LAJMI I FUNDIT:

Prej Presheve deri në Prevezë

Prej Presheve deri në Prevezë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, është një aktor i përkryer. Mikut, por edhe armikut duhet dhënë haku. Duhet njohur meritat apo duhet dërguar llogarinë. As ky i yni, presidenti i Kosovës, nuk është se nuk ja thotë fare aktrimit. Luajnë në një shfaqje të përbashkët – atë të ndryshimit të kufijve, me çdo kusht.

Presidenti Vuçiq thotë se “Kosova nuk është dhe nuk mund të jetë shtet, dhe se kosovarët synojnë bashkim me Shqipërinë dhe se duan të sjellin kufirin e Shqipërisë në… Jarinje”. Ndërsa, presidenti ynë natyrisht se nuk pajtohet me këtë. Ai kësaj radhe nuk merret fare me kufijtë. Nuk përmend as korrigjim, as ndryshim, as demarkacion madje. Nuk do të ketë kufij fare. Nuk do të ketë kufij prej Presheve deri në Prevezë Ai thotë se duhet shpallur bashkimi i Kosovës, Shqipërisë dhe Luginës. Nuk deshët korrigjim të kufijve? Do ta keni Shqipërinë të madhe, apo quajeni si të doni. Kush tjetër e bënë bashkimin kombëtar? Me kë?


Sido që të jetë, presidenti Vuçiq e nisi ushtrinë drejt kufijve ekzistues të Kosovës, ndërkohë që presidenti Thaçi thërret kuvendet e dy shteteve të shpallin bashkimin. Kuvendet e Kosovës dhe të Shqipërisë, më saktë, për të mos patur keqkuptim. Kur vihen në pyetje kufijtë shtetëror, lëvizja e armatës është legale, dhe pasi nuk e besoi askush për planet e kosovarëve për “pastrim etnik” të veriut të Kosovës, presidentit serb i duhej edhe një pretekst rezervë. A di kush se çfarë po ndodhë? Edhe pse gjithçka ishte e paralajmëruar dhe lëvizjet në shahun ballkanik po tërhiqen me gjakftohtësi shqetësuese, askush nuk e thotë drejtpërdrejtë se për çfarë bëhet fjalë. Ndërtohen vetëm skema dhe pretekste.

Sidoqoftë, kur jemi te aktrimi dhe rolet, presidenti ynë para qytetarëve të vet nuk e luan dot rolin e unifikuesit, ashtu si e obligon Kushtetuta. Është i njohur gjerësisht si përçarës. Në ndonjë jetë të kaluar do të ketë qenë romak. “Divide et Impera”. Ndoshta e ka thënë ai i pari, thënien e famshme, dhe autorësia do të ketë humbur nëpër shekuj dhe hapësirat e pamasë të Perandorisë Romake. Pasi asokohe nuk kishte statuse në rrjetet sociale, ky thjesht duhet ta ketë llafosur me miqtë e vet, këshilltarët, dhe ata pastaj e kanë përhapur thënien gjerësisht në gjithë perandorinë. Kështu u harrua gjithsesi autori. Këshilltarët atë punë kanë, të duken ata të mençurit, edhe pse kanë ndërruar rolet dhe sot një politikan i mençur i këshillon këshilltarët e vet se çfarë të flasin te Batoni, Berati apo ndonjë debatues tjetër emri i të cilit fillon me B. Për shembull, Adriatiku. Nejse…

Pra, sundo me çdo kusht, qoftë sundim real, qoftë medial, duke frikësuar apo joshur në momentet vendimtare këdo që nuk është për atë punë. Ky është modeli. Kur dështon, e shpall suksesin. U munduam, por nuk na përkrahën. Do të kishit ftuar ju Isain në një mision të përbashkët të (pa)mundur, për bashkim kombëtar?

E fton pra, Isain, të ngritur nga shtrati sikur Gjergj Elez Alia, me aq plagë në trup për kauzën e bashkimit kombëtar, ndërsa Albinin vital dhe të gatshëm për gjithçka vetëm për të bërë një Shqipërinë, nuk e fton. Albini, në fakt, është identifikuar së tepërmi me këtë mision, madje edhe partinë e ka zgjeruar në vendet fqinje. Por, presidenti angazhohet për atë që nuk bëhet. Edhe nëse e bëjnë të tjerët bashkimin, ai do të insistonte që së paku ta shpall atë, duke e lexuar deklaratën e bashkimit nga ndonjë ballkon identik me atë në Vlorë. Por, kjo është punë që nuk bëhet me Albinin. Ku Albini e ku Sejdiu?! Nuk e lë Albini të lexoj tjetërkush letrën e bashkimit….

Nejse, të kthehemi në fillim. Presidenti Vuçiq luan më së miri rolin e viktimës. KFOR-it në Kosovë i është lutur që të ndërhyjë gjoja për të mbrojtur qytetarët serb nga spastrimi etnik i planifikuar, pikërisht nga njësitë speciale të Kosovës, por KFOR-i kishte deklaruar se nuk përfshihet dot në operacione policore. Nuk e pengon drejtësinë. Prandaj, nga rreziku i “gjenocidit” mbi serbët dhe mbërritjes së Shqipërisë në Jarinjë, ishte e domosdoshme ngritja e gatishmërisë luftarake në shkallën më të lartë, duke ngritur kështu në shkallën më të lartë edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe duke detyruar edhe vendet përreth të marrin masa të shtuara të kujdesit.

Pastaj gjithçka u qetësua dhe përshkallëzoi në protesta të paralajmëruara të qytetarëve serbë në Mitrovicë. Presidenti serb i kishte të gjitha pretekstet e dëshiruara për të hyrë në Kosovë dhe për të bërë realitet planin për shkëmbim territoresh. Por, duket se nuk e mori sinjalin. Nuk mjaftoi as thirrja e presidentit të Kosovës për bashkim, as ndërhyrja e njësive speciale në veri “kundër popullit duarthatë serb”. Diçka dështoi me planin prej “Presheve deri në Prevezë”, i cili do të pasohej menjëherë me planin e Serbisë deri në Klladushë. As “Zyrtari” rus i UNMIK-ut nuk ishte pretekst i mjaftueshëm që Rusia, nga Nishi të lëvizte drejt kufirit të Kosovës për të mbrojtur qytetarët e vet. Jo, jo! Nuk është ashtu si po duket..!