LAJMI I FUNDIT:

Për “armikun e popullit” dhe kampionin që nuk gjunjëzohet!

Për “armikun e popullit” dhe kampionin që nuk gjunjëzohet!

E mban epitetin e Poetit të Kinemasë. Me veprat e tij e ka begatuar jo vetëm Valën e Re Iraniane, por tërë kinematografinë botërore. Është ky Jafar Panahi, që bën filma në kushtet që askush nuk do t’i pranonte: pa buxhet, pa aktorë me “shkollë” e mbi të gjitha i ballafaquar nga ndalesa e pushtetit për ta ushtruar zanatin e tij prej regjisori. Por, kampioni nuk gjunjëzohet…

Jack Dempsey ishte kampion bote në boks në vitet 1919-1926. Jeta e tij ishte mizore. Siç ka thënë edhe vet, si i ri ishte nokautuar shumë herë. Ai do të donte të rrinte ashtu, i shtrirë për toke, por nuk mundte. Nuk kishte ngrënë bukë për dy ditë rresht, ndaj duhej të çohej: për fitoren, për barkun e thatë dhe zorrët që i kërcitnin.


Mbase nga kjo përvojë del edhe thënia e tij e famshme se “kampion është ai që çohet edhe atëherë kur nuk mundet”!

Me këtë thënie duhet të identifikohen edhe artistët e vërtetë, që nuk dorëzohen nga ideali i tyre, për ta realizuar ëndrrën, dhe për ta bërë botën një vend më të mirë.

Shembull tipik i një artisti, i një luftëtari të tillë, është iraniani Jafar Panahi.

Vetura si studio filmi

Panahi është regjisor filmi që identifikohet me Valën e Re Iraniane, një lëvizje kinematografike që karakterizohet nga njerëzorja, teksa merret me problemet e të rëndomtëve. Kjo qasje, kjo Valë origjinale, paraqet sot një nga vlerat më të mëdha të filmit në botë.

Filmat e Panahit kanë fituar çmime në festivalet më të mëdha, si në Venecie, në Kanë dhe në Berlin. Ndërsa, krijimtaria e tij futet në kategorinë e “Filmave pa buxhet”, që realizohen me pak ose aspak para.

“Në botën ku filmat bëhen me miliona dollarë, ne e bëjmë një film për një vajzë të vogël që dëshiron të blejë një peshk për më pak se një dollarë”, ka thënë ai.

Por, mungesa e buxhetit nuk është problemi i vetëm me të cilin ballafaqohet ky regjisor i madh. Sepse, atij i mohohet e drejta për të qenë i lirë, e mbi të gjitha për t’u shprehur – për të krijuar.

Në luftën për demokraci, më 2009, shpërthen ajo që njihet në vend si Lëvizja e Gjelbër Iraniane, apo në Perëndim si Zgjimi Persian. Fjala është për protestat që kontestonin ligjshmërinë e rizgjedhjes për president të Mahmoud Ahmadinejadit. Në vitin 2010, për këtë pjesëmarrje, Panahi u dënua me arrest gjashtëvjeçar shtëpiak, nën akuzat për krime kundër shtetit. Pos këtij dënimi, atij i ndalohet për 20 vite madje edhe bërja e filmave.

Por, kampioni i vërtet nuk ndalet. Panahi xhiron me kamera të lira digjitale apo celularë, siç bëri më 2011 me “This is Not a Film” (Ky nuk është film), që nga revista “Sight & Sound” e Institutit Britanik të Filmit është konsideruar si një nga filmat më të mirë të vitit 2012.

“Nëse mund ta rrëfejmë filmin, pse duhet ta bëjmë filmin?”, është slogani i tij për këtë vepër, që është protestë dhe mospajtim me censurën e imponuar të shtetit dhe për nevojën për t’u shprehur ashtu siç di ai më së miri – si regjisor. Sepse, siç ka thënë Panahi: “Jam filmbërës. Nuk mund të bëj gjë tjetër pos filmave. Kinemaja është të shprehurit tim dhe kuptimi i jetës sime”.

Në “ilegalitet” Panahi realizon edhe filmin “Closed Curtain” (Perdja e mbyllur), që shpërfaq pasojat e izolimit, paranojat që krijon sistemi totalitar dhe frikën permanente ndaj dhunës shtetërore. Ndërkaq, në vitin 2015 e bën filmin “Taxi Tehran” (Taksi) që i solli atij Ariun e Artë nga Festivali i Berlinit.

