LAJMI I FUNDIT:

Pritet të finalizohet pakoja tenderuese e TC “Kosova e Re”

Pritet të finalizohet pakoja tenderuese e TC “Kosova e Re”

Komiteti Drejtues i Projektit të Termocentralit “Kosova e Re” ka mbajtur takimin e radhës në të cilin janë diskutuar mundësitë për të përshpejtuar finalizimin e përgatitjeve për pakon tenderuese për këtë projekt të rëndësishëm.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, ka kërkuar nga këshilltarët e Transaksionit të jenë të vëmendshëm ndaj obligimeve që ka Kosova në rrugën e integrimit evropian, e të cilat lidhen me obligimet për zbatimin e standardeve të BE-së për energjinë, mjedisin dhe konkurrencën.

“Këshilltarët e transaksionit duhet të kenë parasysh kërkesat e Programit të Qeverisë dhe Strategjisë së Energjisë 2009-2018, të dyja këto dokumente të rëndësishme të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, tha Pula.

Ministrja dhe anëtarët e Komitetit Drejtues theksuan synimin e tyre për të finalizuar draftin e Kërkesës për Propozime deri në fund të muajit korrik 2010, i cili do t’i paraqitet më pas Qeverisë për miratim dhe do t’i dërgohet në fillim të muajit gusht katër konsorciumeve në garë për projektin “Kosova e Re”.


Po ashtu Komiteti ka diskutuar për vlerësimin e TC “Kosova B” që është futur në pakon tenderuese të TC “Kosova e Re”, vlerësimin e aseteve të mihjes së re të Sibovcit dhe pjesëmarrjen sa më të madhe të Kosovës në partneritetin publik privat për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj mihjeje si dhe çështje të tjera.

Ndryshe projekti “Kosova e Re”, ka pësuar ndryshime disa herë që nga viti 2006. /Telegrafi/