LAJMI I FUNDIT:

Prodhimi vendor, mungon përkrahja

Prodhimi vendor, mungon përkrahja

Mallrat e importit vazhdojnë ta vërshojnë tregun e Kosovës, ku prodhimet vendore pothuajse nuk janë të vërejtshme. Prodhuesit vendorë vazhdojnë të jenë të barabartë edhe në tregun kosovar, krahas prodhuesve të huaj. Këta të fundit subvencionohen në mënyra të ndryshme nga shteti për eksport, përderisa prodhuesit kosovarë gati që tri vjet nuk po mund të eksportojnë në Serbi e Bosnjë për shkak se këto të fundit nuk i njohin vulat e Doganës së Kosovës.

Përfaqësuesit e biznesit kosovarë ankohen për mungesë të përkrahjes institucionale për sektorin e prodhimit.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se sektori prodhues në Kosovë nuk ka përkrahje institucionale. Kjo, sipas tij, mund të ilustrohet me faktin se gjithë buxheti i këtij viti është orientuar vetëm kah Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës. “Kjo tregon se buxheti i Kosovës është i varur kryekëput nga importi dhe kjo nuk i shkon për shtati aspak sektorit prodhues”, ka potencuar Gërxhaliu, shkruan Zëri.

Ndërsa Imer Rusinovci, ekspert i bujqësisë, thotë se Kosova ka kapacitete për mbulimin e 70 për qind të kërkesave sa i përket prodhimeve me prejardhje shtazore. “Unë mendoj se 30 deri 40 për qind e kërkesave mbulohen nga prodhimi vendor, ndërkaq, pjesa tjetër e produkteve ushqimore me prejardhje shtazore importohen nga Serbia dhe vendet të tjera”, ka potencuar ai.


Profesor Rusinovci e vlerëson si skandaloze ku për 12 vjet që nga paslufta, Kosova importon mbi 600 milionë euro produkte me prejardhje shtazore, ndonëse pjesa konsiderueshme e tyre ka mundur të prodhohen në vend. Në anën tjetër, në bazë të planit Zhvillimor të Ministrisë së Bujqësisë 2007-2013 janë identifikuar objektivat e përgjithshme për zhvillimin agro-rural në Kosovë.

Të ardhurat nga bujqësia janë diku rreth 10 për qind e të ardhurave të përgjithshme të familjeve rurale. Është vlerësuar që familjet rurale plotësojnë vetëm 70 për qind të nevojave të tyre familjare nga prodhimtaria bujqësore. Të dhënat sugjerojnë që rreth 75 për qind të familjeve rurale shpenzojnë më pak se 300 euro për muaj, duke reflektuar një nivel më të lartë të varfërisë në zonat rurale krahasuar me zonat urbane.

Vetëm në tremujorin e parë 2011, deficiti tregtar i Kosovës arriti vlerën 393.7 milionë euro. Krahasuar me tremujorin e parë 2010, deficiti tregtar shënoi rritje 16.6 për qind.

Produktet ushqimore kanë pjesëmarrje relativisht të lartë. Të ndara në tri kategori kryesore, si: Ushqimet e gatshme (12.2 për qind e gjithsej importeve), perimet (7.1 për qind e gjithsej importeve) dhe produktet e kafshëve (4.4 për qind e gjithsej importeve), importi i produkteve ushqimore shënoi rritje të theksuar, që kryesisht mund ti adresohet lëvizjes së çmimeve globale. /Telegrafi/