LAJMI I FUNDIT:

Përballë zgjerimit të së “keqes sociale” dhe “individit asocial”

Përballë zgjerimit të së “keqes sociale” dhe “individit asocial”
Ilustrim

Nga: Gëzim Tushi

Ideja utopike e mesianike se pas përmbysjes së komunizmit – që solli aq shumë plagë ekonomike e sociale, të shoqëruar me njeriun hipokrit, kameleon, frikacak – gjërat do të përmirësoheshin shumë shpejt, duket praktikisht e dështuar. Për fat të keq, nëse do bëjmë vlerësim dhe diagnostikim të plagëve sociale dhe deviacioneve antisociale të individit, duhet të pranojmë se paradoksalisht njeriu i lirë në shumë raste po bëhet “qytetar i keq” asocial?


Pse ndodh kështu?

Një përgjigje e menjëhershme me “po” apo “jo” do të ishte tejet sempliciste, e papërgjegjshme, joadekuate me shkaqet e vërteta, as tërësisht analoge me të vërtetat e jetës dhe fenomenet shoqëruese të qytetërimit tonë. Kjo do të thotë se diagnostikimi situatës në aspektin sociologjik dhe empirik tregon se gjërat janë më të thella, më të ndërlikuara. Në të gjitha planet dhe këndvështrimet humane, psikologjike, sociale, urbane e kulturore.

Fenomeni është tejet kompleks dhe duhet analizuar si i tillë. Padyshim që është e vërtetë që në kohën postmoderne shoqëria shqiptare është duke u urbanizuar me shpejtësi marramendëse. Kjo situatë është e shoqëruar nga tendenca e kristalizimit me shpejtësi jo të zakonshme të tendencave të dukshme sociale të shfaqjes së njeriut me natyrë liberale dhe prirje tejet individualiste. Mirëpo, nuk mjafton vetëm ky lloj konstatimi sociologjik sasior e cilësor, pa zbuluar pikërisht shkaqet, pse shoqëria shqiptare është momentalisht në një fazë ngatërresash të mëdha konceptuale dhe reale, që në mënyrë të natyrshme po sjellin konfuzion, turbulenca sociale, anomale serioze të sjelljes së njerëzve në jetën e përbashkët qytetare të shoqërisë.

Është e vërtetë që sot përballemi me një situatë evidente anomike, e shoqëruar me tregues të “shthurjes” së raporteve midis individit dhe shoqërisë, midis njerëzve dhe normave të qytetërimit tonë. Në këto kushte, ndihet nevoja e një kulture të re qytetare, që duhet të zhvillohet brenda kufijve të natyrës së vërtetë të njeriut aktual që është thelbësisht individualiste, liberale, ambicioze, egoiste. Kjo është e domosdoshme dhe kusht që të mund të bëhet një lloj diferencimi qytetar, përtej natyrës individuale të secilit të roleve sociale që ai duhet të luajë si qytetar në familje, shoqëri e kudo. Dihet që e kaluara jonë dhe koncepti i saj për raportet e individit me shoqërinë dhe qytetërimin, nuk na ndihmojnë për të vendosur raportet e reja të këtij ekuacioni që i duhet qytetërimit të kohës së sotme. Sepse realiteti tregon se liritë individuale të njeriut jo qytetar po sjellin çrregullime sociale në jetën qytetare, po dëmtojnë cilësitë endemike të domosdoshme të qytetërimit tonë.

Një lloj paqartësie, që vjen nga fakti që në shoqërinë shqiptare ka një zmadhim gati artificial të dimensionit individual të njeriut, në raport me nevojën e kristalizimit në të njëjtën kohë të statusit të tij si qytetar, si mënyrë për të ndërtuar marrëdhënie normale që u shërbejnë standardeve dhe funksionimit të qytetërimit tonë. Unë besoj se sot është në pikën e vet kulminante, ngatërresa në raportet e sjelljes së njeriut si qenie individuale dhe në të njëjtën kohë si atribut social. Ka një hipertrofizim të qartë në skadimin me tendencë të të drejtave të njeriut si individ dhe nënvlerësim të nevojës së respektimit të standardeve dhe normave të jetës së përbashkët qytetare.

Nëse do bënim një përpjekje që këtë situatë sociale që zhvillohet në shoqërinë shqiptare të përpiqemi ta trajtojmë filozofikisht, mund të themi se shoqëria po vuan plagën e ndarjes metafizike të të drejtave të njeriut, si esencë e lirë humane në raportet me detyrat e ekzistencës sociale. Ideale do ishte sikur të mund të kishim një përputhje të plotë të esencës humane me ekzistencën konkrete njerëzore. Kështu është e udhës që njeriu të bëhet qytetar, qenie monolite sociale. Pikërisht kur njeriu bëhet i aftë, i ndërgjegjshëm dhe kur këto dy anë (esencën dhe ekzistencën) i bashkon në veprimtarinë e vet të qëllimshme. Ky do ishte një triumf i nivelit të qytetërimit tonë. Por le t’i lëmë filozofitë dhe idealizimet. Le të ulemi me “këmbë në tokë” dhe t’i shohim gjërat në kontekstin e problemeve tona.