Për realizimin e fundit, Panahi është i inspiruar nga “mësuesi” i tij, Abbas Kiarostami, dhe filmat e tij “Taste of Cherry” (Shija e qershisë) dhe “Ten” (Dhjetë). Aty, pra tek “Taksi”, çdo skenë xhirohet nga tri kamera të vogla digjitale (mbase GoPro), të vendosura brenda në veturë. Përmes tyre pasqyrohet e sotmja e Iranit, realiteti, meqë edhe ideja është konceptuar të jetë si një gjysmë-dokumentari. Udhëtarët që futen, sjelljet dhe muhabetet e tyre, janë e vërteta e një shteti pothuajse të dështuar. I tillë ishte Malësori për Nonda Bulkën, sepse ai ishte e vërteta e Shqipërisë së varfër e jo deklaratat e ministrave. Të tillë ishin edhe krijuesit polakë të viteve ’70 të shekullit të kaluar, që përfaqësonin atë që njihej si Kinemaja e Ankthit Moral (apo Kinemaja e Mosbesimit).

Guximi për ta thënë të vërtetën

Anëtarët e kësaj lëvizjeje artistike polake merreshin me tema të vogla, të izoluara, p.sh. në një zyre, një spital, një shkollë apo një fabrikë. Por, përmes shtjellimit të ngjarjeve ia dilnin të pasqyronin anomalitë e tërë sistemit komunist polak: të shtetit të punëtorëve që punonte në dëm të punëtorëve!

Kinematografia e Ankthit Moral tregonte guximin qytetar. E, kjo është ajo që e karakterizon edhe Panahin: guximin intelektual dhe artistik që ta demaskojë një shtet të fuqishëm që keqinterpreton islamin – për popullin kundër popullit – madje edhe përmes një filmi pa buxhet e të realizuar për vetëm 15 ditë!

Por, çfarë paraqet një taksist për një sistem shtypës, apo për Poetin e Kinemasë Iraniane – Panahin?

“Ideja e Twitter-it lindi tek unë kur punoja me logjistikë, qëkur isha 15 vjeç, e ku taksitë apo kamionët e zjarrfikësve transmetonin se ku janë dhe çfarë po bëjnë”, ka thënë themeluesi i rrjetit social Twitter, Jack Dorsey.

Pra, taksistët janë edhe lajmëtarë, “burim i informatave”. Shpeshherë mund të jenë të rrezikshëm – shërbëtorë të regjimit, për të mirë e për të keq. Kështu, për shembull, Qeveria skoceze ka urdhëruar taksistët që të spiunojnë fëmijët nëse dëgjojnë diçka të dyshimtë në veturë. Dëshmi është edhe Svetllana Gjorgjeviq që kishte punuar në Kosovë deri më 1999, e që ndër të parët në Serbi ka folur haptazi për krimet e serbëve në Kosovë. Ajo ka thënë se shefi i Shoqatës së Taksistëve të Kosovës ishte njeri i SUP-it serb (Sekretariati i Punëve të Brendshme). Ndërkaq, aktori i madh shqiptar, Bekim Fehmiu, trondit opinionin jugosllav kur ka thënë se nuk është befasuar nga demonstratat e vitit 1981, meqë një taksist në Beograd i kishte thënë se diçka do shpërthejë në Kosovë!

Pra, në një sistem totalitar, taksisti mund të jetë edhe informator. Ndaj, në këtë aspekt mund të analizohet edhe filmi i Panahit: shteti e di se çfarë mendon populli, dhe populli patjetër e di se në çfarë shteti jeton. Sekreti është publik, e vërteta vështirë fshihet, siç nuk mund të fshihet edhe vet Panahi, shoferi i “huptë” i një taksie në Teheran – në metropolin me 16 milionë banorë. Kështu, Panahi tradhtohet nga dialogu i dy udhëtarëve – aktorëve (pa diploma) – që ngjante me filmin e tij të vitit 2003, “Crimson Gold” (Ari i kuq). Ai identifikohet nga “dileri” i DVD-ve me filma të huaj (profesion i rrezikshëm në Iran), e më vonë edhe nga një student i regjisë së filmit.

Filmat që janë bërë, romanet që janë shkruar dhe kërkimi i idesë

Në një shtet si Irani, njeriu merr atë që nuk i takon, ndërsa shtiret ai që nuk është. “Dileri” thotë se është mik i Panahit, studenti që kërkon nga “dileri” serinë e pestë të horrorit “The Walking Dead” e mohon këtë nga turpi kur takon Panahin. Madje, shtiret se i urren filmat komercialë. Ky student, që shkollohet në sistem të rrejshëm e pa vlera, “lexon shumë romane, e sheh shumë filma”, por është “bllokuar” e nuk di saktë se çfarë filmi duhet të bëjë!

“Ata filma e ato romane tashmë janë bërë. Duhet të kërkosh tjetërkund. Nuk ke për ta gjetur duke qëndruar në shtëpi… Gjeje vet”, i thotë Panahi atij.

