LAJMI I FUNDIT:

Profesionistë pa asnjë ditë përvojë

Profesionistë pa asnjë ditë përvojë

Bajrami me shokë të premten do të duhej të ishte në shkollë. Por, si zakonisht ai rrinë në shtëpi. Mësuesit e tij në shkollën ekonomike në qytetin e Podujevës kanë vendosur se kjo është më e mira për nxënësit e kësaj shkolle.

“Ditën e premte e kemi pushim pasi që nuk kemi mësim teorik por praktikë”, shpjegon ai, derisa arsyeton mos shkuarjen në shkollë me mungesën e kushteve për praktikë në lëndët profesionale.


Dita e praktikës e obliguar me ligj, që në këtë shkollë u kërkohet kryesisht atyre që ndjekin mësimet në banka e financa apo kontabilitet, e cila duhet të shfrytëzohej për praktikimin e njohurive që mësojnë nxënësit lidhet me vikendin, shkruan Gazeta Fjala.
Kështu, Bajrami që nga fillimi i vitit shkollorë nuk ka mbajtur asnjë orë praktik. Ai druan se pa këto njohuri nuk do të jetë i gatshëm për tregun e punës, sikur edhe shumë bashkëmoshatar të tij që përfundojnë ekonomikun. Se ata që dalin nga shkollat pa aftësi të mjaftueshme profesionale e thonë edhe njohës të sistemit të arsimit në vend dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Jusuf Thaçi ekspert i arsimit thotë se si sikur shkollat e mesme profesionale ta bënin punën e vet si duhet, nxënësit e diplomuar në shumë profesione nuk do duhej të kishin nevojë për studime universitare për të ushtruar profesionin e tyre.

Në shkolla profesionale në Kosovë i ndjekin mësimet afër 60 për qind të nxënësve.
Por, edhe përkundër që ligji e sheh praktikën e obligueshme në këto shkolla kjo mbetet vetëm në letër.
Bizneset kërkojnë kuadro profesionale

Në mungesë të praktikës bizneset ankohen se nuk po mund të gjejnë kuadro të përgatitura mjaftueshëm.

Arian Zeka kryetar i Odës Ekonomike Amerikane thotë se janë shqetësuese informatat se shumë nga ata që përfundojnë shkollimin e mesëm në institucionet e arsimit profesional vazhdojnë studimet universitare, madje shpesh në drejtime që nuk përkojnë as me kualifikimin që kanë marrë.

“Komunitetit te biznesit duhet t’i mundësohet te japë inputin e tij edhe në përpilimin e planprogrameve por edhe përcaktimin e drejtimeve për kualifikimet për të cilat ata kanë nevojë dhe krejt në fund, ndërtimi i këtyre lidhjeve do të duhej të ofronte mundësi të punës praktike për këta nxënës tek bizneset e sektorit përkatës”, thotë Zeka.

Hulumtimet tregojnë se një numër i konsiderueshëm i nxënësve regjistrohen në shkolla profesionale vetëm atëherë kur nuk ia dalin të regjistrohen në gjimnaz.

Shkollat profesionale shihen si një derë dytësore për kalimin në fakultet. “Fatkeqësisht në shumicën e shteteve Arsimi Profesional konsiderohet si formë “më e ulët” e arsimimit. Kjo mendësi fatkeqe shpërfaqet si vijon: nëse nuk arrini të regjistroheni në gjimnaz ose dështoni për të pranoheni në ndonjë universitet, atëherë e vetmja zgjedhje ju mbetet aftësimi profesional. Me fjalë tjera, sipas kësaj mendësie, AP nuk është, dhe nuk duhet të jetë asnjëherë zgjedhja e parë”, thuhet në një raport të organizatës INDEP.

Për dallim nga vendet tjera të botës, në Kosovë shkollat profesionale shihen si mundësi dytësore që ato ofrojnë një punë pas përfundimit.
Jonuz Salihaj, njohës i çështjeve të arsimit në Kosovë thotë se shkollat profesionale në çdo vend të zhvilluar, janë bartës të zhvillimit të shoqërisë, sepse përgatitin të rinjtë për tregun e punës në të gjitha lëmenjtë e jetës shoqërore.
Ndërkaq për mos funskionimin e tyre në Kosovë ai vlerëson se arsyet janë të shumta si, mungesa e teksteve shkollore, kabineteve dhe laboratorëve, praktikës profesionale, kuadrit joadekuat arsimor e telashe tjera.

Për të gjitha këto fajtor, sipas tij është Ministria e Arsimit.

Ragip Gjoshi nga ky institucion thotë se praktika profesionale sipas viteve të shkollimit, pra në vitin e I-re 30 për qind , II-të 40 për qind dhe të III-të 50 për qind në raport me mësimin teorik. “Praktika profesionale në disa shkolla elitare siç kemi qendrat e kompetencave dhe disa shkolla te tjera prestigjioze praktika mbahet në shkolla dhe punëtoritë e tyre”, thotë Gjoshi , i cili tregon se shkollat tjera kanë lidhur marrëveshje me bizneset dhe e mbajnë praktikën profesionale në ato ndërmarrje.

Sipas tij gjendja pak me e rëndë është në shkollat rurale ku mungojnë bizneset e këtyre profileve.

Megjithatë, realiteti në bazë të hulumtimeve del tjetër. Edhe aty ku ka biznese praktika nuk zbatohet siç e parasheh ligji për shkolla profesionale në nenin një.

Madje edhe përse shumë nga shkollat kanë marrë donacione mbi 10 milion euro nga Komisioni Evropian nuk kanë krijuar hapësirë që nxënësit të mund të zhvillojnë praktikën.

Sipas Drejtorit të Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Popovci, një numër vogël i shkollave kanë kompetencë për ofrimin e praktikës, ndërsa shkollat e tjera kanë mungesë të ofrimit të kushteve për punë. “Në Kosovë ka shkolla profesionale që janë të pajisura në përputhje me standardet më të mira evropiane, siç janë qendrat e kompetencës në Skenderaj, Malishevë, Ferizaj dhe Prizren”, ka thënë Popovci.
Ndërkohë, sipas tij, shumicës së shkollave profesionale në komuna tjera ju mungon infrastruktura e nevojshme për kryerjen e punës praktike, si punëtoritë, por edhe materiali shpenzues. /GazetaFjala/Telegrafi/