LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve për dallavere me prona në Fushë Kosovë, mbrojtja lirimin e tyre

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve për dallavere me prona në Fushë Kosovë, mbrojtja lirimin e tyre

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokuroria ka kërkuar dënimin e të akuzuarve për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, Arben Bashota dhe vëllezërve Osman dhe Sylejman Bajrami, kurse mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.

Në seancën e së mërkurës, palët në procedurë kanë dorëzuar fjalën e tyre përfundimtare me shkrim, ndërsa e kanë elaboruar të njëjtën gjatë seancës.


Prokurorja Merita Bina-Rugova, në fjalën përfundimtare ka thënë se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare nga gjykimi i kaluar.

Ajo ka shtuar se konsideron që gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor të gjithë kanë pasur rast të binden që kemi të bëjmë me një grup të organizuar kriminal dhe të gjitha karakteristikat e grupeve të tilla.

Prokurorja tha se grupi i të akuzuarve me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri ka edhe shumë tipare të tjera karakteristike për grupet e organizuara kriminale dhe ky grup është formuar para më shumë se 10 vitesh para ngritjes së aktakuzës.

Sipas saj, një gjë të tillë e kanë vërtetuar të dëmtuarit të cilët kanë deklaruar se që nga viti 2004 të akuzuarit kanë filluar të paraqiten në afërsi të objekteve të tyre duke i bërë presion psiqik.

Prokurorja tha se i dëmtuari Murat Tërnava i ka cituar fjalët e tani të ndjerit Ruzhdi Shaqirit, i cili ka thënë “Toka është e Arbenit dhe unë dhe Osmani kemi nga dy hektarë tokë si shpërblim nga Arbeni për me mbrojt pronën e tij”.

Prokurorja Bina-Rugova theksoi se i akuzuari Sylejman Bajrami në deklaratën e dhënë më 23 dhjetor 2015 ka deklaruar se toka është e Arbenit.

Sipas saj, këto fjalë e përshkruajnë strukturën e grupit dhe se shefi i grupit i akuzuari Arben Bashota i ka kryer të gjitha veprimet kyçe dhe i ka drejtuar veprimet e anëtarëve të tjerë të grupit.

E njëjta tha se konsiderojnë që ky fakt gati është i pakontestueshëm sepse të akuzuarit në deklaratat e para, por edhe familjarët e tyre të dëgjuar si dëshmitarë, e kanë përshkuar Bashotën si person që ka marrë vendime dhe i ka të gjitha përgjigjet.

Po ashtu, ka thënë se në rastin konkret kemi të bëjmë me një grup kriminal, i cili me anë të veprave të ndryshme penale ka planifikuar të pasurohet.

Sipas saj, në rastin konkret ka 6 bashkëpronar formal, të cilët fare nuk kanë lidhje me pronën të cilën kinse e kanë blerë, ndërsa në anën tjetër e kemi këtë grup kriminal, të akuzuarit, të cilët në realitet me veprimet e tyre paraqiten si pronarë faktik dhe sipas saj jo vetëm të tokës por edhe të objekteve.

Fakti se si blerës formal nuk paraqitet asnjë nga të akuzuarit, prokurorja tha se është një provë indirekte.

Sipas saj, punët e pista brenda grupit i ka kryer kryesisht Ruzhdi Shaqiri, dora e djathtë e Arbenit, personi i cili në deklarata të viktimave përmendet si më i zhurmshmi dhe më agresivi në frikësimin e tyre dhe në drejtimin e kërcënimeve.

Ky grup i organizuar kriminal ajo thotë se në maj të vitit 2012 me anë dokumenteve të falsifikuara dhe kërcënimeve kundër zyrtarëve të kadastrit, ka arritur që tokën ta regjistrojë në emër të 6 njerëzve të tyre.

Pastaj, këtë dokument me përmbajtje të rrejshme thotë se e kanë përdorur si alibi, për të kryer edhe veprën penale të detyrimit në mënyrë që të përvetësojnë edhe objektet.

Nga atëherë, e njëjta tha se kanë filluar me presione dhe kërcënime të vazhdueshme kundër të dëmtuarave për të cilët me detaje kanë deklaruar të dëmtuarit.

Prokurorja thotë se ata kanë dhënë shumë deklarata dhe vazhdimisht në të gjitha detajet janë mbetur konsistent dhe prej tyre kanë dëgjuar për forma dhe intensitete të ndryshme të frikësimit, të cilat i kanë përdorur të akuzuarit nga drejtimi i kërcënimit me vrasje ose vrasje të anëtarëve të familjes, shkatërrimi i pronës deri tek gjuajtja e bombës ose gjuajtja me armë zjarri.

