LAJMI I FUNDIT:

Përfundimi i transicionit

Përfundimi i transicionit

Kemi filluar transicionin 15 vjet më parë dhe kemi mbetur në të. Kemi ngelur si nxënësit që kanë marrë disa nota të mira dhe janë eksituar në vetvete. Duhet ta përmbyllim këtë periudhë politike. Të fillojmë sa më shpejtë fazën e zhvillimit të qëndrueshëm. Nëse zgjatja e transicionit do të vazhdojë edhe më tutje, qytetarët e Kosovës, bash sikurse shteti i Kosovës, do të brishtësohen. Nuk do të mësohen të ecin vet, të jenë të qëndrueshëm dhe të kenë përgjegjësinë mbi vete.

Është e qartë se asgjë nuk është e lehtë. As nuk ka qenë e tillë gjatë viteve të kaluara. Është e qartë se Kosova e fillimvitit 2014 normalisht se dallon nga ajo e fillimvitit 2008, kur është shpallur pavarësia. Në formë dhe në përmbajtje, shteti i Kosovës është ndryshe. Nuk ka arritur atë që do të duhej, normalisht! Porse, disa hapa institucionalë janë bërë në kuptimin e themelimit të institucioneve dhe agjencive të reja shtetërore, bazës ligjore, infrastrukturës funksionale për këto institucione dhe raportet me organizata rajonale politike dhe të sigurisë.


Porse, vështirësitë thelbësore mbeten të njëjta. Duke u nisur nga niveli i demokratizimit të shoqërisë, efikasiteti i institucioneve demokratike, dukuritë e vazhdueshme negative, mungesa e sundimit të ligjit, niveli i rritur i sfidave dhe i kërcënimeve rajonale e globale të sigurisë dhe hapat e vegjël në proceset e integrimeve euroatlantike.

“Optimizmi i përhershëm” duket se ka filluar të mos jetë më afinitet i pandashëm i popullit të Kosovës. Njerëzit janë të mërzitur me këtë cikël transicioni të rëndë, të papërfunduar, të paefektshëm dhe, tashmë, është kthyer në një cikël të pakuptueshëm. Kosova duhet ta përfundojë transicionin!

Ne nuk kemi opsion tjetër. Veç hapat e fuqishëm për të përfunduar transicionin e shpëtojnë Kosovën. Për këtë kërkohet vendosmëri. Por, para kësaj, definitivisht kërkohet dije, profesionalizëm dhe vizion. Kosova nuk mund të përballet me nevojën e padiskutueshme për të përmbyllur transicionin nëse vazhdon me të njëjtën valle dhe me të njëjtën muzikë.

Duhet shpërthim. Në kuptimin e përgjegjësisë institucionale. Shpërthim në kuptimin e vendosjes definitive të logjikës së shtetit ligjor. Ndryshimet sipërfaqësore nuk përbëjnë shpërthimin e kërkuar. Vetëm ndryshime rrënjësore në logjikën e politikës së brendshme, qeverisjes dhe qasjes së koordinuar institucionale mundësojnë një hap gjigand për të lëvizur më shpejtë, më fuqishëm, më sigurt, më vendosshmërisht.

Për këtë na duhet ndershmëri. “Metoda më bindëse në dorë të një qeverie është fjala e njeriut të ndershëm”, ka thënë Jules Cambon, diplomati francez i shekullit XIX. Kjo, në fakt, duhet të jetë logjika që duhet vendosur në politikën kosovare dhe në lidershipin e institucioneve në të gjitha nivelet. Vetëm kombinimi i tri virtyteve kryesore mund të lëvizin Kosovën drejt përmbylljes së transicionit: dije – vendosmëri – ndershmëri.

Logjika gjithëpërfshirëse është, po ashtu, e nevojshme. Përmbyllja e transicionit duhet të kthehet në kauzë prijëse për politikën kosovare dhe angazhimin e përditshëm të institucioneve të Kosovës. Kjo duhet të kthehet në agjendën prioritare për udhëheqjen instituiconale, duke u përkthyer në strategji të qartë dhe plane vepruese të detajuara.

I tërë angazhimi i institucioneve kosovare, në nivel qendror dhe nivel lokal, në tri degët e pushtetit, sikurse në tërë shoqërinë kosovare, duhet të drejtohet kah përmbyllja e transicionit. Tashmë Kosova duhet të fillojë kohën vendimtare për këtë qëllim strategjik nacional. Realisht, nuk ka ndonjë detyrë apo qëllim strategjik më të rëndësishëm se hapja e një faze të re për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Ky do të duhej të jetë synim i përbashkët për të gjithë skenën politike, pavarësisht dallimeve ideologjike, programore apo dallimeve tjera të ndryshme.

Kjo nënkupton edhe një qasje të re ndaj ekspertizës evropiane që është në Kosovë, përmes misionit për sundimin e ligjit. Jo vetëm çështja e ndryshimit të emrit apo ri-rregullimit të mandatit, përgjegjësive dhe kompetencave, porse mbi të gjitha duhet të ri-rregullohen marrëdhëniet profesionale midis autoriteteve vendore dhe këtij misioni. Nuk mund të sillemi në një cikël të pambarueshëm edhe në këtë aspekt. Duhet përmbyllur angazhimet e këtilla, porse bazuar në themelin e profesionalitetit dhe drejtimit të zhvillimeve të ardhshme në aspektet e zbatimit të ligjit.

