LAJMI I FUNDIT:

Politizimi i bordit të AKP-së

Politizimi i bordit të AKP-së

Përfaqësues të sindikatave të punëtorëve kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse përshpejtimin e shpërndarjes së 20-përqindëshit. Sipas një rregulloreje të administratës ndërkombëtare, 20 për qind nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve u takon punëtorëve.

Hasan Abazi, nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), thotë se shumë ndërmarrje tashmë janë privatizuar, porse obligimet ndaj punëtorëve nuk kanë përfunduar. Ai thotë se mungesa e seriozitetit të autoriteteve përgjegjëse ka bërë që ky proces të zvarritet. “Megjithatë, tani e kemi një dinamikë pak më të shtuar të dhënies së 20-përqindëshit, por ne nuk jemi të kënaqur në këtë drejtim, për arsye se shumë punëtorë kanë mbetur të papunë, bredhin rrugëve dhe presin që një ditë ta marrin këtë shumë“, thotë Abazi.

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës (KSLK), thotë se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nuk i ka përmbushur obligimet që ka pasur në raport me punëtorët e ndërmarrjeve të shitura. Madje, ai akuzon bordin e drejtorëve të AKP-së, duke thënë se ky bord është i politizuar dhe nuk mbron interesat e punëtorëve.

“Bordi është organi përgjegjës. Anëtarët e bordit, që kanë shkuar në mbrojtje të interesave të punëtorëve, absolutisht nuk janë në krye të kësaj detyre. Ata mbrojnë interesat e tyre personale, partiake dhe shtetërore, e më se paku ato të punëtorëve”, thotë Dragusha.


Zyrtarë të AKP-së thonë se bordi i drejtorëve është jopolitik. Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, deklaron se bordi nuk ndikon në zvarritjen e shpërndarjes së 20-përqindëshit. “Përkundrazi, ky bord, vitin e kaluar, ka miratuar strategjinë për përshpejtimin e ndarjes së 20-përqindëshit”, ka thënë Kaloshi.

Që nga fillimi i procesit të privatizimit janë shpërndarë 34 milionë euro për punëtorët. Ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) ka shpërndarë rreth 14 milionë euro, kurse AKP-ja për dy vjet ka arritur ta dyfishojë këtë shumë dhe të shpërndajë rreth 20 milionë euro.

Vetëm vitin e kaluar kjo agjenci ka shpërndarë 7.8 milionë euro për 36 ndërmarrje të privatizuara. "AKP-ja nuk ka mundësi t’i shpërndajë fondet e 20-përqindëshit për çdo listë para vendimit përfundimtar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. “Në total, 72 lista që mbulojnë 11000 punëtorë me të drejtë në 28.5 milionë euro, janë përfunduar nga agjencia. Megjithatë, vetëm katër raste janë miratuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme. Si pasojë, AKP-ja nuk mund t’i paguajë këto ankesa”, ka thënë Kaloshi.

Mbi 90 milionë euro është fondi i 20-përqindëshit, që është grumbulluar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë. /rel/ /Telegrafi/