LAJMI I FUNDIT:

Përçudnimi i parlament(arizm)it shqiptar

Përçudnimi i parlament(arizm)it shqiptar

Nëse Kuvendi i Shqipërisë ka qenë jo pak herë një “tempull” i rrënimit të fjalës shqipe dhe i demokracisë parlamentare, arenë e vazhdueshme sherri dhe vreri të politikanëve ndaj njëri-tjetrit, tani nuk ka dyshin që ai po shkon drejt një teatri komedie. Në gjykimin tonë, nuk ka qenë e drejtë djegia e mandateve nga ana e opozitës, ashtu papritur, duke dëshmuar më e pakta ngutje, por dhe bllokim të ndonjë vendimmarrjeje të mundshme, të rëndësishme politike, apo zgjedhore, për fatet e vendit. Aq më tepër, që, dhe pa ndërmarrë veprimin radikal të fundit, opozita nuk është se e përdori për kauzën e saj foltoren e Kuvendit, duke e braktisur atë për rreth gjashtë muaj. Pas këtij akti, popullit i mbetet vetëm të bëjë pyetjen retorike: “Si qenka kështu kjo punë, unë i votoj deputetët e ata bëjnë si t’i urdhërojë partia, një herë nuk venë në Kuvend e herën tjetër iu vënë flakën mandateve!?”

Nuk i bindën lidershipit të partisë së tyre dy deputetë, ku ajo që bën më shumë lajm është Rudina Hajdari. Ndërkohë, opozita mund të jetë e unifikuar sot, por më 2017, kur është votuar, LSI-ja ka qenë pjesë e qeverisë, pa thënë se ajo vjen nga qeverisja katërvjeçare me këtë maxhorancë dhe ende s’e ka bërë “katarsisin” e bashkë(keq)qeverisjes me PS-në, që të nxitojë të hidhet në krahët e qeverisjes së PD-së, si flamurtare e panjollë e demokracisë.


Në njëfarë mënyre është përsëritur historia. Ka qenë PS e para që i ka djegur mandatet, më 26 maj 1996, me akuzën se i ishin vjedhur votat. Opozita e sotme, me të njëjtin argument deligjitimon Kuvendin. Problemi i shpërdorimit së votës (vjedhje, manipulim, blerje) nuk është i ri për Shqipërinë, madje është aq i vjetër sa dhe vetë historia e pluralizmit politik te ne. Parlamentarizmi sistematikisht ka kaluar nëpër një trajektore korruptive dhe kur nuk janë përdorur para për të blerë votat, në kuptimin që deputet mund të bëheshe vetëm nëse do të jepje garanci se do t’i shërbeje lidershipit/kreut të partisë, konkretisht: Berishës, Nanos, Godos, Gjinushit, Metës, Ramës etj. Ndaj kanë qenë aq të rrallë e të mekur zërat ndryshe të deputetëve joopozitarë. Apo, deputetët e opozitës i dogjën mandatet, pa një pa dy, me besimin se Luli dhe Monika jo vetëm do t’i kandidojnë sërish të njëjtët (gjë që pak gjasa ka të ndodhë, thjeshtë se ujërat nuk rrjedhin dy herë në të njëjtin vend), por dhe do t’i shpërblejnë e gradojnë për më lart. Ky në thelb është një militantizëm partiak foshnjor, shumë larg profilit të një deputeti, që është i popullit dhe për popullin, paçka se i vajtuar aty përmes instrumenteve të politikës.

Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër, në dukje konstruktive, por krejtësisht komike, është ngutja e maxhorancës së majtë për ta sajuar tashmë Kuvendin gjysmak, për ta arnuar atë me “copa” të marra andejkëndej nëpër listat e opozitës. Kësaj i thonë “i zoti s’e jep, tellalli e shet”. Nuk mund t’i thuash opozitës, nuk ka problem se nuk do ti, jam unë që vendos se cili do të jetë kundërshtari im dhe sesi do të sillet ai ndaj meje(!). Si mund ta kenë fuqinë e përfaqësimit opozitar ca deputetë të orës së fundit, që i solli një precedent kolektiv të hyjnë në Kuvend dhe jo normaliteti zgjedhor? Pavarësisht begrandit politik apo intelektual të ndonjërit prej tyre. Koha do të tregojë se kjo lloj opozite e sforcuar nuk do të mund të luajë ndonjë rol për të qenë në jetën parlamentare shqiptare. E kanë gabim dhe ata ndërkombëtarë që e përkrahin këtë “zgjidhje” si normale.

Nuk mund të vish në Tiranë, të gjesh Kuvendin të zbrazur e opozitën në protesta masive e të thuash se qeveria i ka punët mirë. Kjo nuk ka logjikë. Çfarë do të ndodhte me Parlamentin Evropian nëse për një çast ai do të përgjysmohej si ky yni nga dorëheqja e një pjese të konsiderueshme të deputetëve të tij? A do të ishin bindëse vendimet e tij për Evropën, edhe nëse, formalisht, numrat do të ishin? Vërtet numrat kanë rëndësinë e tyre, po kur bie institucioni, ata nuk kanë më vlerë. Kuvendi, në një sistem demokratik, është një organ që nuk mund të funksionojë ndryshe, veçse me përballjen pozitë-opozitë.