Temat dhe inspirimi për art është pranë secilit, por vetëm artisti i mirëfilltë i shikon dhe realizon. Fatkeqësisht, jo secili e ka këtë guxim. Ky fakt zbërthehet më së miri nga mbesa e tij e vogël (Hana Saeidi), që ka një detyrë shkollore: të bëjë një film të shkurtër. Ajo e ka idenë e mirë, nga një ngjarje reale e një dashurie të ndaluar. Por, këtë ide nuk mundet ta zhvillojë. Sepse, mësuesja i ka përcaktuar kriteret për filmin, ashtu siç e kërkon ligji i Republikës Islamike të Iranit: respekt për perçen dhe mirësjelljen islame; asnjë kontakt mes një mashkulli dhe një femre; asnjë konspiracion; jo dhunë; jo kravatë për protagonistët; nuk duhet të ketë emra persianë për protagonistët; preferohen emrat e profetëve myslimanë!

Cila është e vërteta në shoqëri të tillë dhe çfarë personazhi është Arashi, shoku i Panahit, që ka emër të vjetër persian dhe mban kravatë? Ku është morali në një vend ku lulëzon prostitucioni i fëmijëve e ku vetëm në kryeqytet, në Teheran, 84 mijë gra dhe vajza (që nuk janë të barabarta me ligj me meshkujt) janë në skllave seksi e me mijëra të tjera trafikohen jashtë vendit. Këtu homoseksualizmi është i ndaluar, por lejohet operacioni i ndërrimit të gjinive duke e bërë këtë vend pothuajse lider botëror me transeksualë. Në Iran është shkalla më e lartë në botë e të varurve nga opiumi. Aty ndalohet alkooli, por 26 për qind e taksistëve në Teheran më 2012 kanë dalë të dehur. Irani madje e zë vendin e 19-të në botë me përdorues të alkoolit. Këtu nuk lejohet seksi paramartesor, por ka Mut’ah, “martesa të kënaqësisë” – pa “pasoja” në shoqëri e besim, që zgjasin me muaj, javë, ditë apo orë…!

Asgjë nuk definohet saktë në këtë rreth, tek këta njerëz që Hegeli i ka quajtur populli i parë historik, e që para 2500 vitesh ishin perandori e shtrirë në tri kontinente. Populli i lashtë i Tokës së Arianëve, i kulturës, i poezisë së mahnitshme, i kopshteve të bukura që mahnitën botën e nga të cilat lindi edhe fjala parajsë, sot është toka e paradokseve.

Si duket hajni dhe cila është e vërteta?

I “ndershmi” këtu kërkon zbatim Sheriati për hajnat që ia vodhën rrotat e veturës së kushëririt të tij. Ai kërkon varje, për të frikësuar të tjerët. Ndërsa, nuk dëshiron të dëgjojë mësuesen se askush nuk lind kriminel, se krimi varet nga shumë rrethana dhe se duhet të zbërthehen arsyet se pse ndodh kjo. Ky i “ndershëm” është hajn i deklaruar i xhepave, por me “parime” meqë nuk vjedh para nga taksistët si Panahi.

Irani, pas Kinës, është shteti që kryen më së shumti ekzekutime në vit! Irani ka edhe makina për prerjen e gishtave të hajnave. Por, prapë, hajnat janë kudo. E, kush i dallon ata?

Askush!

Nga rrethanat bëhet hajn fëmija i varfër që mbledh në plehra e që gëzohet kur dikujt i bien ca para në tokë. Ky fëmijë do të ishte hero i filmit të mbesës së Panahit, si simbol i vetëmohimit, sikur t’i kthente paratë tek ai që i ranë. Sepse këtë “moral” e do shteti nga të shkelurit.

Temë për film ka edhe Arashi, shoku i Panahit, që flet për t’u çliruar për brengën që e mundon: një mashkull e një femër e kanë sulmuar dhe e kanë plaçkitur kohë më parë! Ai i ka identifikuar, por nuk i ka denoncuar nga frika se do të varen. Po ashtu, nuk mundte ta bënte këtë meqë kishte kuptuar se ata ishin në hall dhe se me këtë vjedhje, me këtë dëm që ia shkaktuan, ata megjithatë e kanë marrë veten.

Hajnin e njeh Arashi, atë e takoi Panahi dhe mbesa e tij. Ishte i rëndomtë, si të gjithë të tjerët, “si ti, si unë, si të gjithë njerëzit rreth e rrotull”!

