LAJMI I FUNDIT:

Përfundon restaurimi i Mozaikut të Tiranës

Përfundon restaurimi i Mozaikut të Tiranës

Thesari i trashëgimisë kulturore, është kthyer në identitet. Pas një muaji pune të kujdesshme, përfundoi restaurimi i Mozaikut të Tiranës, monumenti kulture i kategorisë së I-rë, që paraqet lokacionin më të vizituar arkeologjik të Tiranës.

Punimet restauruese përfshinë konsolidimin, larjen, rivendosjen e teserave, mbushjen e fugave, pastrimin sipërfaqësor me anë të kompresave me karbonat amoni, trajtimi i lakunave…


Mozaiku i Tiranës i përket artit paleokristian. Gërmimet arkeologjike nxorën në dritë një ndërtesë kulti, ku narteksi dhe naosi kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Kisha e Tiranës paraqet një ndërtesë me aks gjatësor të orientuar nga verilindja që përbëhet nga një sallë qëndrore (naos) dhe parasallës (pronaos). Salla qendrore është e shtruar me mozaikë përfundon me absidën gjysmërrethore në një nivel më të lartë se parasalla.

Ambiente të tjera u gjetën në anën veriore dhe anët e tjera të ndërtesës. Kemi të bëjmë me një ndërtesë të kthyer në një kohë të dytë në kishë, që kuptohet nga krijimi i parasallës, në mozaikun e të cilës ka simbole të kultit si kryqe, peshq e shpendë, ndërsa mozaiku i sallës ka më tepër dekor gjeometrik. Kështu që kisha mund të datohet si e gjysmës së parë të shekullit IV, kur akoma nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale.