LAJMI I FUNDIT:

Pritet rritje ekonomike mbi 6 %

Pritet rritje ekonomike mbi 6 %

Oda Ekonomik e Kosovës (OEK) është një nga akterët kryesorë në disajnimin e politikave ekonomike, ngase OEK është zëri i komunitetit të biznesit, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjatë takimit me kryetarin e OEK-ut, Safet Gërxhaliu dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Ministri Beqaj tha se Qeveria e Kosovës ka për synim krijimin e një ambienti të favorshëm ekonomik në mënyrë që sektorit privat t’i jepet hapësirë zhvillimi që do te mundëson tërheqjen graduale te investimeve publike dhe që sektori privat të bëhet bartës i zhvillimit ekonomik.

Ministri Beqaj ka ritheksuar se Qeveria është e përkushtuar të vazhdojë me privatizimin e aseteve publike sa më shpejtë, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për qytetarët.

Kreu i MZHE-së ka vënë në dukje se për këtë vit është projektuar një ngritje ekonomike prej 6.1 për qind, e cila do të jetë e realizueshme me rritjen e performancës së Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave, si dhe me krijimin e lehtësirave procedurale për të bërë biznes, duke premtuar se të gjitha premtimet e Qeverisë do të realizohen.


Kurse, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu ka falënderuar ministrin Beqaj për gatishmërinë e tij për një bashkëpunim të ngushtë me OEK-un në krijimin e politikave ekonomike, duke theksuar se është mjaft optimist fakti që në krye të resorëve ekonomik janë emëruar persona kompetentë që vijnë nga bota e biznesit.

Ndryshe, Ministri Beqaj gjatë takimit ka zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësues të komunitetit të biznesit të cilës janë interesuar për politikat e MZHE-së sa i përket stimulimit të produkteve vendore, preferencat tregtare me BE-në dhe sfidat tjera me të cilat ballafaqohet biznesi vendor. /Telegrafi/