LAJMI I FUNDIT:

Për deputetët, s’ka rritje pagash

Për deputetët, s’ka  rritje pagash

Komisioni për Buxhet dhe Financa, ka refuzuar kërkesën e deputetëve për rritje pagash, ndërsa ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, për bartjen e buxhetit prej 5 milion eurosh për blerje të ambasadave.

Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, kanë shqyrtuar kërkesën buxhetore të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) për lejimin e bartjes së mjeteve, në fondin rezervë për blerjen e ambasadave, meqë MPJ-ja, nuk e ka shfrytëzuar buxhetin e këtij viti.

Anëtarët e Komisionit bashkërisht me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave duke kritikuar në vazhdimësi kërkesat e të gjitha ministrive që dolën, pas miratimit të buxhetit, përkrahën në parim edhe kërkesën e MTPT-së, për ndryshimin e tabelës 3.1 dhe 3.2.

Në vijim të këtij takimi, anëtarët e komisionit, po ashtu u dakorduan që të plotësohet edhe kërkesa e Këshillit Gjyqësor, që mjetet e Gjykatës Supreme të transferohet në Këshillin Gjyqësor në një kod të veçantë.


Kryetari i Komisionit, Gani Koci tha se nga Këshilli Gjyqësor, nuk ka pasur kërkesë për mjete shtesë, por vetëm për bartje të buxhetit.

Në mbledhjen e sotme, po ashtu është bërë edhe shqyrtimi i projektligjit (pjesës tekstuale) për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010.

Ndërsa, kërkesa për rritjen e pagave dhe mëditjes nuk është aprovuar nga Komisioni. Kryetari i Komisionit bëri të ditur se niveli i pagave dhe mëditjes do të mbetet siç ka qenë.