Gjëra që janë bërë tipare evident të natyrës së qytetërimit tonë. Kjo do të thotë që nuk është fare paradoksale kur ne përballemi, jo aq shumë me normat e përbashkëta dhe standardet e njohura të qytetërimit, por më së shumti me një theksim in ekstremis të “unit” individual të njeriut. Kjo ka bërë që shumë njerëz, në vend që të mendojnë e të sillen si qytetarë, nisen nga koncepti i kufizuar individualist i sjelljes, duke menduar gjithnjë me vetëm me “Unë” dhe “Mua” dhe farë rrallë me normën sociale të qytetarisë dhe qytetërimit “Ne”. Sipas mendimit tim, shqetësimi social buron nga fakti që gjithnjë e më shumë po zbehen rregullat e jetës së përbashkët qytetare, ato po përballen me trillet e pakontrolluara të individit. Kjo është arsyeja që ndodh që pikërisht njeriu që tashmë është më i lirë, për fat të keq bëhet “qytetar i keq asocial”.

Për pasojë, kjo tendencë asocialiteti i përgjithësuar po shoqërohet me zgjerimin e situatës së një lloj “anonimiteti individual” të qytetarit, që tashmë jeton në habitatet e qyteteve të mëdha. Në këto kushte, njerëzit tanë akoma nuk janë të gatshëm të përballen si duhet, në mënyrë qytetare dhe të qytetëruar me ritmet e këtij “urbanizimi të përshpejtuar”. Në këto kushte duket si veprim i justifikuar social fakti që njeriu harron që është qytetar, për pasojë i detyruar, që të gjejë dhe përdorë individualisht mjetet e duhura e të përballet me sfidat e urbanizimit dhe qytetërimit postmodern.

Përkundrazi, tani përballemi me tendencën anarkiste të mbivlerësimit e interesave individuale, tejet pragmatike, cinike, antihumane, jo qytetare që ka çuar në zgjerimin e së “keqes sociale”, të shoqëruar në të njëjtën kohë edhe me një lloj degradimi moral të njeriut. Qytetërimi ynë po përballet dhunshëm jo me individin që kërkon autonomi normale nga shoqëria dhe të “tjerët”, por me individin narciz që e ka vënë veten mbi të tjerët, duke pëlqyer vetëm veten e tij. Akoma më keq shoqërinë po e indinjojnë tipat asocialë e të paekuilibruar, kriminelë e të dhunshëm, njerëz që nuk duan të njohin rregullat e bashkëjetesës qytetare, të bashkëpunimit dhe përgjegjësisë komunitare, që nëpërkëmbin çdolloj hierarkie të shëndetshme, peshën e çdo autoriteti që sjell rregulla të përbashkëta jetese në shoqëri. Këta janë bërë “kanceri” i qytetërimit tonë. Njerëz që nuk njohin as disiplinën që duhet të ekzistojë në familje, shkollë e shoqëri.

Problemi është se çfarë duhet bërë dhe a ekzistojnë mundësitë reale që edhe në shoqërinë dhe qytetërimin tonë të rregullohen raportet e njeriut me veten si individ dhe shoqërinë e qytetërimin tonë përbashkët? Apo do pranojmë se liria dhe thellimi i natyrës individualiste të jetës do ta bëjnë njeriun gjithnjë e më shumë një “qytetar të keq”? A mund të zgjidhet ky paradoks? Duke e zbërthyer këtë ide sinkretike në komponentët dhe detajet e veta, është e udhës që pyetja të shtrohet kështu: A mund të kemi shanset sociale që me mjete materiale dhe edukative, të mund të rregullojmë gjërat që përbëjnë ekuacionin e lidhjeve në mënyrë që “njeriu i lire” të mos ekuivalentohet me “qytetarin e keq”. Si mund të veprojmë që të puqet individualizmi i pakthyeshëm, nevoja e paasgjësueshme e njeriut për autonomi me kërkesën ultimative për të qenë në të njëjtën kohë edhe qenie e qytetëruar?

Në këto kushte është e domosdoshme që në familje, shkollë, media e kudo të rrënjosim kulturën e duhur qytetare, sipas së cilës qytetërimi ka një normë të bashkëjetesës sociale, në të cilën njeriu i lirë as nuk mund të cenojë standardet urbane dhe rregullat e bashkëjetesës qytetare, dhe në të njëjtën kohë nuk duhet të bëhet viktimë vetëm e “mentalitetit të së përveçmes. Ne kemi nevojë të kultivojmë një koncept të ri social, sipas të cilit njeriu është i lirë të sillet si të dojë, por duke respektuar rregullat e përbashkëta sociale dhe “kufijtë kulturorë” të ekzistencës dhe funksionimit të shoqërisë shqiptare. Kjo kërkon që të fillojmë një betejë sociale të vërtetë në familje, shkollë, media e kudo në mënyrë që t’u mësojmë njerëzve artin e “qeverisjes” së qytetëruar të vetes.

Qytetërimi ynë nuk do bëhet kurrë i mirë, pa u mësuar njerëzve artin e të “qeverisurit të vetes”. Vetëm ky njeri ka mundësi të plota që të bëhet individ, që di të shfrytëzojë të gjitha hapësirat për mënyra të ndryshme jetese. Ky është qytetari integral dhe jo individi që shfaqet si njeri ekscentrik.

Në trend Kultura

Më shumë
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
XHUBLETA

XHUBLETA

Poezi
FRIKË

FRIKË

Poezi
Didaktikë historie

Didaktikë historie

Kulture
Vepra poetike Kadare!

Vepra poetike Kadare!

Analiza
Shqipja e kërcënuar!

Shqipja e kërcënuar!

Analiza
Kalo në kategori