E vërteta është se Kuvendi ynë ka rënë me kohë, që kur aty politika katapultoi një dorë njerëzish të “fortë” me precedent penalë, të cilët duhet thënë se e blenë mandatin nga politika agresive e fitores me çdo çmim që, siç dihet, ligji i dekriminalizimit i nxori jashtë. Aq poshtë ka rënë kuptimi i fjalës parlamentarizëm në Shqipëri, sa më të drejtë mund të pyetet, për sot e për nesër: “A ka kuptim të jesh deputet në një Kuvend të tillë?” Njëqind vjet më parë deputet kishim Luigj Gurakuqin. E sot?… Më mirë mos pyet! Marrin guximin e kalojnë portën e Kuvendit të Shqipërisë individë që nuk i njeh as lagjja e tyre. Ata venë aty për të tundur këmborët e politikës së partisë në pushtet, edhe pse të huajtur nga listat e opozitës. Fundja dhe Kuvendi monist një vegël e politikës ishte se nuk mund të ndodhte ndryshe në një sistem të atillë, ama aty kishte profesorë si Aleksandër Xhuvani e Aleks Buda, që i bënin nder Shqipërisë në çdo tribunë, pavarësisht regjimit. Ishin personalitete të tilla që ideuan e krijuan Universitetin, Akademinë e Shkencave, institutet shkencore etj. Nëse ata nuk mund t’i ndryshonin udhëheqjes së kohës ideologjinë, pa dyshim që e ndikonin atë kur ishte fjala për vendimmarrjet në fushën e arsimit, kulturës, shkencës dhe kjo nuk ishte pak.

Por ç’mund të bëjnë sot për ta shëndoshur gjendjen politike të hyrët rishtas në Kuvend, në vendet e lëna bosh nga opozita? Asgjë thelbësore që t’i vlejë integrimit të Shqipërisë, pasi ata që e kanë këtë tager janë duke protestuar te shkallët e Kuvendit. Doemos nuk është e para herë në këtë vend që njerëzit mund të jenë me vullnetin e tyre thjeshtë numra… kartonë, tejet të përkohshëm! Sa larg kanë mbetur elitat në këtë vend. Politika nuk i duron. Nuk mund të thuhet se ata nuk i janë afruar politikës, partive, madje kanë kandiduar e janë bërë deputetë, ndonjëherë dhe ministra, por janë flakur shpejt si të papërshtatshëm. Mund të bëhet lehtësisht një listë e të tillëve, në të dy krahët e politikës, të cilët kanë treguar se raca e intelektualëve të zgjedhur të këtij vendi nuk ka kryer. Nga ana tjetër, Arta Dade mund të vazhdojë të dëgjohet, edhe kur qorton qeverisjen e majtë, rrjedhimisht të sajën, ajo nuk mund të nxirret nga të vetët në “pension” politik. Me figura si ajo, për të mos përmendur emra të tjerë, Kuvendi do të shtrihej përtej 140-s, tek ata që konsiderohen si senatorët e politikës.

Të shpërfillësh kontribuues të shquar të politikës dhe të kërkosh mbështetje te persona anonimë, duke i certifikuar si parlamentarë, na duket se thjesht shtyjmë kohë, sot për nesër, por nuk japim zgjidhje. Kryeministri nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke i rënë vendit kryq e tërthor me flamurin e bashkëqeverisjes me qytetarët e duke fshikulluar në mediat e huaja ata që protestojnë që, sipas tij, nuk janë qytetarët, por partitë politike!? Po ashtu, as kryetari i opozitës nuk mund ta lajë veten vetëm me protestat, pasi dhe atë u zgjuan studentët. Shqiptarët, përtej politikës, presin që opozita të ndërtojë dhe shpallë strategjinë e saj për zgjedhjet e ardhshme, që ato të mos jenë më si zgjedhjet e kohëve të shkuara, gjithnjë të mospranuara. Nuk është e mjaftueshme të thuash “Rama ik!” dhe të mos propozosh e garantosh një sistem zgjedhor efikas, pa folur pastaj se ai duhet miratuar në një Kuvend solid dhe jo të arnuar.

Në gjendjen që e kemi katandisur parlament(arizm)in, i kemi bërë një shërbim të keq dhe historisë, pasi Kuvendet kanë qenë ashti i vetëqeverisjes sonë parashtetërore. Sa më shpejt të kthjellohemi për hendekun ku e kemi lëshuar debatin dhe vendimmarrjen demokratike, aq më mirë do të jetë për shqiptarët. Dhe zgjidhja nuk mund të jetë e njëanshme dhe as vetëm e nga njëra palë. Sado e pamundur të duket, gjerat sërish do të venë në pikën e nisjes, te një marrëveshje politike mes palëve. Në këtë qasje, por vetëm në këtë, njëlloj si në 1997- n, si në 2019-n, çka do të thotë se shoqëria politike shqiptare ka mbetur në vendnumëro, duke “ripërtypur” vetveten e prodhuar një pushtet të paqëndrueshëm, pa arritur të vendosë kolonat institucionale të shtetit, që garantojnë një politikë qeverisëse solide si në vendet perëndimore, që nga krizat e ndryshme nuk iu rrezikohet asnjëherë stabiliteti politik e social. Kjo nuk do të thotë se dhe shoqëria shqiptare është në nivelet e politikës, ku me gjithë rezervën tonë për djegien e mandateve si akt politik “vetëflijues”, duhet çmuar aksioni i opozitës sa i përket frymës, aksionit dhe qytetarisë së protestës, që me siguri do të pasqyrohet dhe në protestën masive të 16 marsit.