Nuk mund të mendohet për përfundimin e transicionit pa vendosur logjikën e shtetit ligjor. Duhet filluar prerjen e fuqishme dhe të pakompromis ndaj dukurive negative. Kjo është rruga për përmbylljen e transicionit.

Kosova do të jetë e aftë për të filluar fazën tjetër të zhvillimit të qëndrueshëm, vetëm pasi të rregullojë “llogaritë” me krimin, korrupsionin, mos-efikasitetin e institucioneve shtetërore, papërgjegjshmërinë e zyrtarëve publikë, dorgat, prostitucionin dhe dukuritë tjera kërcënuese për shtetin dhe qytetarin e Kosovës.

Kjo është logjika për të dëshmuar se skena politike në Kosovë është e aftë dhe e vullnetshme për të përmbyllur diçka që ka nisur shumë më herët dhe tashmë është kthyer në abuzim të hapur dhe direkt: transicionin.

Nuk mund askush të arsyetojë përse ne, kosovarët, jemi edhe më tutje në transicion? Përse institucionet e Kosovës edhe më tutje përballen me mungesa të kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore? Përse vendorët kritikojnë mungesën e angazhimit profesional të ndërkombëtarëve dhe ndërkombëtarët kritikojnë mungesën e angazhimit profesional të vendorëve? Përse asgjë nuk fillon dhe nuk mbaron pa ankesa të publikut, skandale, afera dhe veprime jo-demokratike?

Ku po jetojmë? Përse kemi pasur 15 vjet mbështetje ndërkombëtare dhe nuk paskemi mësuar asgjë? Nuk e paskemi mësuar as kulturën elementare të institucioneve demokratike? Apo, një pyetje krejt e thjeshtë: a nuk e kemi mësuar se kur të dënohesh nga gjykata duhet të largohesh nga posti publik? A është kjo kaq e vështirë për ta kuptuar? Apo, nuk ka ardhur ende momenti kur gjithçka do të jetë e padiskutueshme?

Një fund i transicionit nënkupton, mbi të gjitha, shtet ligjor. Respektim të verdikteve të gjykatës, në njërën anë, dhe efikasitet të sistemit të drejtësisë, në anën tjetër. Kjo është logjika që duhet nisur në Kosovë. Fatkeqësisht, po përballemi me elementet themelore të demokracisë. Ka edhe më tutje logjikë të shkeljes së rregullave, parimeve dhe karakteristikave bazike të demokracisë.

A është kaq e vështirë që Kosova të qeveriset me duar të pastra? Që asnjë ministër, zëvendës-ministër apo këshilltar politik të mos jetë i dënuar, i akuzuar apo i përfolur me dyshime të bazuara për korrupsion dhe krim të organizuar?

A është kaq e vështirë që Kosova të qeveriset bazuar në një programi për ndryshim? Që programi qeverisës, si domosdoshmëri e ndryshimit rrënjësor në Kosovë, të bazohet në dy shtylla kryesore: sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik?

A është kaq e vështirë që Kosova të ketë, më në fund, një Qeveri kompetente, qeveri ekspertësh? Që Kabineti Qeveritar të përbëhet prej zyrtarëve ekspertë, kompetentë, profesionalë, me njohuri në fushat që mbulojnë dhe me gatishmëri për ndryshim rrënjësor?

A është kaq e vështirë që Kosova të ketë një Qeveri jo-shpenzuese? Që Qeveria të jetë më e vogël, më pak zëvendës-ministra dhe zëvendës-kryeministra?

A është kaq e vështirë që Kosova të ketë një Qeveri demokratike? Që Qeveria të mos jetë e ndërlidhur me interesa grupore, por të përfaqësojë vullnetin e qytetarëve, t’i nënshtrohet kontrollit parlamentar, të mos ndërhyjë në sistemin e drejtësisë, të bashkëpunojë me shoqërinë civile dhe respektojë pavarësinë e institucioneve?

Vetëm kështu e përfundojmë këtë transicion të abuzuar! Vetëm kështu ndërtojmë logjikë demokratike institucionale.

(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK)

Në trend

Më shumë
Babai plagosi të bijën dhe më pas vrau veten, i afërmi: Vajza ishte e divorcuar, fëmijët i kishte marrë i ati

Babai plagosi të bijën dhe më pas vrau veten, i afërmi: Vajza ishte e divorcuar, fëmijët i kishte marrë i ati

Lajme
Më shumë se njëzet ekipe, bashkë me dronët dhe qentë - në kërkim të helikopterit

Më shumë se njëzet ekipe, bashkë me dronët dhe qentë - në kërkim të helikopterit "të rrëzuar" të presidentit iranian

Botë
Usyk dyshohet se ka thyer rregullat e boksit mes raundit 6-7 në duelin

Usyk dyshohet se ka thyer rregullat e boksit mes raundit 6-7 në duelin "e shekullit" me Furyn

Boks
Arda Guler nuk ndalet me gola të bukur te Real Madridi

Arda Guler nuk ndalet me gola të bukur te Real Madridi

La Liga
Tyson Fury thumboi babain dhe trajnerin e tij për humbjen nga Oleksndr Usyk

Tyson Fury thumboi babain dhe trajnerin e tij për humbjen nga Oleksndr Usyk

Boks
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Kalo në kategori