LAJMI I FUNDIT:

Prioritet luftimi dhe parandalimi i ekonomisë joformale

Prioritet luftimi dhe parandalimi i ekonomisë joformale

Në Ministrinë e Financave, të martën u mbajt takimi i 11-të i grupit punues të përhershëm qeveritar për parandalimin e ekonomisë joformale , ku morën pjesë ministri i Financave - Bedri Hamza, ministri i Punëve të Brendshme - Bajram Rexhepi, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale - Nenad Rashiq, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës - Gani Gërguri, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës - Reshat Maliqi, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës - Naim Huruglica, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, në emër të Prokurorisë së Shtetit - ishte Prokurori i Qarkut në Prishtinës, Lulzim Sylejmani , si dhe përfaqësues tjerë të institucioneve të Kosovës.

Në hapje të këtij takimi ministri Bedi Hamza, si kryesues i këtij grupi, tha se luftimi i kësaj dukurie është prioritet jo vetëm qeveritar por edhe për shoqërinë kosovare në përgjithësi. “Luftimi dhe parandalimi i ekonomisë jo formale në Kosovë, përkatësisht futja e saj në kanalet e rregullta formale është një ndër prioritetet e Qeverisë dhe sfidë e paraqitur në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Andaj, Programi Qeveritar dhe Plani i Veprimit për Parandalimin e Ekonomisë Joformale në Kosovë për vitet 2010 – 2012, është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 29 shtator, 2010. Programi Qeveritar dhe Plani i Veprimit për Parandalimin e Ekonomisë Joformale në Kosovë janë fryt i një pune të përbashkët”, tha ministri Hamza.

Sipas tij, për të punuar në drejtim të parandalimit të ekonomisë joformale është krijuar bazë ligjore, përveç bazës ligjore, janë nënshkruar marrëveshje të ndryshme, si dhe janë krijuar njësi mbështetëse për parandalimin e ekonomisë joformale”. /Telegrafi/