LAJMI I FUNDIT:

Përsëritja e historisë, leksion edhe për shqiptarët

Përsëritja e historisë, leksion edhe për shqiptarët

Janë dy shkaqe që nxitën konceptin e temës në vijim: Shkrimi i përbashkët i dy autorëve, Kristofer Uoker dhe Robert Ortung që u botua dje i përkthyer në një gazetë kosovare, dhe fenomeni “i përsëritjes së historisë” nëpërmes rrjedhës së ngjarjeve të fundit në Lindje të Mesme të cilat germë për germë po na përkujtojnë historinë e rajonit të viteve 1915-1925, atëherë kur, për shkak të ndryshimeve radikale që po ndodhnin në rajon, ishte krijuar një mozaik dëshirash, interesash, intrigash dhe betejash për të marrë sa më shumë tokë dhe të kenë sa më shumë përfitime.

Ndryshimet e njëpasnjëshme që erdhën si rezultat i rënies së Perandorisë Osmane, botën e fillimshekullit të 20-të e kishte ngacmuar për hapje kah territore të reja. Grekët kishin filluar të kërkojnë sa më shumë tokë Anadolli, ermenët pjesën lindore të Turqisë së sotme, arabët kërkonin shpërblim nga Britania sepse kishin ndihmuar në rrëzimin e Perandorisë Osmane, cionistët një strehë kombëtare hebreje në Palestinë, turqit Dardanelet dhe grykën e Bosforit, Sllavët, të ndihmuar nga rusët dhe të nxitur nga vendimet e Bizmarkut dëshironin shtrirje më të madhe në Ballkan, Egjipti i Sead Zaglulit kërkonte të jetë egjiptase krejt çka ishte përreth Nilit, ndërsa “arnautët” e Mehmet Ali Pashë Kavallës, nëpërmes krijimit të ministrive, për herë të parë në rajon, sipas modelit evropian dëshironin të kenë hise edhe ata në Afrikën Veriore. Nga ana tjetër, anglezët ndjenin se kishin të drejtë të ndajnë trofeun sipas interesave të veta, sepse ata me shekuj ishin sjellë andej pari, francezët nuk kishin harruar betejat e tyre shekullore për Mediteranin, rusët mendonin se gjeografikisht kanë të drejtë të marrin diçka, ndërsa gjermanët, ndoshta me të drejtë thirreshin në ndihmën që i kishin dhënë shteteve tjera të Evropës në luftërat kundër osmanlinjve. Amerikanët, vetëm pas leximit të fjalimit 14 pikësh që e kishte bërë presidentit Woodrow Wilson të vitit 1918, u kyçen në procesin e përcaktimit të kufijve të interesave gjeostrategjike në Lindje të Mesme.


Premisa konstatuese se “proceset politike të Lindjes së Mesme shpërfillin observimin, dekurajojnë përgjithësimet dhe i rezistojnë shpjegimit”, së bashku me premisën tjetër që paraqitet si një teori konspirative naive sipas së cilës “e vetmja vlerë e madhe që ka rëndësi është ari i zi”, e jo edhe pesha e civilizimeve që kanë dalë nga atje, rezulton konkluzionin e gabueshëm se problemi i Lindjes së Mesme duhet të mbetet i lokalizuar dhe se ne shqiptarët, s’kemi çka të merremi me të.

Askush më nuk mund të injorojë problemin e Lindjes së Mesme dhe të thotë se ky rajon nuk e ka peshën e përcaktimit të politikave gjeostrategjike globale të botës moderne, rrjedhimisht edhe të Evropës ku jetojnë shqiptarët. Rajoni, në fakt, sikur edhe më parë, po kontribuon për të modeluar dhe formësuar mjedisin global. Lindja e Mesme po pasqyrohet edhe më qartë si burim i qetësisë apo trazirave në botë. Vetëm një pikëpamje e sintetizuar dhe e ekuilibruar drejt mbi ndikimin e naftës dhe kulturave që kanë buruar atje, pra, edhe rezultantes politike që del nga kjo sintezë, do të ishte forma më e mirë e kuptimit të ngjyrave të realitetit të gjithë asaj që po ndodh tani dhe që ka për të ndodh në të ardhmen.

Supozimet e dy autorëve të lartëpërmendur se ngjarjet s’kanë për të përfunduar shpejt, sepse ato po kalojnë “nga revolucioni deri në demokraci”, sipas nesh, qëndron po aq sa edhe konstatimi jonë se përsëritja e historisë së fillimit të shekullit 21 me historinë e fillimit të shekullit 20 është adekuate në disa drejtime. Ndryshimet politike që kishin ndodhur në fund të shekullit 19 nuk dallojnë shumë nga ato që ndodhën në Evropë në fund të shekullit 20. Në fakt, trendi politik i fundshekullit që e lëmë pas, ishte vetëm fillimi i një gjeostrategjie të re që po qëndronte si re shiu mbi hemisferën politike të globit. Fillimi i realizimit të idesë për bashkimin e Evropës, që pasoi me rënies së Bashkimit Sovjetik e fill pas saj edhe rënia e Jugosllavisë së Titos që konsiderohej si peshojë mes botës socialiste dhe asaj perëndimore, së bashku me influencën e “Solidarnostit” të Leh Valencës në Evropën Lindore e cila përkrahej pa masë edhe nga Vatikani, pastaj bashkimi i Gjermanisë që i dha një ngjyrë krejtësisht të re Evropës, janë ngjarje thuajse identike me ato që kishin ndodhur në fillim të shekullit 20. Rënia e atëhershme e Perandorisë Osmane vuri në pah interesimet e shteteve të mëdha për rajone të ndryshme në botë, sikur edhe rënia e Bashkimit sovjetik që ndryshoi kahjet e politikave globale, sidomos në Lindje të Mesme.

