LAJMI I FUNDIT:

Përkrahen marrëveshjet financiare të Qeverisë

Përkrahen marrëveshjet financiare të Qeverisë

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, përkrahu të mërkurën gjashtë marrëveshje financiare të nënshkruara ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe qeverive e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, raportin vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010 dhe Projektligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, prezantoi marrëveshjet e nënshkruara dhe potencoi rëndësinë e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.

Pas diskutimeve, komisioni i përkrahu dhe i rekomandoi Kuvendit ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.

Marrëveshjes për financimin e projektit për modernizimin e sektorit publik të nënshkruar në mes Qeverisë së Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, Marrëveshjes për financimin e projektit për regjistrimin e pasurisë së patundshme dhe kadastër të nënshkruar në ndërmjet po këtyre dy institucioneve, Marrëveshjes për implementimin e softuerit ASYCUDA në Doganën e Kosovës, të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNCTAD-it, Marrëveshjes për financim dhe Marrëveshjes për kredi (programi për furnizim me ujë dhe largimin e ujërave të zeza në Prishtinë – faza II), të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës, KfW-Frankfurt dhe Kompanisë së Ujësjellësit Regjional-Prishtina, Marrëveshjes bilaterale të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Dukës së Madh të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit zhvillimor dhe Marrëveshjes për financim dhe grante të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore.


Komisioni, gjithashtu, i dha përkrahje raportit vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010, të cilin e prezantoi ministri Hamza.

“Veçoritë kualitative të këtij raporti janë ngritje substanciale në të hyra, tejkalim i planit të të hyrave për disa kategori, ngritje kualitative në kategorinë e investimeve kapitale dhe ngritje simbolike e shpenzimeve në mallra dhe shërbime, përkundër zgjerimit të dukshëm të fushëveprimtarisë së institucioneve”, theksoi Hamza.

Po ashtu komisioni në në parim ka miratuar Projektligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim dhe caktoi grupin e punës për amendamentimin e tij. /Telegrafi/