretendojnë të shtrihen deri atje. Se pse u gjet pikërisht historia si instrumentalizim për interesa politike, duket se bëhet për ta lehtësuar në të ardhmen çorientimin e busullës shqiptare kundrejt Lindjes dhe Perëndimit. Natyrisht se një interpretim ndryshe i pushtimit Osman këtu për pesë shekuj, do i shërbente edhe më shumë politikës aktuale turke për animin e panatyrshëm dhe të dhunshëm të kësaj busulle në drejtim të Lindjes.

Duke e parë gjendjen ende të pa faktorizuar si duhet të kombit shqiptar në Ballkan, sidomos përpëlitjes e Kosovës për ndihmë në këtë fazë shtetndërtimi, politika turke pa shansin e saj. Derisa ishte Serbia këtu, Turqisë nuk i interesonte se si ne interpretuam në shkollat tona praninë shekullore Osmane. Në rrethana të atilla politika turke nuk shihte shansin e saj. Vetëm tani që u përzu Serbia, sedra turke u prek. Sllogani që nuk thuhet hapur nga ta por disa tellall të tyre mjeran shqiptar është: “ne ju njohëm, tani ju ndryshoni historinë”. Ironike. Andaj jo vetëm që kërkesa në thelbin e saj është fyese, anakronike dhe kundërhistorike, por edhe në formën e saj sesi u paraqit, nuk u duk se përmbante të paktën petkun e mirësjelljes diplomatike, që në raporte normale mes dy shtetesh doemos duhet të ekzistojë. Të dy këta elementë e përbëjnë atë kërkesë të pacipë.


Është normale që mes popujsh të ketë keqkuptime të ndërsjella historike. Ashtu siç është normale që çështje të tilla të hapen për diskutim nëse pretendohet se historia e ndonjërit prej tyre me apo pa qëllim ndërtohet mbi të pavërteta, për më keq duke e shtrembëruar dhe dëmtuar imazhin historik të tjetrit. Pretendime të tilla mund të ngritën kryesisht ndërmjet kombesh të reja, me pak histori, që janë në proces e sipër të ndërtimit të identitetit të tyre. Të paktën me këtë ne shqiptarët, si më të vjetrit në Ballkan s’kemi telashe.

Bilancin e të mirave dhe të këqijave që shpata turke na shkaktoi neve tashmë e kanë bërë historianët. Historia e pushtimit Osman është e ngulitur mirë tashmë në trurin e kombit shqiptar. Në fund të fundit ajo është histori dhe ne s’po e akuzojmë shtetin e sotëm turk e as s’po i kërkojmë dëmshpërblim. Përkundrazi ushqejmë marrëdhënie të mira. Jo vetëm ne, por askush prej popujve tjerë që iu nënshtruan pushtimit Osman s’kanë ndonjë interpretim tjetër. Andaj për çfarë na u prek sedra turke? Nëse ndonjë xhami e ndërtuar nga ndonjë Pasha turk ne trojet tona paraqet diçka fisnike në kulturën dhe historinë e popullin turk, siç u shpreh ministri turk mu në Prizrenin e rilindjes sonë kombëtare, ajo për ne tani është vetëm një objekt fetar, kurse ndërtuesi i saj, Pashai turk vetëm një pushtues. Dhe nëse dikush duhet të “hatrojë” do duhej të ishim pikërisht ne me ato deklarime të pamatura dhe fyese të ministrit turk lidhur me atë xhami në Prizren, sepse pushtimin tonë nga paraardhësit e tij ai na e përkthen si krenari të sotme për ta.

Nuk janë trashëgimtarët e perandorive të mëdha, cilado qoftë ajo, ata që mund të na tregojnë se cilat janë gjurmët që paraardhësit e tyre kanë lënë në kujtesën tonë historike. Nëse historia ka farë morali vetëm të sajin, ta quajmë moral historik, që eventualisht e ruan për tua bartur brezave, pasardhësit e perandorive të mëdha duhet të kenë kujdes sesi sillen me ata popuj që kanë qenë të nënshtruar të paraardhësve të tyre dhe mos ta keqpërdorin një moral të tillë.

Nga ana tjetër sjellja e politikës sonë karshi tendencave turke është e çorientuar dhe duket e zënë ngushtë dhe sikur është me faj. Kjo u vërejt edhe gjatë vizitës së mëparshme të kryeministrit turk dhe gjatë vizitës së këtyre ditëve të ministrit turk të arsimit. Vetëm njëherë të vetme e kam parë kryeministrin tonë në xhami t’i ngritë duart dhe t’i lutet Zotit. Publikisht këtë e bëri vetëm krah për krah me kryeministrit turk (sikur ai djali i pabindur në rrugën e Zotit, e që si me zor i nënshtrohet presionit të babait të tij!). Njëjtë veproi edhe ministri ynë i arsimit. Nuk nguroi të thotë, edhe ky si ndër faj para ministrit turk, se tashmë veç janë krijuar komisionet që do t’i shqyrtojnë tekstet shkollore, ku po na “tangohen”, siç u shpreh, këto gjetje.

Kombi shqiptar e ka të qartë historinë e tij dhe i ruan në kujtesë si ata që në të kaluarën e ndihmuan si ata që e pushtuan. Këto nuk duhet të jenë shkas për luhatjen marrëdhënieve të sotme ndërmjet kombit tonë dhe cilitdo tjetër. Por, nëse dikush kërkon të tallet me këtë, politika jonë duhet t’ua tregojë vendin e jo t’ua shtrijë qafën.