Trazirat, problemet ekonomike, sociale dhe tani revolta e gjerë mbase e armatosur në disa shtete arabe, janë vetëm nisja e ndryshimeve të reja, edhe nëse të gjata që kanë për të ndodhur. Sikur edhe revolucionet me ngjyra në shtetet kaukaze e të cilat as deri më sot nuk panë dritën e lirisë së plotë, por as demokracinë për të cilën kaq shumë luftuan, edhe shtetet arabe nuk kanë për të gëzuar fitoren e dëshiruar nëse interesat e tyre do të bien ndesh me ato globale, sidomos me interesat e shteteve të cilat drejtpërdrejti kontribuojnë në politikat globale. Nëse historia është një “marrë dhe dhënie” mes shteteve, veçanërisht nëse konsiderohet ajo “CV-ja” e vetëm popujve të mëdhenj, atëherë ecuria e ngjarjeve atje, mund të komplikohet edhe më tepër.

Irani, i cili kishte të drejtë të krenohej me të qenit eksportuesi i parë i naftës në Gjirin Persik, në vitin 1950 e pagoi shtrenjtë shtetëzimin e aseteve të kompanisë “Anglo-Iraniane” të petrolit. Pas rrëzimit të qeverisë së Musaddekut e sidomos pas ardhjes në pushtet të një qeverie tjetër e cila merrte në konsideratë edhe interesat globale në vendin e vet, ekonomia iraniane mundi të ngrihet përpjetë, por, kurrë më e para. Në lojë, tani ishte futur Arabia Saudite, shteti më i pasur në Gjirin Persik, me udhëheqësit e vet politik më të pasur në botë, vend nga i cili, për të cilin dhe rreth të cilit më së shumti fitohet në botë. Përveç pasurisë që ka, së bashku me atë principatën që kinse e sundonte Husein bin Ali, gjyshi i mbretit të tanishëm të Jordanisë, ky vend kishte kontribuuar në ndryshimin e politikave sunduese në Hixhazin e atëhershëm.

Marrëveshjet saudo-angleze konsiderohen fillimi i përfundimit të prezencës osmane në Lindje të Mesme. Arabia e saudëve me 9 milionë fuqi naftë prodhim në ditë, d.m.th. një e nënta e prodhimit botërorë të naftës, sot, sundohet nga Abdullahu mbret, i cili është më i moshuar se mbretëria e tij për disa vite. Mbreti Abdullah i cili ditë më parë u kthye nga një kurim në New York, Lindjen e Mesme e gjeti ndryshe nga që e kishte lënë dy muaj më parë. Nëse ka moral në politikë, e që duhet të ketë, dhe nëse Abdullahu mbret ka nënshkruar ndonjë marrëveshje me Uashingtonin që do ta ndihmonte të mbetej në pushtet, sikur edhe Fejsali më parë që kishte nënshkruar një marrëveshje me britanikët për lejimin e hebrenjve të ktheheshin në Palestinë, atëherë “shërbëtori i dy shenjtërive” sigurisht se do të kalon më mirë se Musadeku i Iranit në vitin 1950 dhe të tjerët që nuk përfillin politikat globale, e ndër ta edhe Asadi i Sirisë dhe Muammer al Gadafi në Libi.

Që nga viti 1805 atëherë kur gjenerali shqiptar Mehmet Ali Kavalla (Lexo: grada ushtarake “pasha”, është ekuivalent me gradën gjeneral) u caktua për guvernator të Egjiptit dhe i cili këtë vend e sundoi plot 43 vjet, dinastia shqiptare e cila për 170 vjet sundimi la gjurmë të pashlyeshme në vendin e faraonëve, shqiptarët, në një formë apo tjetër, konsiderohen pjesëmarrës relevant të modernizimit të Egjiptit, rrjedhimisht Lindjes së Mesme. Falë shqiptarëve, Egjipti është vendi i parë arab i cili kishte filluar të modernizohej sipas modelit të shteteve evropiane. Ne, së bashku me kombet tjera të kontinentit ishim pjesëmarrës me rëndësi në gjeopolitika, aq më shumë si faktor politik e historik shumë i rëndësishëm, sidomos përgjatë pesë shekujve sa zgjati sundimi i perandorisë osmane.

Nëse mes viteve 1915-1925 Evropa me gjithë shqiptarët, kishte ndihmuar Lindjen e Mesme të merrte frymë tjetër fare, kësaj radhe, a do të jetë në gjendje ky kontinent që së bashku me Amerikën të kontribuojnë, jo vetëm në demokratizimin e rajonit, por edhe të përcaktimit të vijës politike nëpër të cilën do të ec Lindja e Mesme edhe për një shekull? Do të kisha dëshiruar shumë që në pyetjen e fundit, të ishin përmendur shqiptarët direkt, sepse indirekt, pa mëdyshje do të jemi pjesë përcaktore edhe e politikave globale. Nëse në fillim të shekullit 20, kombi ynë së bashku me kombet tjera të Evropës ndikoi në shpërbërjen e Perandorisë Osmane, apo në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar në shkapërderdhjen e ish-Jugosllavisë, atëherë në pjesën e parë të shekullit 21 për çfarë dhe si mund të jenë shqiptarët të rëndësishëm në politikat globale? Mendoj, shqiptarët nuk duhet të harxhojnë tepër energji me problemet e brendshme shumicën e të cilave vet po i krijojnë. Por, në vend të kësaj, ata duhet të fokusohen në faktorizimin e vetvetes për politikat globale. Krahas asaj që kemi energji, që kemi edhe miq të cilët duan të na ndihmojnë, sot na nevojitet edhe vullneti ynë për të qenë ne, ne.

(Autori është drejtor i Institutit për Hulumtime Shkencore “Victory”)