LAJMI I FUNDIT:

A po politizohet çështja e veteranëve dhe sa është e drejtë kërkesa e tyre për mos dekretimin e Ligjit për pagën minimale – flasin analistët

A po politizohet çështja e veteranëve dhe sa është e drejtë kërkesa e tyre për mos dekretimin e Ligjit për pagën minimale – flasin analistët

Përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar protesta në ditët në vijim, për të kundërshtuar miratimin e Ligjit për pagën minimale. Kështu bënë të ditur përfaqësuesit e OVL e UÇK-së, pas takimit që patën të martën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), ka thënë pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se përgjatë bisedës i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre pse institucionet nuk janë konsultuar me veteranët për ndryshimet ligjore.


Në anën tjetër Xhavit Jashari, që përfaqëson familjet e dëshmorëve, ka paralajmëruar se ndryshimet ligjore do të sfidohen edhe përmes rrugëve ligjore, andaj i ka bërë thirrje presidentes që të mos e nënshkruajë ligjin.

OVL-UÇK i kërkojnë Osmanit mosdekretim të Ligjit për pagën minimale: Do të bllokojmë edhe Kuvendin
Lexo po ashtu OVL-UÇK i kërkojnë Osmanit mosdekretim të Ligjit për pagën minimale: Do të bllokojmë edhe Kuvendin

E gjithë kjo situatë me veteranët, sipas analistit politik Gazmir Raci po bëhet për interesa politike nga partitë opozitare.

Ai në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar së është gabim i madh që çështja e veteranëve është politizuar sërish.

“Nëse e analizojmë në aspektin politik është gabim i madh që çështja e veteranëve u politizua përsëri për interesa ditore politike nga partitë opozitare, të cilat në kohën kur kanë qenë në qeverisje nuk i kanë trajtuar kërkesat e veteranëve për mbështetje të dinjitetshme. Koalicioni LDK-PDK kur ka qenë Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi i kanë lënë pikërisht jashtë veteranët nga ndërlidhja me pagën minimale”, ka deklaruar Raci.

Raci ka theksuar se asokohe u ndryshua ligji, u zgjeruan listat e veteranëve dhe kanë mbetur jashtë ndërlidhjes me pagën minimale.

“Unë mendoj që veteranët nuk duhet të trajtohen me pagat minimale të punëtorëve, por duhet të kenë mbështetje të dinjitetshme nga kushdo qoftë në Qeveri”, u shpreh ai për Telegrafin.

Tutje analisti Raci thekson se është interesante sesi organizatat e veteranëve të luftës tash po reagojnë për këtë çështje.

“Kur reagonte Xhevdet Qeriqi me atë iniciativën e veteranëve kur u hoqën nga paga minimale, këto organizata të veteranëve deklaronin se duhet të zgjidhen me dialog problemet, e tash po kërcënojnë me bllokim. Nuk po kuptoj pse ky ndryshim. Unë mendoj që duhet të ketë dialog social mes Qeverisë dhe të gjitha grupeve sociale në Kosovë dhe Qeveria duhet me reflektua karshi veteranëve dhe me i trajtu dinjitetshëm, por kjo nuk shkon duke kërcënuar ose shantazhuar Qeverinë e Kuvendin sepse nuk kanë kredibilitet për këtë punë”, tha Raci.

Osmani pas takimit me veteranët: Do ta analizojmë Ligjin për pagën minimale dhe do të veprojmë sipas përgjegjësive
Lexo po ashtu Osmani pas takimit me veteranët: Do ta analizojmë Ligjin për pagën minimale dhe do të veprojmë sipas përgjegjësive

Në anën tjetër, analisti dhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, mendon se problemi kryesor në këtë aspekt është mosrespektimi i të drejtës së vlerave të luftës.

Arifi në prononcim për Telegrafin ka theksuar se nuk ka gatishmëri institucionale e as shoqërore për të zgjedhur çështjen e veteranëve.

“Unë mendoj që rrethanat politike të krijuara në vend po na tregojnë dhe po na dëshmojnë që nuk ka një gatishmëri të Qeverisë e as të Presidentes dhe shoqërisë kosovare që në njëfarë forme ti pranojmë dhe  tu jemi mirënjohës për vlerat e luftës. Është fatkeqësi që shoqëria jonë nuk i respekton këto vlera pra nuk është çështja te aspekti vetëm financiar por te mospërfillja e veteranëve, pra edhe kur është marrë vendimi që Qeveria me dërgua Ligjin për pagën minimale në Kuvend nga viti i kaluar, 12 muaj nuk ka pasur asnjë kontakt dhe asnjë dialog me organizatat e dala nga lufta, dhe kjo po tregon që nuk ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje për këtë”, u shpreh Arifi.

Profesori tutje shton se kërkesat e veteranëve në këtë rast janë të drejta.

“Nuk po shoh që ka seriozitet shoqëror e politik për ti dhënë zgjidhje kësaj çështje. Çështjet që po zgjasin 24 vite a ka apo s’ka veteranë dhe sa është numri i tyre, tregon se shoqëria jonë nuk ka vlera të mjaftueshme për ta respektuar elementin e luftës dhe UÇK-në. Normalisht që kërkesa e veteranëve është e drejtë në çdo element dhe përmbajtje, nuk është vetëm vlera materiale në pyetje, por është respektimi i të drejtës dhe vlerave të luftës”, tha ai.

Ndryshe edhe Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, ka kërkuar nga presidentja Osmani që të mos e dekretoj këtë Ligj. Përmes një komunikate për media, janë dhënë arsyetime se përse nuk duhet të dektretohet Ligji për pagën minimale.

“1. Nuk është përfill propozimi i KES gjegjësisht Neni 9 alineja 19

2. Nuk është përfill vendimi i komisionit te grupit parlamentar per buxhet dhe financa, i cili i ka propozua Parlamentit të Kosovës, që paga minimale për vitin 2023 të jetë 450 eu, kurse për vitin 2024 të jetë 100 euro.

3. Paga minimale është kosto e 4 anëtarëve të të punësuarit, e kjo pagë shpesh nuk e mbulon as vet punëtorin.

4. Është paga më e ultë në rajon”, është bërë e ditur në komunikatë.

Ligji për Pagën Minimale – Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat i kërkon presidentes Osmani që mos ta dekretoj
Lexo po ashtu Ligji për Pagën Minimale – Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat i kërkon presidentes Osmani që mos ta dekretoj

Presidentja Osmani pas takimit me veteranët që pati të mërkurën, ka thënë se ligjin do ta trajtojë me ekspertë ligjorë, sapo ta ketë në zyrë, dhe më pas “do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore”.

Ligji për pagën minimale është miratuar në Kuvendin e Kosovës, në lexim të dytë, më 13 korrik. Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Mirëpo veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime.

Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se mbështet dhënien e sa më shumë përfitimeve për veteranët e luftës së fundit në Kosovë, por që përfitimet, sipas tij, nuk janë pagë.
“Paga është për punë, ndërkaq përfitimet janë mirënjohje e shoqërisë, e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare, fitimtare, e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e lirisë sonë”.

Ligji hyn në fuqi përfundimisht 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës.

Edhe pas hyrjes në fuqi, secili ligj i publikuar mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kjo gjykatë parasheh se është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, mund ta shpallë atë të pavlefshëm. /Telegrafi/