Sipas saj, formën e njëjtë të frikësimeve të vazhdueshme serioze e përshkruajnë të gjithë të dëmtuarit, duke e përfshirë edhe Agim Humollin.

Andaj, e njëjta ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë për vepra penale për të cilat janë të akuzuar dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, tha se gjykata posedon prova të mjaftueshme dhe është e obliguar t’i anulojë ndryshimet në librat kadastral, të kryera sipas dokumenteve të falsifikuara, aktgjykimit C.nr. 286 /97, të 16 prillit 2007 dhe kontratave mbi shitblerje të patundshmërisë kinse mes tani të ndjerit Marko Mitroviqi dhe 6 personave të afërt me të akuzuarin Arben Bashota dhe grupin e tij.

Ajo ka kërkuar edhe konfiskimin përfundimtar të asteve të cekura në aktakuzë.

Përfaqësuesi i të dëmtuarave, avokati Skender Musa në fjalën përfundimtare ka thënë se mbështet në tërësi fjalën e prokurores.

Musa tha se gjatë këtij procesi gjyqësor është shpall dhe vërtetuar se ka ekzistuar lidhshmëria e përhershme e të akuzuarve në kryerjen e aktiviteteve kriminale, ekzistimi i një strukture hierarkike në pushtet të përgjithshëm për udhëheqjen nga anëtarët ku ka manifestuar disiplinë, përgjegjësi, solidaritet me njëri-tjetrin, ruajtje të jashtëzakonshme të fshehtësisë së veprimeve kriminale, moszbulimi i organizatës si dhe mostradhtia ndaj anëtarëve të organizatës kriminale, duke pasur ndikim të përgjithshëm në politikë, në organet e ndjekjes dhe në drejtësi, në administratë shtetërore, si dhe në sfera tjera të ndikimit në shoqërinë kosovare.

Ai përmendi transkriptimet e përgjimeve të përpjekjes së të akuzuarve që t’i shmangen përgjegjësisë penale, veçanërisht transkripta e 4 majit 2015, ora 10:11, biseda mes Osmanit dhe Sylejmanit që diskutojnë për ndikimet në gjykatë.

Avokati tha se në këtë rast Osmani thotë “Tash po shkojmë në gjykatë, jo nuk kemi ni kurgjo prej që ia kemi dhanë qasaj dhe që duhet me ia nis me ju gjuajt në qafë”, sipas tij e shohim se bëhet fjalë për një gjyqtare.

Po ashtu, tha se të gjitha provat i kanë përmbledhur në fakte, ndërsa sa i përket kërkesës pasurore juridike, i njëjti tha se e kanë parashtruar me shkrim.

Mirëpo, thekson se dëmi i palës së dëmtuar është jashtëzakonisht i madh, për shkak se kompanitë që kanë qenë duke ushtruar veprimtari në ato objekte dhe lokale tashmë kanë falimentuar që nga momenti i marrjes së lokaleve të tyre.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Arben Bashota, avokati Ilir Hoxha në fjalën përfundimtare ka deklaruar se aktgjykimi origjinal i 10 nëntorit 1997, tha se nuk është lëshuar prej gjykate dhe nuk ka asnjë provë që është lëshuar nga gjykata.

Praktikisht, sipas tij nuk ka origjinë, për shkak se nuk mban ndonjë vulë apo nënshkrim që e vërteton një gjë të tillë.

Sipas tij, procesi penal e ka provuar se të akuzuarit janë pronarë faktik në mënyrë jokontestuese të provuar me fakte nortore, ku vërtetimi i pronësisë ka kaluar sipas bazave ligjore të vërtetuara në këtë proces.

Ndërsa, aktakuza thotë se pretendon se të njëjtët kanë pasur qëllime përfitimi kundërligjore, me ç’rast tha se është vërtetuar e kundërta e prokurorisë.

Ai deklaroi se figura e veprës penale nuk është identike me rrethanat faktike që i ka parashtruar prokuroria që e ka demantuar dëshmitari i saj apo pala e dëmtuar vet, përkatësisht kjo aktakuzë është demantuar më së miri nga provat e veta.

Hoxha tha se është vërtetur që paligjshmëria lëndore në këtë rast nuk është në menaxhimin e Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe është pasiviteti apo legjitimiteti i AKP-së është bërë sipas aktgjykimit civil, i cili është vetëtuar se është i mirëqenë duke pasur parasysh provat materiale të siguruara gjatë këtij procesi penal.

