LAJMI I FUNDIT:

Politikat e reja tatimore kanë stimuluar bizneset

Politikat e reja tatimore kanë stimuluar bizneset

Profesori ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri ka thënë se politikat e reja tatimore që pagesa mbi 500 eurosh të paguhen nëpër banka kontribuon në zhvillimin e bizneseve dhe të ekonomisë së Kosovës

Politikat tatimore të filluara në fillim të këtij viti, për pagesat që bëhen në vlerë me mbi 500 euro nëpër banka, kanë ndihmuar bizneset dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Profesori ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri ka thënë, se politikat e reja tatimore që kanë filluar të zbatohen në fillim të këtij viti që mbi shumën prej 500 eurosh të paguhen nëpër bankat është një gjë pozitive që kontribuon në zhvillimin e bizneseve dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi, që bënë që të ketë qarkullim bankar dhe jo me para në dorë apo kesh. “Pagesat që do të bëhen në banka krijojnë mundësi të mira të qarkullim të parasë dhe kjo jep më shumë mundësi që paraja të mos mbetet në xhepat e qytetareve, qarkullimi nëpër banka është një mundësi që të ketë më shumë qarkullim”, ka theksuar ai. Sipas tij ka edhe të meta sa i përket këtij vendimi për transaksionet në shumë me mbi 500 euro, por nuk mund të thuhet se është më shumë negative , pasi që nuk e dëmton biznesin. “Këtu paguan drejtpërdrejt klienti dhe nëse një euro qarkullon brenda ditës tri herë, atëherë përfiton ekonomia e Kosovës dhe ka më shumë kontroll në qarkullim të biznesit në Kosovë”, ka theksuar ai.
Kurse menaxheri për Edukim të Tatimpaguesve, në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Ruzhdi Zenelaj ka thënë se që nga data 16 Shkurt 2009 është në fuqi Ligji 03/L-071 i cili ka ndryshuar dhe plotësuar Ligjin 2004/48 mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat.
“Me nxjerrjen e këtij Ligji është kërkuar që çdo transaksion në shumë më të lartë se 500 euro i bërë në mes të personave të tatueshëm duhet të bëhet përmes Llogarisë Bankare, megjithatë ligji ka paraparë që për mënyrën e zbatimit të këtij rregulli nga Ministri i MEF-it do të nxirret Udhëzim Administrativ”, ka theksuar ai. Sipas tij Udhëzimi Administrativ që rregullon këtë çështje si dhe shumë çështje të tjera , është draftuar dhe është dërguar tek Ministri për Nënshkrim. Nënshkrimi I tij pritet që të bëhet brenda këtyre ditëve.
“Vendosja e këtij rregulli bënë që të kemi një treg më të sigurt dhe për parandalimin e Ekonomisë Informale dhe ne po shohim se deri në një masë të dukshme, ky rregull edhe ka dhënë rezultatet”, ka deklaruar ai.
Ndryshe në Kosovë llogariten që janë gjithsej 94.953 biznese të regjistruara në MTI, prej të cilave vetëm 35 deri në 40 mijë janë aktive. Kurse Administrata Tatimore e Kosovës, në vitin 2010 ka paraparë që të bëjë vendosjen e numrave fiskal që do të jenë një rregull e re për të mbledhur tatimet. Ky proces është i ndërlidhur edhe me bizneset që kanë transaksione ndërmjet tyre. Nga janari i vitit 2010, të gjitha transaksionet mes bizneseve do të duhet të kenë numrat fiskalë.