Të gjithë pra janë krijesa të rrethanave që ju imponohen. Njëjtë siç ka thënë bihejvioristi John B. Watson më 1930: “Më jepni një duzinë fëmijë të shëndetshëm, të zhvilluar mirë, dhe mjedisin tim specifik për t’i rritur, e ju garantoj se cilindo nga ta do ta trajnoj për ta bërë specialist të çfarëdo fushe: mjek, jurist, artist, tregtar, madje lypsar apo hajn, pa marrë parasysh talentet e tyre, prirjet, aftësitë apo racën e paraardhësve”.

Hajnat janë produkt i pushtetit, por ta thuash të vërtetën në Iran nuk bën, se paraqet konspiracion. Këtë e kupton tash edhe fëmija, mbesa e Panahit. Konspiracioni është tek lista e “kritereve” të mësueses së saj për filmin që duhet bërë. Mësuesja kërkon të shfaqet realiteti, por cilin realitet e cilën të vërtetë? Shteti i krijon realitetet e këqija, por i mban fshehur. E, fëmija që ka një detyrë, për të bërë një film, është në ankth në moshën kur nuk do të duhej të kishte asnjë brengë.

Burgu i vogël dhe burgu i madh

Në shkrimet e vjetra hebraike, tek Zanafilla e Rabahut, thuhet: “Në rrugën e të verbërve, njeriu me një sy quhet drita udhëzuese”! Sistemi në Iran, tek Panahi vazhdon të krijojë paranoja. Ai ndjen zhurma, zërin e një personi që kishte dëgjuar kur ishte në burg.

Por, nuk është i vetmi me probleme të tilla. Këtë ia thotë avokatja dhe luftëtarja e të drejtave të njeriut, “Zonja e luleve”, Nasrin Sotoudeh, me të cilën Panahi ka ndarë më 2012 çmimin Saharov. Kjo është pasoja e syve të lidhur dhe përqendrimi vetëm tek zërat, për çka i verbojnë zborakët për të kënduar më mirë. Sotoudeh – që po ashtu e ka hëngër burgun dhe e ka të ndaluar ta ushtrojë profesionin e avokates – e njeh këtë sistem, paradokset, paranojat, gënjeshtrat e moralin e rrejshëm. Ajo është e vërteta – vet konspiracioni.

“Ata sigurohen që ne ta dimë se jemi të vëzhguar. Taktikat e tyre janë të qarta. Krijojnë një dosje politike. Ti bëhesh shënjestra e Mossad-it, CIA-s, MI5-it. Pastaj, e shtojnë një skandal seksual dhe ta bëjnë jetën burg. Ti del, por bota e jashtme nuk është gjë tjetër pos një burg i madh. I bëjnë miqtë më të mirë të jenë armiqtë tuaj më të mëdhenj… Mos e vë këtë në film se akuzohesh për konspiracion”, thotë ajo, teksa i drejtohet kamerës, armës më të sigurt të Panahit, meqë tek njerëzit e kinematografisë ai mund të mbështetet gjithnjë.

Panahi ishte i vëzhguar, gjatë gjithë kohës. Kjo ishte zhurma që dëgjonte taksisti që nuk u vu në shërbim të pushtetit, por të artit dhe të mirës së përgjithshme, duke përçuar të vërtetën – që e vuan ai dhe populli i tij – kudo në botë. Kështu, teksa e dërgon një kuletë tek burimi natyror, lokacioni i shenjtë arkeologjik Cheshmeh Ali – që në taksi të tij e kishin harruar dy gra besëtyte – thyhet vetura dhe vidhen kamerat. Por, jo edhe kartat e memories që përmbanin skenat e asaj që regjisori i madh amerikan, Darren Aronofsky , e cilëson si “një letër dashurie për kinemanë… e mbushur me dashurinë për artin, komunitetin, vendin dhe publikun e tij”.

“Kur një regjisor nuk bën filma, kjo është sikur të jetë i burgosur. Edhe nëse është i liruar nga një burg i vogël, ai e sheh veten tek endet në një burg më të madh. Çështja është: pse është krim të bësh një film? Në rregull, një film i mbaruar mund të ndalohet, por jo edhe regjisori”, ka thënë Panahi, duke shpjeguar në një mënyrë edhe qasjen e tij artistike – për luftën për triumfin e njerëzores.

“Taksi” nuk është lejuar të shfaqet në Iran, sepse kështu ka kërkuar Ministria e Kulturës dhe Udhëzimeve islame. Panahi nuk u lejua as të shkojë në Berlin, për çmimin e madh. Por, ai nuk lejoi të gjunjëzohet: u shfaq si taksist që kundërshton regjimin në rrugët e rrezikshme të Iranit ku tre veta në orë vriten nga aksidentet, e ku për shkelje ligji për gjashtë muaj 700 persona ekzekutohen me varje. Dhe, e bëri edhe një film që është film. Për të vërtetën. Sepse, thjesht, ai është kampion!