“Paqartësi-sui generis” në lidhje me AKP-në e quajti avokati Hoxha, pasi që në dosjet e prokurorisë dhe në aktakuzë nuk përmendet askund AKP-ja.

Ndërsa, thekson se në proces penal e gjejmë të njëjtën si palë të dëmtuar duke shtuar se në procese penale nuk është paraparë instituti i ndërhyrjes në procedurë dhe se nuk e kanë të qartë se si ka ndërhyrë, ndërsa zgjerim apo përmirësim të aktakuzës në kuptim të AKP-së nuk e kanë parë që ka ndodhur.

Sipas tij, dëshmitarët Murat dhe Kujtim Tërnava më së miri e kanë demantuar veten në kontradiktat e tyre të deklaruara pranë kësaj gjykat,e me të gjitha deklarimet e tyre që janë nga faza fillestare që i referohet intervistës të tyre në polici.

Ai thotë se ata fillimisht tërë përgjegjësinë në stacion policor ia kanë bartur Ruzhdi Shaqirit, ndërsa në prokurori personave të tjerë e po ashtu edhe në gjykatë.

Po ashtu, tha se nuk kanë qenë konsistent në asnjë rrethanë të deklarimit tyre, kanë parashtruar fakte të cilat që nuk i kanë mbështetur me prova.

Avokati tha se kanë nxjerrë konluzione përfundimtare dhe konsiderojnë se ky proces penal ka vërtetuar pabesueshmërinë e aktakuzës së prokurorisë dhe pafajësi apo pakundërligjmëri të të mbrojturi të tij rrjedhimisht dhe të akuzuarve të tjerë.

Ai theksoi se këtë e kanë provuar në mënyrë të saktë dhe të drejtë përmes provave të mbledhura si mbrojtje gjatë procedurës provuese të dorëzuara.

Andaj, gjykatës i ka propozuar që pas analizimit të tyre në tërësi dhe procesit penal të lëshojë aktgjykim lirues në kuptim të të akuzuarve si në aktakuzën e prokurorisë, e njëjta të refuzohet si e pabazuar dhe të kthehen të drejtat subjektive të akuzuarve.

Në drejtim të veprës penale krim i organizuar, mbrojtja konsideron se nuk ka rrethana faktike dhe juridike për t’u trajtuar figura ligjore e paracituar në mungesë të elementeve të veprës penale.

Ndërsa, sa i përket raporteve i njëjti tha se është vërtetuar se raportet mes të akuzuarve janë familjare, bashkohen sipas veprimeve apo raporteve juridiko-civile afariste.

Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit Osman Bajrami, avokatja Blerina Kurtaj në fjalën përfundimtare ka deklaruar se me asnjë veprim inkriminues të përshkruar sipas aktakuzës së prokurorisë, kjo e fundit me asnjë provë nuk ka arritur që të vërtetojë se i njëjti mund të ketë kryer veprën penale që i vihet në barrë dhe as që mund të formohet figura ligjore e veprës penale krimi i organizuar lidhur me detyrimin dhe as me ndonjë vepër tjetër penale.

Për çka, e njëjta tha se me arsye ka pritur që përfaqësuesja e kësaj aktakuze lidhur më këtë çështje penale-juridike edhe do të heqë dorë nga aktakuza.

Ajo ka thënë se e kjo aktakuzë të vetmen gjë që e ofron është përshkrim narrativ i ngjarjeve nga deklaratat, shumica prej tyre imagjinare nga ana e të dëmtuarve, të cilët gjatë shqyrtimeve gjyqësore nuk u kanë qëndruar prapa deklarimeve mbi bazën e të cilave është ngritur aktakuza.

Po ashtu, ajo tha se edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor pas administrimit të provave prokuroria nuk ka mundur dhe nuk ka arritur ta vërtetojë gjendjen faktike sikurse në aktakuzë lidhur me të mbrojturin e saj dhe as me të akuzuarit e tjerë.

Andaj, shton se rezulton se në asnjë provë, as personale, as materiale nuk është vërtetuar se i mbrojturi i saj e ka vërtetuar që e ka kryer këtë vepër penale.

Prandaj, e njëjta i ka propozuar gjykatës në rastin e vendosjes së kësaj çështje penale, të mbrojturin e saj ta lirojë nga akuza.

Më pas, e ka dhënë fjalën përfundimtare edhe mbrojtësi i të akuzuari Sylejman Bajrami, avokati Isa Osdautaj.

Osdautaj ka deklaruar se nga deponimi i të akuzuarve e veçanërisht të mbrojturit të tij, prokuroria nuk ka qenë në gjendje që gjatë procedimit ta vërtetojë një fakt të vetëm, kur, kënd, cilën kohë, hapësirë e ka detyruar Sylejman Bajrami.

