LAJMI I FUNDIT:

Privatizimi në Kosovë, i improvizuar

Privatizimi në Kosovë, i improvizuar

Sistemi i brishtë i drejtësisë, mungesa e konsensusit politik dhe etnik në Kosovë, standardet jo të mirëfillta, egoja për bajraktarizëm nga çdo qeverisje, si dhe mosserioziteti i investitorëve të huaj, janë konsideruar nga njohësit e çështjeve ekonomike disa nga faktorët që kanë ndikuar drejtpërdrejt në dështimin e privatizimit të projekteve të mëdha kapitale, si Brezovica, PTK-ja, Termocentrali, “Trepça” dhe sektori i minierave në përgjithësi.

Vetëm nga projekti i privatizimit të Brezovicës, i nënshkruar vitin e kaluar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe investitorit francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpesm”, që e kishte fituar koncesionimin e resorit turistik të Brezovicës, ishin premtuar 4 000 vende pune, të cilat mbetën vetëm premtime.
Profesori universitar i ekonomisë, njëherësh kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se projekti i privatizimit të Brezovicës ka pasur improvizime.


Sipas tij, privatizimi i projekteve të mëdha ka qenë problematik, sepse s’ka pasur kurrfarë studimi të fizibiliteti. “Ky privatizim ka filluar në mënyrë kontroverse, pa një studim të mirëfilltë të fizibilitetit. Në fakt, ky tregim ka filluar më herët që nga qeverisja e kaluar. Mandej Qeveria në vijim e mori ashtu stafetën siç ishte. Në rastin e Brezovicës dhe në të dyja rastet e tjera kemi pasur investitorë joseriozë, pra investitorë të cilët nuk kanë ndonjë referencë, rekorde dhe përvojë që tregojnë se janë në gjendje t’i përfundojnë këto projekte”, ka deklaruar Mustafa.

Edhe profesori universitar i ekonomisë, Naim Gashi, ka thënë se dështimi i proceseve të mëdha kapitale vjen për shkak të mungesës së konsensusit politik dhe etnik në Kosovë. “Të gjitha nuk mund të bëhen pa një konsensus të përbashkët të partive politike shqiptare, për arsye se projektet e mëdha, siç janë Brezovica dhe kapacitetet energjetike, kërkojnë një vazhdimësi të Qeverisë. Një Qeveri nuk mund ta fillojë dhe ta përfundojë një termocentral, sepse periudha kohore është jashtëzakonisht e gjatë, pasi projektet e mëdha zgjasin nga pesë deri në 15 vjet dhe është e pamundur që një Qeveri t’i fillojë dhe t’i përfundojë”, ka thënë ai.

Gashi tha se para se të shkohet në rikonsicionimin e projekteve të mëdha, të gjitha partitë politike në Kosovë duhet të ulen dhe të merren vesh. “Mendimi im është se politikat ekonomike nuk janë ato të cilat po i dekurajojnë investitorët të jashtëm, sepse Kosova nuk ka probleme me politika ekonomike, por ka probleme me politikë dhe problemet politike janë sinjale të cilat u dërgohen investitorëve të jashtëm. Mos të harroj se, pos problemeve politike, problemi i dytë sa i përket dekurajimit të investimeve të jashtme është funksionimi i brishtë i sistemit të drejtësisë, e këtë e thotë dhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian. Vazhdimisht Kosova e ka një sistem të brishtë të drejtësisë”, ka deklaruar ai.

Edhe profesori tjetër universitar i ekonomisë, Berim Ramosaj, ka deklaruar se duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë investitorëve të huaj dhe të krijohet një ambient i mirëfilltë i të bërit biznes në Kosovë. “Qeveria e Kosovës duhet të dalë me hapa konkretë në përmirësimin e mjedisit biznesor në Kosovë, në kuptimin e asaj që investitorët kanë përvojë të madhe në biznes, qoftë nga ndonjë vend i Evropës Perëndimore, apo edhe diku tjetër, prandaj edhe ne duhet të kemi politika zhvillimore”, është shprehur Ramosaj, duke shtuar se duhet të jemi më proaktivë në krijimin e kushteve biznesore. /Epoka e Re/Telegrafi/