Ai tha se duke pasur parasysh rrethanën dhe faktet e cekura të cilat janë të përshkruara në këtë fjalë përfundimtare, konsideron se veprimet e të akuzuarit Bajrami nuk qëndrojnë në asnjë nga elementet e natyrës qoftë objektiv apo subjektive të veprës penale krim të organizuar lidhur me veprën penale të detyrimit.

Andaj, i njëjti ka thënë se mbetet pranë propozimit që i mbrojturi i tij të lirohet nga aktakuza për veprat penale për të cilat shpallet i pafajshëm me aktgjykim lirues.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi konsideroi se kjo çështje penale ka përfunduar, andaj shpallja e aktgjykimit për këtë rast është caktuar më 31 maj 2022.

Ndryshe, më 6 maj 2019, tre të akuzuarit ishin shpallur fajtorë, ku për veprën penale të detyrimit, lidhur me veprën penale të bashkimit kriminal, i akuzuari Bashota ishte dënuar me 6 vjet burgim, Osman Bajrami ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Sylejman Bajrami ishte dënuar me 3 vjet burgim.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues i kryesuar atëherë nga gjykatësi Arben Hoti, kishte bërë të ditur së kanë rikualifikuar veprën penale të krimit të organizuar, për çka akuzoheshin të pandehurit nga PSRK-ja, në veprën penale “Detyrimi”, lidhur me veprën penale bashkim kriminal.

Mirëpo, ky aktgjykim është prishur nga Gjykata e Apelit, e cila kishte gjetur se dispozitivi i aktgjykimit është i paqartë dhe kontradiktor me vetveten, pasi që nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese të të akuzuarve, nuk kuptohet me saktësi se për cilat veprime konkrete të akuzuarit janë shpallur fajtorë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 gusht 2016, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, tre të akuzuarit Arben Bashora, Osman dhe Sylejman Bajrami së bashku me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri dhe me disa persona të tjerë të paidentifikuar, duke vepruar si grup kriminal në krye me të akuzuarin Bashota, gjatë periudhës kohore shumë vjeçare kishin kryer krime të rënda me qëllim të përfitimit financiar.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit që nga viti 2004 kishin bërë presione të vazhdueshme në të dëmtuarit Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani, që ta lirojnë pronën kontestuese në sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh e cila gjendet në Fushë-Kosovë, të cilën pronë e kishte marrë në shfrytëzim i dëmtuari Tërnava për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Në këtë pronë, të dëmtuarit kishin ndërtuar objekte në vlerë prej më shumë se 5 milionë euro.

I akuzuari Bashota pretendohet se kishte siguruar aktgjykimin e falsifikuar të Gjykatës Komunale në Prishtinë, i 21 shkurtit 1997, sipas të cilit, kjo ngastër kadastrale i kthehej në pronësi personit Marko Mitroviq, si dhe një tjetër aktgjykim po ashtu të falsifikuar, me të cilin kinse Mitroviq e kishte autorizuar atë që në emër të tij të ndërmarrë veprime juridike.

Pas kësaj, me këto dokumente false, Bashota kishte kërkuar regjistrimin e ndryshimeve pronësore në kadastër duke vënë në lajthim drejtorin për Kadasër dhe Gjeodezi, i cili më 10 mars 2004, kishte marrë aktvendim që kjo ngastër kadastrale të kalojë në emër të personit Mitroviq Marko.

Në aktakuzë thuhet se me përpjekje për të përvetësuar këtë pronë, të akuzuarit kishin siguruar 6 kontrata të falsifikuara, sipas të cilave Marko Mitroviq pronën ia kishte shitur personave Xhavit dhe Shemsije Bashota, Smajl Mehmeti, Xhyle Maraj, Violeta Ahmeti dhe Myzafer Maliqi.

Duke përdorur këto dokumente, të akuzuarit kishin insistuar tek të dëmtuarit që ta lirojnë pronën, duke u paraqitur se toka ishte e tyre dhe që nga viti 2007, kishin filluar të përdornin edhe kërcënime serioze për t’i detyruar të dëmtuarit që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre.

Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ruzhdi Shaqiri, por ai ishte vrarë në gusht të vitit 2014 në Skenderaj, për të cilin rast Gani Geci, më 3 qershor të vitit 2016, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, por Gjykata e Apelit, në tetor të vitit 2017, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, raporton betimiperdrejtesi.

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Lajme
​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

Politikë
Kalo në kategori